TEC-i i Fierit, abuzimi më
i ri i qeverisë me 1 euro

TEC-i i Fierit, abuzimi më <br />i ri i qeverisë me 1 euro
Debatet mbi korrupsionin ku dëmtohet haptazi interesi publik, si në lotarinë kombëtare, apo mbi vendimet antikombëtare për privatizimin e shoqërise Albpetrol Sh.A, janë çështje që kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Çdo sektor strategjik, çdo burim natyror e pasuri kombëtare po plaçkitet nga makutëria e pushtetareve. Çdo ditë shikon si përvetësohen haptazi, në mes të ditës e pa kurrfarë ndrojtjeje apo frike, pasuritë publike me vlera të mëdha, pasuri këto të vëna nga kontributi për shumë vite pune nga të gjithë shqiptarët. Në vazhdën e gjithë këtyre vjedhjeve, nuk kishte si të mos i vinte rradha dhe TEC-it të Fierit, një prej veprave më të mëdha energjetike në vend, ndërtuar në fund të viteve '60. Pasi e grabitën për ta shitur për skrap ish-Azotikun dhe nje pjesë të TEC-it Fier, qeveria ka vendosur të ndryshojë mënyrën e plaçkitjes, duke ofruar TEC-in e Fierit me koncension për 35 vjet.
Koncensioni është një formë privatizimi, ku investitori duhet t'ia dorëzojë veprën publike shtetit shqiptar pas një periudhe kohe që përcaktohet që në kontratën koncesionare. Gjatë kësaj periudhe - në rastin e TEC-it të Fierit, për 35 vjet - investitori (koncensionari) duhet të ketë shlyer investimin që ka kryer dhe të ketë siguruar fitimin e pritshëm nga ky investim.
TEC-i i Fierit me kapacitet prodhimi 159 MË (megavat) nga viti 2007 nuk funksionon. Ai zë një hapësire prej 15 ha dhe ndodhet pranë qytetit të Fierit. Si lëndë të parë për të prodhuar energjinë ka përdorur lëndën djegëse mazut, të cilën e siguronte nga UPN Fier, tashmë e privatizuar si pjesë përbërëse e shoqërisë ARMO. Gjendja aktuale teknike le për të dëshiruar, mbi 90% e paisjeve nuk funksionojnë dhe nuk kanë mundësi rehabilitimi. Të gjitha repartet kryesore, si repartet e turbinave, e kaldajave dhe reparti kimik, janë jashtë funksionit dhe tejet të amortizuara, e shkruar dhe në dokumentat e tenderit.
Qëllimi, sipas qeverisë, që TEC-i i Fierit do të jepet me koncension është ndërtimi i një termocentrali, ku kapaciteti i prodhimit të jetë jo më pak se 159 MW dhe sasia minimale e energjisë së prodhuar në një vit duhet të jetë 1.3 TWh ose 1.3 miliard kWh. Te gjitha njësitë gjeneruese dhe transmetuese të termocentralit duhet të jenë të reja. Një nga kërkesat e entit prokurues është që njësitë gjeneruese të termocentralit duhet të ketë mundësi të prodhojë energji duke shfrytëzuar më shumë se një burim energjie (lëndë të parë); një burim nënprodukt nafte dhe tjetra gaz.
Cila është arsyeja e vërtetë që qeveria jep me koncension TEC-in e Fierit? Është ndërtimi i një vepre energjetike pranë qytetit të Fierit që do të shkaktojë probleme mjedisore për gjithë zonën e Fierit apo është një hile e radhës për të grabitur këtë pasuri publike?
Përgjigja e këtyre pyetjeve gjendet në faktet e mëposhtme:
Qeveria organizon një tender kombëtar, edhe pse e di që asnjë subjekt shqiptar nuk është në gjendje të plotësojë kërkesat që janë shpallur në dokumentat e tenderit. Sigurisht, kjo nuk përjashton pjesëmarrjen në tender të subjekteve të huaja, por mund të jenë, ose subjekte të njoftuara nga qeveritarët apo përfaqësuesit e tyre, ose nga subjekte shqiptare që kërkojnë të bashkëpunojnë me subjektet e huaja. Por, për këto të fundit koha është e pamjaftueshme, pa bërë fjalë për pengesat e tjera, që lidhen me seleksionimin politik të subjekteve.
