Teatri i Komedisë Eksperimental jo,
alternativ po!

Teatri i Komedisë Eksperimental jo,<br />alternativ po!
TIRANE- Shkrirja e Qendrës Kombëtare të Artit dhe Kulturës dhe ndërrimi i emrit të Teatrit të Komedisë në Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli” kanë hasur në reagimin e grupeve të ndryshme të artistëve. Dhjetëra artistë i janë drejtuar Ministrisë së Kulturës për të marrë shpërblimet e premtuara nga ish-drejtuesi i QKAK-së Frok Çupi, ndërkohë që sipas ministres Kumbaro nuk kanë dokumente transparente për këto detyrime. Nga ana tjetër, një grup artistësh që përfaqësojnë edhe bordin e Teatrit të Komedisë i kanë dërguar në janar një peticion kryetarit të Kuvendit, Ilir Metës, përmes të cilit i kërkojnë të mos i ndryshohet emri Teatrit të Komedisë.

Dje paradite ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, është thirrur në një seancë dëgjimore në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik për këto probleme. Ministrja e Kulturës është vënë përballë diskutimeve dhe polemikave të deputetëve dhe grupeve të interesit për të argumentuar reformat në institucione. Ministrja Kumbaro ka argumentuar dje rezultatet e një analize të bërë nga MK për QKAK, që sipas saj i ka kushtuar shtetit 56 milionë lekë të reja për të mbajtur zyrën në funksionim. “Propozimet për ndryshime janë të pastra, motive që vijnë nga një situatë juridike financiare dhe të fakteve që ka krijuar ligji në terren.

Ligji nuk i ka penguar projektet që funksionojnë brenda tagrit... Fakti është që ato ne i karakterizojmë si keqadministrim, konflikte interesi, bërje qokash, etj. Kjo e ka karakterizuar në përgjithësi mënyrën sesi janë menaxhuar fondet publike në Ministrinë e Kulturës në vitet paraardhëse, jo thjesht në një dyvjeçar. Kjo qendër nuk bëri gjë tjetër veçse shtoi një hallkë më shumë në këtë lloj mendësie, ndërkohë ajo që neve kemi propozuar për ta zhbërë është në radhë të parë ndryshimi i mentalitetit në komunitetin artistik për të hapur institucionet në mënyrë transparente”, tha ministrja Kumbaro, e cila iu referua kapitullit 8 të ligjit për menaxhimin e fondeve për projekte artistike.

Ndërsa pyetjes së deputetëve për përmbajtjen e peticionit të artistëve të Teatrit të Komedisë që ia kanë dërguar kryetarit të Kuvendit, ministrja Kumbaro, duke u shprehur se nuk është vënë në dijeni për këtë, argumentoi se propozimin e ka bërë për të hapur skenën për format më të larmishme të artit skenik. Qasje për interesat personale dhe të pozicionit aktual, e ka quajtur ministrja Kumbaro, peticionin e artistëve të Teatrit të Komedisë. Sipas Kumbaros “anëtarët e bordit dhe drejtori aktual kanë shqetësimin për zhvendosjen nga pozicioni i tyre”. Gjatë diskutimeve deputetja e PS-së Luiza Xhuvani, aktore e njohur, u shpreh se “Çfarë pune prish ndryshimi i emërtimit, duke nderuar një figurë si Spahivogli.

Teatër eksperimental, nënkupton teatrin e të rinjve, që do të stimulojë energji të reja. Nuk po e shndërrojmë institucionin në bingo, por në teatër atraktiv”.
Pas debateve në seancën dëgjimore të ministres Kumbaro janë thirrur në takim edhe grupet e interesit, drejtorët e institucioneve, të cilët u vënë pikën mbi i dy vendimeve të sipërpërmendura. Drejtori i Teatrit Kombëtar Hervin Çuli ka qenë pro shkrirjes së QKAK-së “Nuk ka pse të ekzistojë dhe një rast real është festimi i 100-vjetorit të pavarësisë. Kur qendra sapo ishte krijuar buxheti ishte zero dhe u harxhuan fondet politikisht për festimin e 100-vjetorit të pavarësisë”.

Çuli dha mendimin e tij edhe për Teatrin e Komedisë. “Çipi ka të drejtën  e tij për ta paragjykuar dhe nuk di ta ndajë se kush është me e mira dhe kush është me e keqja, por po kujtoj se Ministria e Kulturës po tenton të krijojë një hapësirë, që të mos dublojë Teatrin Kombëtar ose teatrot klasikë që janë në bazë të shkollës sonë, por të krijojë një hapësirë multifunksionale, ku të ketë mundësi për zhanre dhe gjini të tjera të teatrit. Nuk shoh tragjedi të madhe, fjala eksperimental hap vërtet debat dhe jam gati ta diskutoj me kolegët, por le t’i ndryshohet emri dhe të krijohet hapësirë”, tha Çuli, duke iu bashkuar mendimit të shumicës së deputetëve si Fatmir Toçi, Ylli Ziçishti, Alfred Peza, etj, që pranuan ndryshimin e emrit të Teatrit të Komedisë.

Shkrimi u publikua sot (12.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

E zezë apo indiane? Trump vë në dyshim identitetin racor të Harris, reagon Shtëpia e Bardhë

E zezë apo indiane? Trump vë në dyshim identitetin racor të Harris, reagon Shtëpia e Bardhë