Deklarata e Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç, për hapjen në Shkodër të Konsullatës serbe, ka ditë që ka zgjuar reagime të shumta. Në përgjigje të propozimit tonë për hapjen e një Konsullate në zonën e Preshevës, Serbia ka kërkuar të njëjtën gjë për palën e vetë. Ministri i Europës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, në zjarrin e retorikave të ndezura nga ky lajm, disa herë ka qartësuar se veprimet konkrete për këtë do të ndërmerren kur të bihet dakord nga të dy vendet, larg emocioneve, me frymëmarrje europiane.

Këto reagime në vend më sjellin gati të njëjtën situatë shpërthyese të tridhjetë e tre viteve më parë, kur unë u emërova Përfaqësues i parë diplomatik i  Shqipërisë në Shkup, edhe pse rasti që do të sjell nuk është plotësisht në të njëjtat rrethana me atë të mësipërmin:

Pas shpërbërjes së ish shtetit jugosllav, më 8 shtator 1991, ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, pranuar me këtë emër të përkohshëm (Former Yugoslav Republic of Macedonia – FYROM), si anëtare e 181-të e OKB-së, shpalli pavarësinë e saj, duke shënuar divorcin me Beogradin, radhitur në krah të Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës, të cilat ishin shkëputur nga Federata Jugosllave.

Shqipëria ishte e interesuar për marrëdhëniet me shtetin e ri të posakrijuar. Nga ana tjetër, shpallja e Maqedonisë shtet i pavarur po kalonte jo pa shqetësim te ndërkombëtarët, të cilët i trembeshin konflikteve që lidheshin me ndarjen territoriale, çorientimit të përpjekjeve për stabilitet të qendrueshëm të vendeve të rajonit tonë. Maqedonia kërkoi që numri dy i ambasadës jugosllave, si maqedonas, i cili pas shkëputjes largohej nga ambasada, të vazhdonte mandatin e tij në Tiranë, por tani si përfaqësues i shtetit maqedonas. Për reciprocitet, këtë do ta bënte edhe pala shqiptare. Ishte këmbëngulja e drejtë e Ministrit të Jashtëm Alfred Serreqi, një intelektual par excellence, njohës i mirë i çështjes shqiptare dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare, edhe pse vinte nga një fushë tjetër, ajo e mjekësisë, që gjeti mbështetjen e duhur të qeverisë. U shmang çdo paragjykim, që do të shfaqej dhe më vonë në debatin për njohjen e shtetit maqedonas, se po tradhëtoheshin interesat e mbi 35 për qind të shqiptarëve që jetojnë në këtë republikë dhe merreshin në konsideratë qendrimet antishqiptare të qeverisë maqedonase… Grupe shqiptarësh nga Maqedonia kërkonin për këtë takime urgjente me anëtarë të qeverisë shqiptare, me përfaqësuesin diplomatik të Shqipërisë në Shkup, duke shprehur protestën e tyre.

Koha iu dha të drejtë qendrimeve të matura të qeverisë shqiptare në këtë drejtim. Konsullata u hap menjëherë, më 2 shkurt 1993, sikurse njohja e Maqedonisë nga Shqipëria më 26 prill 1993, duke qënë nga vendet e para që e njohën atë si shtet të pavarur, në dobi të paqes në rajon dhe pa asnjë kompleks ndaj integritetit territorial dhe identitetit të saj. E tërë kjo nuk e zbehu aspak interesin e qeverisë shqiptare për të drejtat e popullit shqiptar në vendin fqinj. Përkundrazi. Marrëdhëniet tepër të ndjeshme midis dy vendeve janë mbështetur dhe inkurajuar vazhdimisht.

Pas kësaj paralele, sigurisht, vetëm për ato ngjashmëri ku puqen, hapja e Konsullatës serbe në Shkodër po ndjehet si një zjarrmi e madhe. Çfarë do t’i rrezikonte Shqipërisë? Rritjen e ndikimit të Beogradit në vendin tonë? Gjepura.

Pavarësisht problemeve të njohura që ekzistojnë midis dy vendeve, hapja e Konsullatës sonë në Luginën e Preshevës flet shumë. Madje, është një kërkesë e hershme me zgjidhje të vonuar, për të qënë më pranë njerëzve tanë, interesave të tyre. Pavarësisht ambasadës sonë në Beograd, ndryshe të jesh në kontakt të përditshëm me ta të halleve dhe shqetësimeve të tyre.

Reciprociteti, nga ana tjetër, është i qartë në marrëdhëniet midis vendeve, mjet i rëndësishëm që ndihmon në progresin e marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale. Luajtja e këtij roli nuk mund të jetë i njëanshëm për vetë ngarkesën që ngërthen. Ndryshe, ky instrument i rëndësishën nuk do të thirrej “reciprocitet”, si parim i njohur në rastin konkret, në diplomaci.

Interesi ynë i shpjegueshëm, siç u shprehëm, e kërkon hapjen e saj.  Pra, arësyet janë të qarta dhe nuk ka pse të hezitohet dhe as të bëhemi robër të paragjykimeve në emër të atij lloji “patriotizmi arkaik” apo se po “tradhëtojmë interesat e vendit”. Lerini mënjanë ata. Le të vetëkënaqen me shpikjet në habitatin e pandarë të tyre. Nuk është hera e parë për ta. Ndërkohë, ky angazhim diplomatik, sikurse përsërit kryediplomati shqiptar, nuk zbeh aspak ndjeshmërinë ndaj Kosovës, siç shfaqen të mësipërmit. Dhe kjo ndjeshmëri mbetet e patundur, duke u ushqyer me kontakte të gjalla nga brezi në brez.

Atëherë, drojë nga se? Ndaj kësaj Konsullate “gogol”? Dihen detyrat e Konsullatës së Përgjithshme. Pavarësisht funksionalitetit të saj të kufizuar. Asnjë fuqi tjetër të detyrave të një institucioni konsullor, që si mision të vetin ka problemet konsullore, sikurse përcaktohet nga e drejta ndërkombëtare.