Gjinekologu Shkëlqim Balili i ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, analizoi në detaje perimenopauzën dhe menopauzën tek gratë si dhe foli për simptomat dhe mënyrën sesi duhet të trajtohen për të kaluar këtë fazë, të cilën ai e cilësoi një revolucion hormonal.
“Problemet e perimenopauzës do të thoja që janë një revolucion hormonal, i cili prek organet tona. Të gjitha gjendjet e veçanta mjekësore, të gjitha shtimet në peshë, humbjet ose ndërlikimet që krijojnë më pas sëmundje, janë të varura nga ekuilibri hormonal. Hormonet janë substanca kimike të specializuara që kanë origjinë nga gjendrat, fillojnë me hipotalamusin, hipofizën, tiroiden, vezoret, pankreasin dhe deri tek gjendra endokrine mbiveshkore. Të gjitha hormonet që prodhohen nga këto gjendra derdhen në gjakun tonë. Hormonet janë lajmëtarë dhe komunikojnë me qelizat”, trupi jonë përbëhet nga 50 trilon qeliza të cilat krijojnë indet, organet tona vitale dhe është pikërisht komunikimi hormonal me këto qeliza që bën mirëfunksionimin e organeve tona. Nëse nis një disbalancim hormonal atëherë fillojnë dhe probleme të ndryshme shëndetësore”, theksoi Balili.
Por çfarë është perimenopauza dhe si fillon ajo
Premenopauzë është një periudhë tranzicioni 2 deri në 10 vjet dhe ka disa shenja, simptoma. Keni çrregullim të ciklit, i cili bëhet më i shkurtër ose më i gjatë, vonohet një javë ose dhjetë ditë ose vazhdon 5 deri në 6 ditë dhe pastaj shkon me njolla. Para ciklit menstrual ndjeni tension tek gjoksi, ka ndjenjë ndjeshmërie më të madhe, ka fryrje barku, ka ndjenjë nervozizmi, ka pak ankth dhe stres, si dhe lodhje dhe mungesë përqendrimi.
“Nëse dikur perimenopauza fillonte rreth të 40-ve, sot me këto ushqime të industrializuara si dhe me shumë toksina që marrim nga shampot e kremrat, ku substancat kimike nga produktet e bukurisë zëvendësojnë hormonet e vezores dhe japin çrregullim total, në mesin e të tridhjetave tingëllon perimenopauza, dhe ndodh që vajzave në moshën 9 vjeç t’ju vijë cikli. Një vajzë 18-19 vjeç nuk duhet të ketë dhimbje barku dhe gjoksi, nëse ka, atëherë ka disbalancë hormonale. Cikli menstrual është dhuratë e organizmit femëror dhe ka çelës të artë ovulacionin, nëse estrogjeni dhe testosteroni s’ka ekuilibër atëherë do të ketë çrregullime hormonale”, shpjegoi gjinekologu Shkëlqim Balili.
Ja si ta kuptoni që keni disbalancë hormonale
Gjinekologu Shkëlqim Balili shpjegoi se ka shumë paciente me probleme fertiliteti, infeksione apo edhe çrrregullime cikli.
“Të gjitha kanë probleme hormonale dhe këtu ndikon mbipesha, mungesa e feritinës, e cila jep edhe shenja si dobësim të flokëve, tharja e fytyrës, etj”, shpjegoi ai.
Sipas gjinekologut disbalanca sjell çrregullim të ciklit menstrual, i cili shoqërohet me nervozizëm, vagina fillon të thahet dhe bëhet më e dhimbshme, ka ulje të estrogenit. Për të kuptuar disbalancën gratë duhet të bëjnë testin ovarial, i cili bëhet në ditën e tretë të ciklit menstrual.
Ja çfarë sjell disbalanca e hormoneve
Keni luhatje të estrogenit, menjëherë ulja dhe ngritja, bën që të humbasësh ciklin menstrual ose do të ndalojë ose do te kesh cikël të shumtë hemoragjik. Progresteroni bën ovulacionin, nëse jeni në perimenopauzë dhe keni estrogen të lartë do t’ju sjellë çrregullime, afshe të nxehta, djersiteje, rrahje të zemrës, nervozizëm dhe ankth. Nëse estrogeni ka rënë plotësisht kemi tharje të vaginës, pagjumësi, dobësi dhe jeni drejt menopauzës.
Çfarë duhet të bëni për të menaxhuar menopauzën
Duhet të eleminohen hormonet sintetike, duhen probiotikë dhe hormone bimore. Për afshet gjinekologu Shkëlqim Bilali sygjeroi një preparat bimor, një kombinim që sjell balancë dhe rregullim hormonesh. Stili i jetesës është shumë i rëndësishëm. Eleminoni duhanin, alkoolin, bëni gjumin e plotë, eleminoni pajisjet elektronike, telefonat dhe ushqimin para se të flini.
“Eleminoni ushqimet e përpunuara, konsumoni vezë në mëngjes, fara e lirit dhe farat e chias të cilat duhet lënë në ujë gjatë natës, më pas mund t’i kombinoni me boronica dhe me mollë. Hani sardele, mëlçi të zezë, fasule, thjerrëza, bishtaja, sallatë jeshile me vaj ulliri, supra dhe lëng kockash. Hiqni bukën e bardhë, konsumojeni integrale, dhe kujdes: mos e blini bukën me feta të prera, pasi indi metalik prerëses e infekton”, ishin disa nga këshillat e mjekut Shkëlqim Balili.
Komente












