TIRANE - Policia po nxjerr nga banesa 3 familjet e mbetura ende pa dalë tek ish çerdhja 36 pranë 21 dhejtorit. Sot ishte afati i fundit për lirimin e banesave dhe policia nisi evakuimin.

Familjarët nuk po bëjnë rezistencë dhe lirimi i tyre po vazhdon normalisht.Kryefamiljarët e këtyre 3 banesave kërkuan kohë që të dilnin nga shtëpia pasi të merrnin kredinë.

“Ujdia ishte që të marrësh kredinë dhe do lirosh shtëpinë, do ikësh direkt te shtëpia.  Më 31 janar pronarja më tha se do dal përjashta, sa të marrë kredinë. Unë jam pa siguracione, nuk marr dot kredi. S’kam ku të shkoj se po të qe do kisha ikur”- tha një banore në një prononcim për Tv A1 REPORT.

Më 8 janar 12 familjet që banonin në godinën e njohur si ish çerdhja nr 36 përjetuan orë tensioni pasi përfaqësues të policisë private dhe të përmbarimit privat shkuan për ti larguar nga banesa. Familjet bënë rezistencë me pretendimin se ishin në proces legalizimi. Pas 10 orë tensioni u arrit një marrëveshje mes pronares dhe banorëve të kësaj shtëpie. U vendos që për 6 muaj pronarët do të paguajnë qeranë e shtëpisë ku do të jetojnë këto dy familje, ndërsa njoftuan faktin se shteti i ka siguruar kredi me interes zero. Sipas pronarëve, 9 familje të tjera pranuan të dilnin paqësisht nga banesa, por 3 familje nuk dolën pasi pretendonin se nuk kishin ku të shkonin.

Me një operacion të organizuar sot punonjës të përmbarimit privat por dhe të policisë private liruan banesat e mbetura duke ia kthyer pronarit të ligjshëm, sipas aktit normativ të marrë nga vetë qeveria.

Redaksia online

(sg/shqiptarja.com)