Të gjithë këtë pasuri publike qeveria do ta japë vetëm me 1 euro, ku përfshihet një sipërfaqe toke prej 15 ha, si dhe ndërtesat e paisjet ekzistuese (hekurishte për skrap) të TEC-it të Fierit. Sot TEC-i i Fierit, me gjendjen aktuale të amortizuar, ka një vlerë dhjetëra milionë euro, ku përfshihet vlera e tokës prej 15 ha dhe vlera e hekurishteve që do të shiten për skrap.
Nëse qeveria e shet këtë pasuri publike, përfiton miliona euro (sipas specialistëve që kanë punuar në TEC, vlera mund të shkojë në 30 milionë euro), para që mund t'i përdorin për të investuar në vepra publike të mëdha, ta kthejë këtë zonë të ndotur në zonë kreative për qytetarët e Fierit, të zgjidhë problemin e Gjanicës apo të shtrojë të gjithë rrugët e Qarkut të Fierit. Gjithë paratë nga shitja e skrapit i përfiton koncesionari. Përfitimi që shteti fiton nga dhënia me koncension është vetëm 1 euro.
Pse shteti nuk e shet vetë skrapin dhe pastaj të shikojë mundësinë për ta dhënë me koncension apo për të kryer një investim tjetër publik në këtë sipërfaqe?
Qeveria justifikohet se po e jep me koncension për të ndërtuar një vepër energjetike ku do të prodhohet energji dhe do të punësohen me dhjetëra njerëz. Sot në TEC-in e Fierit punojnë 32 persona dhe një TEC me teknologji bashkëkohore do të kërkojë pak a shumë të njëjtin numër punonjësish.
Por çfarë efektesh ka kryerja e këtij investimi te grupet e interesit që janë pjesë dhe preken nga ky investim, për sistemin elektroenergjetik ne Shqipëri?
Sasia minimale e energjisë së prodhuar nga TEC-i i ri i Fierit për një vit duhet të jetë 1.3 TWh ose 1.3 miliard kWh, ose 15-20% e prodhimit total në vend. Por një nga elementët më të rëndësishëm sot, për të cilinn vlerësohet investimi, është kostoja e prodhimit për një kilovatorë dhe sa ndikon ajo për të ofruar shërbime te qytetarët me kosto sa më të ulëta. Panoramën më të plotë e më reale e krijojmë kur e krahasojmë me koston e prodhimit për 1 kËh që prodhohet në TEC-in e Vlorës. Sipas ERE (Enti Rregullator i Energjisë), në parashikimin që ka bërë për tarifat për vitet 2012-2014, kostoja për 1 kWh të prodhuar në TEC-in e Vlorës është 21.3 lekë, 20 herë më shtrenjtë se kostoja e prodhimit në HEC-et e kaskadës së Drinit dhe 3 herë më shtrenjtë se çmimi i importuar për kilovatorë që parashikohet për këto vite. Sipas vetë dokumentave për koncension, në udhëzime për ofertuesin, vlerësohet se, që të prodhohet 1 kWh energji te TEC-et bashkohore, duhet 125-150 gram lëndë djegëse (nënprodukt nafte ose gaz). Çmimi sot në tregun vendas për 1 kg lëndë djegëse që mund të përdoret për TEC-e është jo më pak 110 lekë të reja. Për të prodhuar 1 kWh energji elektrike, kostoja vetëm e lëndës së parë është minimalisht 14 lekë. Nëse do të futen dhe kostot e tjera në aktivitetin e përditshëm, si shpenzime për personelin, amortizimin, lëndën djegëse rezervë, pagesat e interesave të kredisë që do të merret për këtë investim, koston e parasë së përdorur nga kapitali i vetë investitorëve, blerje materiale dhe produkte të ndryshme, kosto mirëmbajtjeje etj., atëherë kostoja për të prodhuar 1 kilovatorë do të shkojë mbi 18 lekë, afër kostos që ka TEC-i Vlorës (21.43 lekë për kWh). Çmimi i naftës parashikohen që të rritet (për shkak dhe të pakësimit të rezervave), rrjedhimisht do të sjellë edhe rritjen e kostos për prodhimin e energjisë elektrike në TEC-in e Fierit.
