Pas humbjes javën e kaluar kundër Kastriotit Tiranën kryesuese të Superligës këtë të shtunë e pret një sfidë tepër delikate kundër Laçit të vendit të dytë, që ka vetëm 3 pikë më pak. Një 90 minutësh që në fund të sezonit mund të rezultojë përcaktues për titullin kampion.
“Përballje të tilla kanë brenda emocionin por edhe përqëndrimin, pasi dihet që ndonjëherë vlejnë edhe 6 pikë,”-tha Orges Shehi, trajner i Tiranës.
Po të shtunën, për llogari të javës së 22 të Superligës, Kukësi që vjen pas humbjes me Laçin do të presë Teutën.
“Është e vërtetë në ndeshjen e parë kemi humbur 3-2 kundër Teutës dhe kemi bërë një ndeshje shumë të keqe. E them këtë sespe nuk kemi ditur të menaxhojmë situata të tilla. Tani është një tjetër ndeshje sepse Teuta ka ndryshuar shumë dhe djemtë e mi e dinë se duhet të japin 100% për të marrë më të mirën,”-deklaroi Diego Longo, trajner i Kukësit.
Përballja tjetër e kësaj jave është Egnatia-Kastrioti, që mund të cilësohet edhe si një derbi mbijetese.