Një dramë e rëndë njerëzore po zhvillohet në Delvinë. Dy vëllezër me probleme shëndetësore, Spiro dhe Thoma Çako, 32 dhe 40 vjeç, jetojnë të vetmuar dhe të braktisur, pas ndarjes nga jeta të nënës së tyre.

Shtëpia ku banojnë është jashtë çdo standardi. Çatia pikon nga brenda dhe nga jashtë, duke lagur krevatet ku ata flenë. Pa ujë të ngrohtë, pa ushqim të rregullt, pa kushte higjienike dhe pa asnjë njeri që të kujdeset për ta.

“Këta janë të dy jetim dhe të sëmurë, janë me raport mjekësor. Pas vdekjes së nënës kanë mbetur vetëm, ku do shkojnë?! Natën tremben nga frika… Nuk dinë t’i shpenzojnë paratë dhe mbeten pa ushqyer. Ne kërkojmë t’i ndihmojë shteti! Bashkia duhet t’u caktojë një kujdestar", shprehet një fqinj. 

Të dy trajtohen me ndihmë ekonomike, me vetëm 12,900 lekë secili, por gjendja shëndetësore nuk i lejon të gatuajnë dhe as të mirëmbajnë shtëpinë. Shpesh mbeten të uritur dhe të pambrojtur. Madje ajo është shprehur në mikrofonin e Report TV se ajo është e gatshme për tu kujdesur për 2 vëllezërit e sëmurë dhe të vetmuar nëse shteti i jep pagesë për kujdestarinë.

“Ne bëjmë ç’është e mundur, por ata kanë nevojë për kujdes ditor, për pastrim, gatim dhe higjienë. Dhe një dajë që kanë, ai ka hallin e tij se ka gruan e sëmurë. Janë në një gjendje të keqe. Fqinjët i ndihmojnë me rroba dhe lekë, por për sa kohë do të vazhdojnë kështu. Unë jam e gatshme të kujdesem për ta nëse shteti më jep një pagesë si kujdestare", vijon fqinji.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga bashkia e Delvinës. Dy vëllezërit Çako nuk kanë nevojë vetëm për ndihmë ekonomike, por për kujdestari të përhershme, për mbrojtje, ushqim dhe trajtim human.

Një jetë njerëzore nuk mund të lihet në fatin e vet. Dy qytetarë të pambrojtur presin përgjigjen e institucioneve në heshtje.