Çfarë do të ndodhë me koston e sistemit të prodhimit të energjisë në vend, që menaxhohet nga ERE, me ndërtimin e TEC-it të Fierit? Me një kosto rreth 18 herë më të lartë se kostoja mesatare e sistemit (energjisë që prodhohet në vend) dhe duke përbërë 15-20% të prodhimit total në vend, ndërtimi i TEC-it të Fierit e katërfishon koston e sistemit elektroenergjetik për të prodhuar një kËh energji.
Për konsumatorin në përgjithësi dhe banorët e Fierit në veçanti
katërfishimi i kostos së sistemit do të sjellë efekte zinxhir me çmime më të larta për konsumatorin në të ardhmen. Kostoja e ndërtimit të TEC-it të Fierit, pasi të vidhet e të shitet për skrap i vjetri, do të shkojë te qytetari.
Banorët e Qarkut të Fierit jetojnë në një mjedis shumë të ndotur. UPN Fier, Azotiku, TEC-i, lumi Gjanica apo dhe prania e zonave naftëmbajtese e kanë bërë Qarkun më të ndotur në vend. Nga ndërtimi i TEC-it qytetarët shqiptarë do të paguajnë më shumë për energjinë elektrike dhe në veçanti ata të Fierit do të jetojnë në një ambient më të ndotur.

Për investitorin
Që të ndërtosh sot një TEC prej 159 MW me dy linja të lëndës së parë (nënprodukt nafte ose gaz) duhet një investim rreth 150 milionë euro. TEC-i i Vlorës me fuqi 97 MW kushtoi mbi 100 milionë euro. Një investitor që të ndërmarrë këtë lloj investimi duhet që, për 35 vjet, të shlyejë investimin e kryer dhe të sigurojë një fitim të pranueshëm që ta justifikojë këtë investim.
Sipas dokumentave të tenderit, shteti shqiptar garanton që të blejë energjinë elektrike për 10 vjet me një çmim të fiksuar midis palëve (që nuk merr në konsideratë koston e prodhimit). Mbas mbarimit të periudhës 10-vjeçare, investitori do ta ketë pothuajse të pamundur të shesë energjinë me një kosto kaq të lartë, që është sa trefishi i çmimit të energjisë që parashikohet të importohet në të ardhmen.
Një investitor potencial, nëse ka para të lira, mund të investojë shumë më mirë dhe mund të sigurojë më shumë fitim nëse investon në ndërtimin e HEC-eve qofshin dhe shumë të vegjël (kostoja e ndërtimit për të prodhuar 1 MWh, është afërsisht e njëjtë si për HEC-et dhe TEC-et, rreth 1 milion euro, ku kostoja e prodhimit të energjisë është rreth 15 herë më pak.
TEC-i i Vlorës, që është në varësi të KESH-it, ka punuar shumë pak në krahasim me kapacitetin që ka, për shkak të kostos së lartë për të prodhuar energji. Ai është vënë në punë vetëm në situata alarmante, kur nivelet e HEC-eve të kaskadës së Drinit kanë qenë në nivele kritike. Nesër KESH-i, pas mbarimit të kontratës 10-vjeçare, nuk do të ketë më detyrim ligjor të blejë energji nga TEC-i i ri i Fierit, sigurisht që do të blejë energji atje ku e gjen më lirë dhe nga importi. Pra, pas 10 vjetësh, TEC-i i ri i Fierit nuk mund të funksionojë, se nuk ka kush t'ia blejë energjinë e prodhuar. Cili është ai investitor që shpenzon më shumë se 150 milionë euro për një kontratë 35-vjeçare, por që funksionon që në hapat e para vetëm për 10 vjet? Askush, veç atyre që duan të pastrojnë para.

Për shtetin
Sot TEC-i i Fierit, me gjendjen teknike të shkatërruar, kushton rreth 30 milionë euro dhe qeveria do ta japë me 1 euro. Do të ishin rreth 20 milionë euro nga shitja e skrapit që do të mungojnë në buxhetin e shtetit, ku qeveria mund t'i përdorte në shërbim të qytetarëve për investime publike, apo mund t'i përdorë për të dëmshpërblyer ish-pronarët apo dhe të përndjekurit politikë.
