Teatrot Antike Marin Haxhimihali:
MTKRS leje pa kriter për festivale

Teatrot Antike Marin Haxhimihali:<br />MTKRS leje pa kriter për festivale
TIRANE - Drejtori i Parkut Arkeologjik të Apolonisë, Marin Haxhimihali,pasi ka ndjekur debatin e hapur në “Shqiptarja.com” për mënyrën e parregullt të menaxhimit e teatrove antike dhe monumenteve që jepen në përdorim për festivalet dhe spektaklet nxjerr në dritë probleme të reja. Duke iu bashkuar zërave kritikë, në dy intervistat e mëparshme, të anëtarit të Forumit për Mbrojtjen e Monumenteve Auron Tare dhe të arkeologut Skënder Muçaj, theksohet që shteti dhe ministria duhet të bëjnë përpjekje për statusin e siteve arkeologjike dhe teatrove antike. Marin Haxhimihali është i mendimit se organizatorët e festivaleve detyrohen të japin 10 për qind, nëse kanë marrë leje për aktivitete.

Ndërsa argumenton se 10 përqindëshi duhet t’i shkojë monumentit për rivitalizimin, Haxhimihali rrëfen pasojat e gjithë këtyre viteve, ku si kriter ka mjaftuar vetëm një leje e ministrit të kulturës për menaxherët e festivaleve dhe spektakleve dhe nuk lidhet asnjë kontratë që aktiviteti t’i shërbejë realisht promovimit të vlerave të monumentit. Një nga rastet flagrante të abuzimeve që bëhen pas dhënies së lejes nga MTKRS ka qenë kur organizatorët e festivalit të xhazit në Apoloni kanë nisur të bëjnë edhe biznes me shitjen e coca cola-s në manastirin mesjetar. Marin Haxhimihali apelon për korrigjimin emergjent të statuseve që organizatorët të mos jenë vetëm përfitues, por edhe kontribuues në rivitalizimin e monumentit.
 
Zoti Marin, çfarë statutesh janë vendosur për dhënien e teatrove antike në përdorim për festivale dhe spektakle. Si veprohet në rastin e dhënies së teatrit në parkun arkeologjik të Apolonisë?
-Prej vitesh është vendosur si kriter i mjaftueshëm leja që është dhënë nga institucioni më i lartë, Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Mirëpo kjo nuk mjafton, sepse gjatë zhvillimit të këtyre aktivitetve nuk rezulton të jetë siti arkeologjik përfituesi. Organizatorët e marrin këtë leje në MTKRS, duke u justifikuar me promovimin e monumentit të kulturës, që të përfitojnë kredibilitete për veprimtarinë, por duhet të kishte një kontratë që këta organizatorë të mos jenë vetëm përfitues, por të detyrohen që të ndihmojnë për rivitalizimin dhe rinovimin e teatrove antike. Pra, në parim nuk ka gjë të keqe të zhvillohen aktivitete, por në statuset e atyre që lidhin kontrata ka shumë probleme që shtrohen për t’u zgjidhur. Kontrata në fjalë ekzistojnë, por edhe ato duhen rinovuar dhe bërë shumë korrigjime.
 
Çfarë korrigjimesh duhen bërë konkretisht në statusin e kontratave?
-Këto kanë të bëjnë me skemën e marrëveshjes dhe jo me spektaklet që zhvillohen. Korrigjimet duhen bërë në marrëveshjet që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me trashëgiminë që aktiviteti dhe projektet rivitalizuese dhe restauruese të jenë të lidhura ngushtë. Ministria i ka në dorë të dyja spektaklet dhe trashëgiminë dhe ajo nuk duhet të shpërdorojë një aspekt të rëndësishëm për të përfituar menaxherët e festivaleve apo koncerteve ose spektakleve të bukurisë. Ka shumë pak aktivitete ku siti arkeologjik përfiton, siç është ndonjë ekspozitë që vizitohet, por këto janë të rralla. Në përgjithësi organizatorët nuk e justifikojnë aktivitetin e tyre në këto site arkeologjike, duke krijuar ashtu siç duhet në të vërtetë një marrëdhënie origjinale dhe kjo marrëdhënie origjinale do të ishte kontribut për rivitalizimin, mirëmbajtjen.
 
