Mbreti dhe Mbretëresha e Britanisë së Madhe pritet të udhëtojnë drejt SHBA-ve për një vizitë shtetërore katërditore që nis të hënën, dhe të takohen me Trump në Shtëpinë e Bardhë. Kjo do të jetë vizita e parë shtetërore e Mbretërisë së Bashkuar në SHBA që nga ajo e Mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II në vitin 2007.
Por pas incidentit në darkën e gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë, janë ngritur pyetje nëse të shtënat në Uashington do të ndikojnë në planifikimin e sigurisë. Pak minuta më parë, Pallati Buckingham tha se po vlerëson çdo ndikim të mundshëm në “planifikimin operacional”.
“Sipas një zëdhënësi të Pallatit Buckingham, Madhëria e Tij po mbahet plotësisht i informuar për zhvillimet dhe është shumë i lehtësuar që dëgjon se Presidenti, Zonja e Parë dhe të gjithë të ftuarit nuk kanë pësuar lëndime”, raporton agjencia britanike PA. “Një sërë diskutimesh do të zhvillohen gjatë gjithë ditës,” tha zëdhënësi, për të përcaktuar “në çfarë mase ngjarjet e mbrëmjes së së shtunës mund ose nuk mund të ndikojnë në planifikimin operacional të vizitës.”
Mbreti pritet t’u drejtohet të dy dhomave të Kongresit, të vizitojë memorialin e 11 shtatorit në Neë York dhe të marrë pjesë në një ceremoni për të nderuar ushtarët amerikanë dhe britanikë të rënë në Virxhinia.
Më herët, Sekretari Kryesor i Kryeministrit, Darren Jones, tha se do të ketë “masa të përshtatshme sigurie në lidhje me rrezikun. Sekretari i Brendshëm Chris Philp tha se udhëtimi duhet “patjetër” të vazhdojë, duke shtuar se dhuna nuk duhet të lejohet të pengojë marrëdhëniet diplomatike.
Komente









