Ministrja e Arsimit shton se “pjesa dërrmuese e imazheve të shpërndara në rrjetet sociale gjatë këtyre ditëve, ose nuk janë pjesë e sistemit arsimor parauniversitar ose janë të manipuluara”.
Ndërkaq, ky institucion ka krijuar një adresë të posaçme elektronike: [email protected] ku të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit të mund të dërgojnë foto të teksteve me probleme në përmbajtje të së cilës të jenë të shënuara dhe titulli i tekstit, emri i autorit dhe numri i faqes së tekstit ku konstatohen këto probleme.
Deklarata e ministres Lindita Nikolla
Po sjell në vëmendjen tuaj qëndrimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në lidhje me publikimin e disa imazheve të teksteve shkollore me përmbajtje dhune, urrejtje dhe të tjera probleme që kanë qarkulluar ditët e fundit në rrjetet sociale dhe media.
Ministria e Arsimit dhe Sportit thekson se fakte të tilla përforcojnë dhe nxisin më tej nevojën dhe domosdoshmërinë për vazhdimësinë e reformave të ndërmarra prej saj në drejtim të teksteve shkollore. Të gjitha tekstet që janë sot në institucionet e arsimit parauniversitar janë tekste të katalogut të miratuar nga “Komisioni për Miratimin e Teksteve Shkollore” pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në vitin 2011-të.
Që prej shtatorit të vitit 2013-të, MAS ndërmori një proces të gjerë konsultimesh me përfaqësues nga shoqëria civile, Avokati i Popullit, mësues, Akademia e Shkencave, media dhe aktorë të tjerë të fushës për të diskutuar rreth problematikave të teksteve shkollore. Reflektimet e mbledhura nga ky proces ju përcollën nga MAS të gjitha shtëpive botuese, të cilat pasi bënë korrigjimet finale të teksteve konstatuan 120 tekste shkollor me probleme të cilat u hoqën nga katalogu.
Gjetjet e deritanishme nga MAS, por dhe publikimet në media të teksteve të papërshtatshme përforcojnë dhe më shumë pozicionin e Qeverisë shqiptare që alterteksti ishte një dështim me sukses. Në këtë kuadër MAS po ndërmerr gjithë reformën e nevojshme për ndryshimin në mënyrë rrënjësore të sistemit të teksteve shkollore. Vlen për t’u theksuar që pjesa dërrmuese e imazheve të shpërndara në rrjetet sociale gjatë këtyre ditëve, ose nuk janë pjesë e sistemit arsimor parauniversitar ose janë të manipuluara. Sidoqoftë MAS ka krijuar një adresë të posaçme elektronike: [email protected] ku ftojmë të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit të dërgojnë foto të teksteve me probleme në përmbajtje të së cilës të jenë të shënuara dhe titulli i tekstit, emri i autorit dhe numri i faqes së tekstit ku konstatohen këto probleme. Secili prej këtyre rasteve do të ndiqet me seriozitetin maksimal nga MAS.
Ministria e Arsimit dhe Sportit rithekson dhe njëherë se për këtë institucion fëmijët shqiptar janë të shtrenjtë dhe se do bëjë gjithçka i mundëson kuadri ligjor për të mos lejuar deformime të tilla në formimin e personalitetit të nxënësit.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)