Por, përveç efekteve negative që ka ndërtimi i TEC-it tek grupet e interesit, po të vëresh dokumentat që janë publikuar, dalin shumë problematika të tjera, që nuk mund të ofrojnë investitorë potencialë për të ndërtuar TEC-in në Fier, me fuqi më të madhe se ekzistuesi dhe me garanci për dy linja të furnizimit me lëndë të parë.
Investitori që kualifikohet për t'u vlerësuar duhet të ketë një marrëveshje afatgjatë për furnizimin me lëndë të parë, jo më pak se 10 vjet nga një furnizues që duhet të konsiderohet serioz. Në pozicionin që ndodhet TEC-i i Fierit, është e pamundur për të siguruar garanci për këtë. Mundësitë për sigurimin e lëndës së parë janë dy, nga prodhimi i vendit ose nga importi.
Nga prodhimi i vendit mund të pretendohet që furnizimi me lëndë të parë të bëhet nga shoqëria ARMO Sh.A. nëpërmjet UPN Fier por kjo ka dy probleme. Së pari, shoqëria ARMO është problematike pasi i ka detyrime në miliona euro shoqërisë publike Albpetrol (50 milionë USD), Bankers Petroleum-it (30 milionë USD), si dhe buxhetit të shtetit. Së dyti, për të prodhuar minimalisht 1.3 TË duhen 195.000 ton lëndë djegëse (1.3 TWh = 1.3 X 1.000.000.000 = 1 300.000.000 kWh X 150 gram për prodhimin e 1 kWh). Po të llogaritet dhe pjesa e rezervës, duhen rreth 250.000 ton lëndë djegëse. Me prodhimin e naftës bruto sot, me kapacitetet përpunuese të UPN dhe gjendjen teknike të saj, është e pamundur që të sigurohet vazhdimësia e furnizimit me lëndën e parë që kërkohet për të prodhuar sasinë minimale.
Mundësia e dytë është sigurimi i lëndës së parë nga importi. Infrastruktura ekzistuese e shndërron këtë mundësi në të pamundur për shkak të rritjes së metejshme të kostos nga magazinimi në Vlorë dhe transporti automobilistik nga Vlora në Fier.
Ideja që mund të mbrohet se mund të përdoret edhe gazi natyror nga TAP (gazsjellësi) është ende hipotetike, se ende nuk kemi sigurinë që kjo do të kryhet, por dhe në të ardhmen gazi natyror, si dhe nafta bruto, ka tendenca të ketë çmime më të larta në tregun botëror.
Sipas dokumentave të publikuar nga Enti Prokurues, garancia e kontratës mund të bëhet dhe me policë sigurimi. Kjo mund të jetë më shumë risk nesër, pasi kompanitë e sigurimit që mund të kenë dhënë garancinë, mundet dhe ta kenë të vështirë të kenë kaq shumë likuiditete.
Deri tani nuk është bërë asnjë konsulte me pushtetin vendor, me banorët e zonës, me grupet e interesit atje, pasi do të ketë ndikime në mjedis dhe në jetesën e qytetarëve. Nuk është paraqitur asnjë studim fizibiliteti, madje TEC-i i Fierit ka qenë pjesë edhe e vlerësimit kur u ndërtua TEC-i i Vlorës, por nga analizat ekonomiko financiare që janë bërë nga institucione financiare ndërkombëtare ndërtimi i TEC-it në Vlorë ishte me efektiv se ndërtimi i tij në Fier.
Por cila është aryseja e vërtetë që TEC-i i Fierit po jepet koncension?
Qeveria do të përpiqet të justifikojë faljen e TEC-it të vjetër për t'u shitur për skrap se me TEC-in e ri se do të prodhohet energji, do të përmirësohet raporti midis energjisë hidrike dhe asaj termike, do të punësohen disa njerëz më shumë, do të ndikojë në përmirësimin e bilancit tregtar të vendit etj etj., demagogji për të krijuar opinione pozitive në publik, por në të vërtetë ajo është vepra korruptive e rradhës e kësaj qeverie plaçkitëse e antikombëtare.
Koncesioni do të përdoret si një mbulesë ligjore për të përfituar para nga shitja e skrapit, të cilin e blen vetëm me 1 euro.

*Deputet i PS në Kuvendin e Shqipërisë

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë