'Tejdukshmëri ekzistenciale', ekspozita personale e Krist Dimos në Tiranë! Liria dhe shprehja personale në shoqërinë moderne

'Tejdukshmëri ekzistenciale', ekspozita personale e Krist Dimos në Tiranë! Liria dhe shprehja personale në shoqërinë moderne

Foto nga ekspozita 'Tejdukshmëri ekzistenciale'

“Tejdukshmëri ekzistenciale” titullohet ekspozita personale e piktorit Krist Dimo, e çelur në Qendrën për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë në Tiranë. Ekspozita, e cila si lajtmotiv të saj ngjan se ka disa vargje të kantautorit të njohur italian Fabrizio de André shqyrton ndikimin e shoqërisë moderne dhe postmoderne, duke ofruar një përvojë vizuale që është njëkohësisht edhe një përvojë mendore dhe emocionale për shikuesin.

“Nëse do t’u jepja një titull paralel portreteve, trupave dhe qenieve të Krist Dimos, ai do të ishte “Të gjithë janë të palumtur”!  Puna e tij është një kërkim për të kuptuar natyrën e ekzistencës njerëzore, që shpesh është e mbushur me tensione dhe kontradikta, konflikte të brendshme dhe të jashtme, por gjithashtu është një hapësirë e pafund mundësish.”, - thotë drejtoresha e Qendrës për Hapje dhe Dialog- COD, Jetona Koçibelli, e cila është njëkohësisht edhe kuratore e ekspozitës.

Figurat e Dimos e urrejnë fasadën; ata “ulërasin” të vërtetat e tyre lakuriqe  dhe krijojnë një fjalor unik të karakterizuar nga imazhe të përsëritura, koka njerëzore me gojë hapur si të ishin duke folur, një shumëllojshmëri shenjash dhe kolazhesh të çuditshme.

Fytyrat e njeriut të mbytur, si kafka, me sy bulbozë, hundë të lyer dhe dhëmbë të dukshëm, si dhe skicat anatomike, përshkruajnë devizën e artit të tij. Kanavacat e mëdha të Dimos vibrojnë me ngjyra, shenja, forma dhe tekste.

“Veprat e Dimos janë më shumë se thjesht imazhe; ato janë një thirrje për reflektim dhe një mundësi për të menduar për botën që na rrethon dhe rolin tonë brenda saj. Ai krijon një hapësirë që na fton të ndalemi, të gërmojmë më thellë dhe të shohim realitetin përtej sipërfaqes. Puna e tij shpesh pasqyron një ndjenjë të kërkimit të vazhdueshëm, një kërkim për kuptimin e vetes dhe të botës, dhe një përpjekje për të kuptuar se si lidhemi me natyrën, me njëri-tjetrin dhe me pasojat që sjell koha.  Secila prej veprave të këtij artisti sinjalizon zbrazëtinë, duke habitur në shprehjen universale të formës njerëzore ndjenjën largpamëse të qenies. Piktura e tij është e çiltë. Fundja, arti nuk lind nga arsyeja, por nga mungesa e saj,  prandaj edhe “marrëzia” është e pranishme.”, - vijon Koçibelli.

Në shumë prej veprave të tij, Dimoja eksploron ndikimin e shoqërisë moderne e postmoderne tek individi, duke shqyrtuar aspektet e identitetit, të lirisë dhe të shprehjes personale.

Në këtë ekspozitë, puna e Krist Dimos fton shikuesin të përjetojë një rrugëtim pamor, që është gjithashtu edhe një përvojë mendore dhe emocionale. Ajo është një ftesë për të menduar, për të kërkuar dhe për ta parë botën në mënyra të reja. Puna e tij është një dëshmi për fuqinë e artit për të hapur mendjet dhe zemrat e njerëzve, duke na ofruar një mundësi për ta parë dhe për ta kuptuar veten tonë më thellë dhe më plotësisht.

Ekspozita është hapur për publikun nga data 11 janar dhe do të qëndrojë deri më 14 shkurt 2025.

Kush është Krist Dimo

Krist Dimo lindi në Durrës, në vitin 1956. Përpara vitit 1991, orientimi i tij ndaj pikturës ishte pothuajse jo formal. Talenti dhe stili i tij autodidakt e udhëhoqi në këtë periudhë. Pas vitit 1991, duke emigruar në Itali (Foggia) mund të flasim për një periudhë të vërtetë formimi, duke iu përkushtuar krejtësisht pikturës. Kjo falë Prof. Dario Damatos (Drejtor i Akademisë së Arteve Foggia 1988-2000), i cili i krijoi kushtet për të punuar dhe për t’u zhvilluar. I gjithë qëndrimi 10-vjeçar i tij në Itali ishte mjaft produktiv dhe shërbeu si bazë e prodhimtarisë së tij artistike (kuadrot e kësaj periudhe janë në një koleksion privat në Romë).

Ka marrë pjesë në “Ekspozitat e nëntorit” në Galerinë Durrës, si dhe në Galerinë Kombëtare (Tiranë, 1982). Pas “Onufri 2000”, Tiranë, e gjithë prodhimtaria i përket periudhës 2015-2024. Së fundmi ka qenë pjesëtar i Fedac Found Brussels, Hambly end Hambly dhe galeria Kiro Group C Irlande, si dhe Eine Art Galery.

B.G/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

U ekzektua në Novoselë, Kristjan Marku ishte nip i Martin Bardhit të vrarë në shtator 2023 më Rrëshen

U ekzektua në Novoselë, Kristjan Marku ishte nip i Martin Bardhit të vrarë në shtator 2023 më Rrëshen