Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut kanë nisur punën për përgatitjen e kandidaturës që Prespa të bëhet pjesë e listës së UNESCO-s.

Blendi Gonxhja është takuar sot në Prespë me ministrat Linja Mendoni e Sedat Sulejmani, bën ai me dije përmes një postimi në rrjetet sociale.

Bashkimi Europian do të vërë në dispozicion 2 milionë euro për hartimin e studimit të fizibilitetit. Gjithashtu, projekti i përbashkët që financohet nga BE, ACT4PRESPA, bën bashkë institucionet e tre vendeve për konservimin, dixhitalizimin dhe promovimin e vlerave të kësaj pasurie.

Kandidatura synon zhvillimin e itinerareve të përbashkëta turistike dhe ekspeditave për njohjen e Prespës dhe Ohrit.

“Jemi sot në bashkinë e Prespës në Greqi, së bashku me homologët Mendoni nga Greqia, Ministre e Kulturës dhe Sulejmani nga Maqedonia e Veriut, Ministër i Kulturës dhe Turizmit, për të nisur një proces të përbashkët: përgatitjen e kandidaturës së këtij rajoni për përfshirjen në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Prespa na bashkon përmes natyrës, historisë dhe kulturës së saj. Duam ta mbrojmë këtë pasuri dhe të krijojmë më shumë mundësi për komunitetet që jetojnë këtu dhe më shumë turizëm të qendrueshëm. Bashkimi Europian do të vërë në dispozicion 2 milionë euro për hartimin e studimit të fizibilitetit për këtë kandidaturë trishtetërore.

Në pjesën shqiptare, restaurimi i pikturave murale në Kishën e Shën Marisë në Maligrad, ndriçimi i kishës dhe i shtegut, si edhe Shtëpia Muze e Sterjo Spasses në Gollomboç, kanë pasuruar ofertën kulturore dhe turistike të zonës.

Po kështu, projekti ACT4PRESPA, i financuar nga BE, bashkon institucione nga të tre vendet për konservimin, digjitalizimin dhe promovimin e vlerave të papërsëritshme të trashëgimisë së Prespës së Madhe e të Vogël. Duam gjithashtu të zhvillojmë itinerare të përbashkëta turistike, misione kërkimore e ekspedita për njohjen dhe promovimin e Prespës dhe Ohrit, krahas shkëmbimeve artistike, sportive dhe rinore me fqinjët tanë”, shkruan Gonxhja.

Njohja nga UNESCO mund të sjellë më shumë vëmendje ndërkombëtare ndaj Prespës, mundësi të reja për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë së saj, zhvillim të qëndrueshëm dhe turizëm me cilësi më të lartë.