Telegramet për Enverin “Ja lëvizjet
e Abaz Kupit, po fuqizohet në veri”

Telegramet për Enverin “Ja lëvizjet<br />e Abaz Kupit, po fuqizohet në veri”
TIRANE- Gjurmimi i Abaz Kupit dhe lufta e hapur ndaj forcave të tij nga komunistwt, sipas dokumentacionit të Luftës, ka vijuar edhe në muajt shtator-tetor 1944. Nga Dali Ndreu dhe Liri Gega gjatë këtyre muajve kanë shkuar një mori telegramesh e radiogramesh në adresë të Enver Hoxhës me subjekt Abaz Kupin.

Bashkëpunimin e tij të ngushtë me britanikët ata ia raportojnë shpesh shefit të tyre, ndërsa e njoftojnë se në disa raste edhe pse janë përballur me forcat e legalitetit nuk e kanë hasur Bazin e Canes. Sot sjellim  12 telegramet dhe radiogramet  e dërguara në adresë të Hoxhës gjatë muajve shtator-tetor ku raportohen shumë ngjarje që lidhen me Abaz Kupin dhe forcat e udhëhequra prej tij,  mes të cilave edhe bashkimin e Ballit me Legalitetin, formimin e një shtabi të Përgjithshëm ku komandant ishte vendosur Abaz Kupi. 
 
No 13 datë 10-IX-
Enver.

Nga Mati e Kruja Bazi nuk ka popullin me vehte, ka mobilizuar me forcë përtej xhades, ndodhet tok me Maklenin, kemi dërguar forca e skuadër për goditjen e ndjekjen e tij. Me arritjen e forcave t’ona në Orosh të Mirditës reaksioni duket të përçohet, populli qendron në shtëpitë e veta, delegasione vijnë nga shumë anë për marrëveshje, kapiteni i Mirditës u largua me 200 vetë, situata paraqitesh e favorshme për kalimin e forcave.

Krerët e Dibrës janë çveshur nga forcat, Xhelal Ndreu e Cen Elezi u dorzuan, Xhelali erdhi në Diviz. e I. Shpresojmë se me thirrjet që po bajmë simbas telegramit tuaj, do t’na dorëzohen mjaft.
     Liri.
 
No 28 datë 11-IX-44 (Shumë urgjent)
     Enver.

     Nga mungesa e forcave, reaksionit po i lihet rast për organizim. Mirdita, Krahinat e Shkodrës dhe Ishmi po bëhen qendër grumbullimi të reaksionit. Smithi ka njoftue se Mediu, Vërlaci, Fiqiri Dine e kompani ndodhen pranë Bazit Ishëm-Pezë. Gjon Marku e krerët reaksionarë po organizojnë forca në Mirditë ku situata përpara qëndronte në favor t’onë. Dërgimi i dy brigadave asht bërë i domosdoshëm, vetëm kështu reaksioni shpartallohet dhe dominojmë situatën.
Dali
 
No 31 datë 11-IX-44 (Shumë urgjent).
     Enver.

     Smithi njofton se në Pezë kanë ardhë 11 oficera Englezë për studimin e bregdetit dhe informacion. Ka shkuar Shulja në Pezë për çdo gjë. Na lajmëroni në se jeni në dijeni dhe për qëndrimin t’onë me ta si edhe të tjerëve që mund të vijnë. Dr. Rasha kallzon mbi takimin e Bazit e të gjermanet tjerë. Na lajmëroni ne mendojm ta çojmë tek ju.
Liri
 
No 44 datë 14-IX-44
     Enver.

     Me largimin e Maklenit e Davidit mbahen si mision oficerë të tjerë pranë Bazit. Të insistohet për tërheqjen e tyre nga Bazi. Na lajmëroni a kanë ardhur me dijeninë tuaj oficerët Englez në Pezë.
Liri.
 
No 55 datë 18-IX-44
     Enver.

     Për këte situatë të krijuar mendoj se është e nevojshme që të vijë nji shok me udhëzime të gjëra, Shulja dhe delegatët nuk na prune gjë në këtë drejtim, me letër nuk mund të kuptohet mirë, sigurisht do të ketë udhëzime të reja e për kët mund të gabohet lehtë. Më jep përgjigje për këto.
     Makleni po bën shumë dallavera tek Bazi, qendrimi i tij atje i jep shpresë reaksionarve e tradhëtarve, mendoj ta demaskojmë me artikull.
Liri.
 
No 56 datë 18-IX-44
     Enver.

     Organizata e Ballit Kombtarë u bashkua me Legalitetin, kanë nxjerrë qarkore, kanë formue nji shtab të përbashkët me Komandant të Përgjithshëm Abaz Kupin, antarë Abaz Ermenji, Murat Bashaj, Jani Dilo, Reush Fratari, Çarçani?, çpallën luftë kundër okupatorit e tradhëtarve.
Liri.
 
