Teatri 'Aleksandër Moisiu', rreth 5 mln euro për rikonstruksionin, ja si do ndryshojë

Teatri 'Aleksandër Moisiu', rreth 5 mln euro për rikonstruksionin, ja si do ndryshojë

Teatri Aleksandër Moisiu

Teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës pritet t’i nënshtrohet rikonstruksionit në një projekt që do të zbatohet nga Bashkia Durrës.

Një procedurë prokurimi e çelur nga kjo e fundit në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik parashikon një objekt kontrate “Rikonstruksion i Pallatit te Kulturës” me një fond limit 496 milionë lekë apo rreth 5 milionë euro.

Në relacionin arkitektonik që shoqëron këtë procedurë nënvizohen edhe ndërhyrjet që do të kryhen. Si fillim shpjegohet se teatri “Aleksandër Moisiu” është një objekt 3-katesh me tarracë i cili ndodhet në Veri të sheshit Liria dhe nevoja për rinovimin lidhet me gjendjen aktuale të tij.

“Ky objekt shërben si një pikë kyçe e qytetit, duke luajtur një rol të rëndësishëm në siluetën arkitektonike të qytetit të Durrësit. Teatri ka një kapacitet prej 250 spektatorësh, të cilët akomodohen në 2 plate dhe 3 llozha.

Përveç sallës kryesore të teatrit, në objekt ka dhe hapësira të tjera të cilat janë në funksion të qytetarëve dhe mund të kenë përdorime të ndryshme në funksion të artit. Aktualisht në objekt, krahas problemeve të ndryshme të tilla si lagështia apo rënia e suvasë kërkohet dhe një riorganizim i hapësirave për një shfrytëzim sa më optimal të objektit” thuhet në dokument.

Qëllimi i kësaj ndërhyrje është rikualifikimi i Teatrit “Aleksandër Moisiu” dhe hapësirave që ndodhen në të. Identiteti i objektit nuk do të ndryshojë duke ruajtur kështu vlerat e tij historike dhe identitetin urban të zonës përreth.

“Me këtë projekt synojmë të krijojmë një ndërtesë shumëfunksionale dhe inovative, e cila i përgjigjet dëshirave dhe nevojave të komunitetit duke stimuluar zhvillimin e veprimtarive artistike dhe kulturore. Projekti synon të stimulojë rritjen sociale dhe ekonomike përmes përfshirjes në ndërtimin e funksioneve që kanë rëndësi në një shkallë urbane” nënvizon relacioni.

Konkretisht projekti synon të jetë:

1- Qendra teatrale, që synon trajnimin e valltarëve, muzikantëve dhe këngëtarëve të rinj, promovimin e përhapjes së kulturës muzikore dhe artistike në qytet;

2- Qendra komunitare, një vend eksperimentimi në dispozicion të qytetarëve me hapësira për përdorim kolektiv dhe shërbime të ofruara për territorin;

3- Bërthama e ekspozitës së Arteve, e hapur për qytetarët për koncerte, shfaqje dhe ekspozita.

“Ndërtesa e re duhet të jetë një pikë referimi për qytetarët, e përdorshme për shumë përdorime që mund të alternohen gjatë ditës dhe javës; një vend hibrid, ku prodhimi kulturor, përdorimet kolektive dhe ofrimi i shërbimeve do të bashkëjetojnë, në mënyrë që të bëhet një pikë takimi për qytetarët dhe një motor për zhvillimin e praktikave inovative.

Projekti synon rritjen e kapacitetit të sallës kryesore duke e çuar numrin e vendeve të spektatorëve ne 360 vende. Ndërhyrja në ndërtesë do të krijojë kushte të përshtatshme për aksesin dhe lëvizjen e personave me aftësi të kufizuar (P.A.K). Kjo gjë nënkupton prezencën e rampave apo projektimin e hapësirave në një nivel duke e lehtësuar lëvizjen e tyre” thuhet në dokument. Monitor

 

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 20/07/2024 02:52

    Fasada e jashtme ballore duket tamam si radioja,import nga ish-RDGJ, qe e kam akoma ne Tirane si antikuar!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    14 Dhjetor, 13:13

    Berisha boton foton e gruas së Dumanit duke i rrezikuar jetën! Si e gjykoni?



×

Lajmi i fundit

Buxheti 2025, Veliaj: Buxheti i solidaritetit në çdo etapë të jetës së qytetarëve të Tiranës

Buxheti 2025, Veliaj: Buxheti i solidaritetit në çdo etapë të jetës së qytetarëve të Tiranës