Numri total i biletave të shitura nga aktivitetet kulturore është rritur me 57% duke rritur të ardhurat me 96%. Sipas ministrit Blendi Gonxhja, i cili e dha lajmin në konferencën për shtyp, kjo përkthehet në rreth 5 milionë e 970 mijë lekë të reja, një e dhënë që ai e nënvizoi.

Numri i pjesëmarrësve dhe i shfaqjeve është rritur paralelisht me 7%.

Gonxhja vlerësoi arritjet e teatrove ku ai Kombëtar ka rritje me 627% të biletave dhe 52% të ardhura. Ai nënvizoi edhe Cirkun Kombëtar, i cili pavarësisht kushteve, ka 117% më shumë bileta.

“Në Teatrin Kombëtar, kemi 627% më shumë bileta në 2 muajt e parë të vitit dhe 52% më shumë të ardhura. Teatri kombëtar, është e rëndësishme të bëjë shfaqje të nivelit të lartë. Në teatrin eksperimental 67% më shumë bileta dhe 155% më shumë të ardhura. 188% më shumë të ardhura në qendrën e kulturës për fëmijë. 591% më shumë të ardhura nga Cirku Kombëtar i cili edhe pse ende i pasistemuar përfundimisht, pa një qendër që të kryejë aktivitetin e vet për të cilin ne po punojmë në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, edhe në kushtet që jemi, Cirku Kombëtar ka 117% më shumë bileta”, tha Gonxhja.

Për Muzeun e ri Arkeologjik pranë sheshit “Nënë Tereza”, i cili do të jetë nëntokësor, tha se është “i munguar” dhe një mundësi që duhet mirëpritur. Gonxhja tha se projekti nuk kërcënon ambientet dhe hapësirat mbi tokë.

“Ka për të qenë një qendër e jashtëzakonshme kombëtare përtej vendit dhe është një mundësi që duhet mirëpritur. Fondi Shqiptar i Zhvillimit po punon për parkimin nëntokësor te ‘Nënë Tereza’ dhe i shton një gjë shumë të bukur që është një muze nëntokësor për artifaktet dhe gjetje arkeologjike. Nuk ka asnjë lloj kanosjeje ndaj ambienteve dhe hapësirave aktuale të Institutit të Arekologjisë apo UPT-së”, tha Gonxhja.

Për denoncimin e PD për transformimin e Gjirit të Manastirit, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, si pasojë e ndërhyrjeve të qëllimshme në procesin arkeologjik me qëllim favorizimin e interesave private, Gonxhja tha se nuk ka një përgjigje, por së shpejti mund t’i adresohet çështjes.