No 63 datë 20-IX-44

     Forca të Bazit e Ballit të grumbulluara në Prezë u sulmuan nga dy batalione t’ona. U vranë 30 vetë dhe u zunë disa robër 3 mitraloza të lehtë, 3 të rëndë dhe municion mortaj e materiale tjera. Humbjet t’ona 2 të vrarë e 2 të plagosur. Bazi nuk kish ndodhur aty. Thuhet se është përqendruar në Mamuras.
Dali
 
 
No 71 datë 22-IX-44
     Enver.

     Bazi, balli, elementa reaksionarë, me pak fjalë, forcat më të shumta reaksionare kanë marrë drejtim nga veriu. Reaksioni po organizohet në Mirditë dhe në rrethet e Shkodrës, ......................... Gjulbegu, Kazast e tjerë si dhe disa nga Kleri janë hedhur në ilegalitet. Në Lumë forcat t’ona janë në përpjekje me forcat e reaksionit.
Liri.
 
No 79 datë 27-IX-44
     Enver.

     Informohemi se Muharrem Bazi një pjesë e Lidhjes Prizrendit janë në marrveshtje. Në Prizrend ndodhen me siguri, Deva, Xhelal e Rexhep Mitrovica, Krasniqi, Qazim Mulleti, e Xhelal Staravecka. Në Shen Palin e Mirditës Ali Këlcyra, Fiqri Dine, Lumo Skendo, P. Previzi, Koço Muka, Hysni Dema, Halil Alija. Kemi nji kopje dokumenti që vërteton marveshtjen e M. Bajraktarit me Gjon Marka Gjonaj. Ky dokument asht nji letër e Mark Gjonit ish ministër i mbrendëshem, drejtue Gjeneralit gjerman Fitzum në Shkodër për municion për të luftue bashkë me Bajraktarin kundër nesh. Letra mban datën 26 shtatorë. Shpresuam.
     Dali.
 
No 80 datë 27-IX-44
     Enver.

     Brigada e 29 njofton se në përqendrimin e disa forcave të Legalitetit nuk diktohet që të ndodhet Bazi. Nji informatë tjetër thotë se ka shkue nga bregu i detit. Me ikjen e Maklenit në Itali ka mundësi të shkojë Bazi me ndonjë tjetër. Për të gjith krerët kemi mundësi deri diku të diktojmë vendin ose bazën ku ndodhen, për Bazin kurgja. Prandaj dyshojmë të ketë shkue me Maklenin.
     Dali.
 
No 17 datë 11-X-44
     Enver

Informohemi se Midat Frashëri, Fiqri Dine, Hysni Dema, Kadri Cakrani, Muharrem Bajraktari kanë udhëtue nëpër Mirditë në drejtim të Pukës duket për Kosovë. Balistat dhe Zogistat, Abas Ermenji e Abaz Kupi kanë përqendrue në zonën Prezë Ishem disa forca afërsisht 1400 veta. Irfan Ohri me disa forca në Durrës. Parullat që hapin janë të presim zbarkimin e englezve të cilët janë kundra partizanve. Bazi asht takue me Gjon Markun. Ka kërkue të hidhet në luftë kundra gjermanve, por ay s’ka pranue.

Përqednrimi i këtyre në zonat Prezë Ishëm Durrës ka për qellim të mbrohen nga sulmet t’ona pse ndodhen në mes të gjermanve, dhe e dyta të paraqiten te aleatët si forcë. Në Mirditë Gjoni ka disa forca bashkë me gjermanët të cilët sigurojnë rrugën e msheftë Milot Shën Palë-Pukë për tërheqje.

Në Shkodër Ballistat Jup Kazazi kanë dalë në mal si nacionalista idipendent të Bushatit. Biba Sulçebegu Hafiz Alitori, Shaqir Omari kanë dalë në mal. Dhe Zogistat kanë filluar aktivitetin në rrethet e Shkodrës. Në Tiranë forca të paka xhandarësh. I gjithë pushteti në duar të gjermanve. Informata deri diku të sigurta thonë se gjermanët për së shpejti dot zbrazin Shqipërinë.
Dali.
  
No 46 datë 17-X-44
     Enver.

Forcat t’ona mbas luftimesh të rrepta hynë në Prezë dhe shpartalluan forcat Balliste. Gjermanët ndërhynë me forca të konsiderueshme. Armiku pati 15 të vrarë e 20 të plagosur nga ana e jonë 5 të vrarë. Vazhdojnë ndjekjet drejt Ishmit, Bazi ka qenë largue 3 dit më parë nga Preza.
Dali.
Liri Gega

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç