Monodrama “Rrno për me tregue” e At Zef Pllumit me regji nga Milto Kutalit dhe interpretim nga aktori Arben Derhemi rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Pas mbrëmjeve në skenën e teatrit “Zihni Sako” në Gjirokastër vepra vjen sërish për publikun në Tiranë.
Vetë aktori protagonist Arben Derhemi lajmëron shfaqjen në data 8-9-10 qershor në orën 20.00 në teatrin “Kujtim Spahivogli” (salla Molier). “Për të gjithë ata që nuk kishin rastin ta shihnin kryeveprën e At Zef Pllumit”, shkruan aktori Derhemi në profilin e tij në Facebook.
Komunikimi mes njeriut dhe bimës, njeriut dhe kafshës, dhe pa mundësia që njeriu me njeriun të gjejnë gjuhën e përbashkët, ishte përzgjedhur si pjesë thelbësore e kësaj monodrame është pjesa kryesore e kësaj monodrame. Mesazhi shkon sidomos për të rinjtë që dinë pak për një nga periudhat e errëta që kaloi vendi ynë.
Më herët në kohën kur vepra erdhi premierë aktori gjatë prezantimit u shpreh se ,”kjo vepër u vu në skenë sepse kjo shoqëri ka nevojë për këtë katarsis që të kuptojë dhe të gjithë njerëzit, kush në një mënyrë dhe kush në një mënyrë tjetër të kërkojë falje për gabimet. Ndoshta dhe diçka më tepër. Unë mbetem në kuadrin e kërkimit të faljes, sepse duke pasur parasysh llojin tonë ishte më mirë të kërkonin vetëm falje dhe pjesën tjetër t’ua linin njerëzve të tjerë që ta kuptonin vetë se çfarë ka ndodhur në këtë vend dhe çfarë duhet të ndodhë. Liria është një çikë problem, sepse unë nuk e di ka ardhur akoma apo jo”, është shprehur Derhemi.
“Rrno për me tregue” vjen për publikun përmes një skenografie të thjeshtë, me element funksional por me tekst goditës, duke përcjellë emocione të forta tek spektatori. Derhemi dhe Kutali kanë shpresuar se duke u mirëpritur nga publiku kjo vepër do të shërbejë si motiv për debat, për një reflektim të shoqërisë shqiptare, që duhet të mendojë me kokën e vet dhe të kuptojë e të shohë brenda vetes, nëse është me të vërtetë e lire, sepse kjo ishte pyetja që At Zef Pllumbi i kishte bërë vetes kur doli nga qelia: “Unë nuk di a jemi të sigurt a është liri e vërtetë ajo atje jashtë? Por, megjithatë, unë do ta vazhdoj rrugën time, vetëm për me tregue, sepse dikujt mund t’i hyjnë në veshë fjalët e këtij plaku të mjerë edhe diku, dikur, në jetën e tyre diçka mund të ndryshojnë, sepse ata njerëz, edhe pse atje jashtë, asnjëherë nuk kanë qenë të lirë”.
(“Rrno për me tregue” e At Zef Pllumit)
“At Zefi e ka shkruar aq bukur, sa do ishte e tepërt për të vijuar më tej”, thotë Derhemi, teksa shton se kjo është një vepër që i duhet shoqërisë shqiptare më shuëm se kurrë sot. Kjo përkon sipas regjisorit edhe me shprehjen shkrimtarit të madh Ismail Kadare që e ka shkruar në parathënien e librit të At Pllumbit. “Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë ata që kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që s’e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, e mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët”., ka shkruar Kadare.