Po kush i lejon ata ta përdorin, ccfarë të drejtash keni ju vet si drejtori i atij siti arkeologjik?
-Lejet vijnë nga Ministria e Turizmit dhe Kulturës dhe ne jemi të detyruar ta zbatojmë lejen e një institucioni më të lartë. Por ajo që dua të theksojë është se organizatorët që pajisen me këtë leje e përdorin sitin arkeologjik vetëm për qëllimet e organizimit të aktivitetit të tyre. Ata justifikohen se promovojnë monumentin, por tashmë kaloi faza e këtyre lloj reklamave. Tashmë kjo quhet një reklamë amatoreske, sepse nuk ka nevojë qyteti perandorak 2000-vjeçar të bëhet i njohur nga një festival xhazi. Ministria duhet të hartojë një strategji më konkrete, të vihen detyrime konkrete, por nga ana tjetër organizatorët të kontribuojnë dhe ky është promovim konkret.

Festivali i iso-polifonisë ku reklamohet Coca Cola
(Në foto: Festivali i iso-polifonisë ku reklamohet Coca Cola)

Cilat janë arsyet që kanë munguar strategjitë e tilla në MTKRS?
-Pikat themelore të kontratës ekzistojnë, por mungon një kontratë e sofistikuar, dhe nuk është bërë praktikë për t’u zbatuar duke vendosur marrëdhënie reciproke. Madje pasi ikin ata që zhvillojnë aktivitetin lënë pas mbeturinat dhe ne na duhet të pastrojmë edhe mbeturinat e tyre.
 
Po Instituti i Monumenteve të Kulturës a duhet të ndërhyjë në detyrimet mes atyre që bëjnë kontratat e dhënies së monumentit në përdorim?
-Ky institut ka vite që rri larg kësaj marrëdhënieje. Kjo është histori tjetër. Por mund të them se një leje e miratuar në Ministrinë e Turizmit dhe Kulturës e detyron administratorin e monumenteve ta zbatojë. Ne si drejtori jemi të detyruar të zbatojmë lejen që jep MTKRS-ja. Për çdo aktivitet ajo jep menjëherë leje. Ka pasur vetëm një rast që nuk ka dhënë leje, siç ishte ai që ministri Bumcci nuk i dha leje Aleancës Kuq e Zi, duke e quajtur organizim shumë politik.  
 
Nëse nuk gaboj, ju zoti Marin u shprehët se lejen e ministrisë nuk keni si ta kundërshtoni, por konkretisht për cilën nga këto leje nuk keni qenë dakord? 
-Unë nuk jam dakord me ato aktivitete që nuk kanë lidhje me promovimin e vlerave të monumenteve. Për shembull ne më mjediset e kishës kemi organizuar vetë një koncert me muzikë barok, por krahas këtij koncerti kemi promovuar librin e Leon Reit me kujtime për gërmimet në Apoloni. Pra ne nuk duhet të lejojmë thjesht shfaqje që i bëjnë nder organizatorit. Shumica e aktiviteteve që janë bërë kanë një logjikë pragmatiste. Për shembull ç’lidhje ka një festival xhazi që të jepet në një manastir mesjetar. Por sikur të mos mjaftonte ky absurditet, ne u ndeshëm me një fenomen të mbrapshtë organizativ, ku nisën të shisnin coca cola brenda manastirit. Këto të ndalohen. Monumente nuk janë për veprimtari tregtare. Pra, ka ardhur koha të përpunohet rregullorja tip, duke marrë shembuj nga bota, sepse janë bërë aktivitete me mijëra dhe fitimi ka qenë absolut i organizatorëve. Të mos përmendim pastaj rastet ku në disa kala dhe monumente pas aktivitetit hidhen edhe fishekzjarrë.
 
Ka një shumë konkrete që duhet të japin ata që marrin teatrot në përdorim?
-Ka disa variante ligjore ku siti duhet të përfitojë. PO të marrim shembullin e Francës dhe të Italisë organizatorët japin 10 për qind, por këta organizatorët tanë këtu në Shqipëri justifikohen me faktin se aktiviteti nuk është fitimprurës. Në fakt kjo s’është e vërtetë, por duhet dikush tjetër të verifikojë përfitimet e tyre.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 31.07.2013
 
Redaskai Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri