Zgjedhja e një senatori të vetëm të parlamentit të një shteti, Teksasit, me një mandat prej vetëm 11 muajsh (zëvendësim deri në fund të mandatit të një politikani që ka kaluar në një detyrë tjetër) do të duhej të ishte një ngjarje lokale, e parëndësishme për Amerikën, shkruan Corriere della Sera. Por në vend të kësaj, zgjedhja në qarkun e Fort Worthit e demokratit Taylor Rehmet vë në alarm anëtarët republikanë të Kongresit kudo, të cilët prej kohësh varen nga një fije: ata kanë frikë se do ta humbasin vendin e tyre në zgjedhjet e mesit të mandatit të nëntorit të ardhshëm.
Të alarmuar nga një seri humbjesh në zgjedhje të ndryshme lokale gjatë vitit 2025, republikanët ishin angazhuar fort për kandidaten konservatore Leigh Wambsganss: ajo kishte financime elektorale dhjetë herë më të larta se Rehmet (736 mijë dollarë kundrejt 70 mijë) dhe u mbështet jo vetëm nga guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, por edhe nga vetë Donald Trump, i cili ndërhyri dy herë për ta mbështetur dhe për të ftuar votuesit MAGA të votonin të bashkuar për të.
Këto masa dukeshin të tepruara: ky qark i Teksasit është historikisht konservator; këtu, 15 muaj më parë, Trump fitoi zgjedhjet presidenciale me një diferencë prej 17 pikësh. Por frikërat rezultuan me bazë: Rehmet, 33 vjeç, një sindikalist që punon në fabrikën e Lockheedit ku prodhohen avionët luftarakë F-35 dhe një veteran i Forcave Ajrore, jo vetëm që e mundi Wambsganssin, por e bëri këtë me një diferencë të madhe: 57% kundrejt 42%.
Kjo është humbja me përmasa më të mëdha që e djathta ka pësuar muajt e fundit, një e djathtë që ka humbur tetë vende të cilat i janë marrë nga demokratët (të cilët nuk kanë humbur asnjë): në Pensilvani, fituesi i majtë kishte rikuperuar 16 pikë krahasuar me votën presidenciale për Trumpin; në Georgia 14, ndërsa në dy qarqet e Ioëas madje 22 dhe 25. Në Teksas, Rehmet ka fituar plot 32 pikë më shumë krahasuar me rezultatin që kishte marrë Kamala Harris kundër Trumpit.
Me fjalë, e djathta e minimizon: Wambsganss do ta sfidojë sërish Rehmetin në nëntor dhe premton se do të jetë shumë më luftarake. Për më tepër, zgjedhjet plotësuese nuk duhen marrë gjithmonë si një tregues domethënës i gjasave.
Ajo e Teksasit, e mbajtur në periudhën më të ftohtë të vitit, në janar gjë shumë e rrallë në SHBA dhe të shtunën në vend të të martës së zakonshme, një tjetër anomali, mund të mos jetë një barometër i besueshëm. Por në fakt është, dhe jo vetëm sepse konfirmon prirjen e shfaqur në votime të tjera të fundit: po bien edhe sondazhe që tregojnë një rritje të mospopullaritetit të Trumpit për shkak të ecurisë së ekonomisë dhe, pas dhunës së milicive antiemigrantë të ICE-s, edhe për fushatën brutale kundër punëtorëve të huaj.
Krahas matjeve të shumta të javëve të fundit, tani i shtohet edhe ajo e Pew Center, një institut autoritar dhe i pavarur: amerikanët që e miratojnë presidencën e Trumpit bien nga 40% në 37%, ndërsa ata që e kundërshtojnë rriten në 61%. Vetëm një e katërta e 8.500 të anketuarve (27%) miraton shumicën e gjërave të bëra nga presidenti, ndërsa ata që përgjigjen “pak ose asnjë” janë 52%.
Vlerësime negative, dhe në përkeqësim krahasuar me hetime të mëparshme, ka edhe për shëndetin fizik dhe mendor të Trumpit, si dhe për aftësinë e tij drejtuese. Shifrat më të ulëta lidhen me respektimin e demokracisë dhe të vlerave etike.
Ndoshta gjëja më e rëndë për strategët elektoralë republikanë është humbja e mbështetjes mes hispanikëve: Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë edhe sepse fitoi pothuajse gjysmën e votës latine (46%), e cila më parë ishte kryesisht demokrate, kurse tani ka rënë në 38%. Ata e kishin braktisur Bidenin për shkak të ekonomisë dhe çmimeve shumë të larta.
Me Trumpin nuk po shkon më mirë, ndaj 69% e vlerësojnë negativisht për menaxhimin e inflacionit. Po rritet edhe irritimi për ofensivën anti-emigrantë: edhe hispanikët me dokumente të rregullta donin ndalimin e fluksit të emigrantëve të paligjshëm dhe dëbimin e kriminelëve, por ICE po ndjek këdo që ka lëkurë ngjyrë ulliri. Demokratët tani mendojnë se mund t’i fitojnë zgjedhjet e nëntorit, nëse ato do të zhvillohen në mënyrë të rregullt, pa ndërhyrje dhe pengesa. Gjë që nuk është e sigurt, duke pasur parasysh qëndrimin e qeverisë dhe deklaratat e Trumpit.
Komente









