Telegrami i fundit i Ismail
Qemalit, para dorëheqjes

Telegrami i fundit i Ismail <br />Qemalit, para dorëheqjes
TIRANE - Telegrami i fundit i dalë nga qeveria e Ismail Qemalit, me të cilin njoftohet dorëheqja e kabinetit, më 24 janar të vitit 1914. Pas 14 muajsh të funksionimit të qeverisë së parë shqiptare, përplasjet politike dhe interesat vetjake bënë që qeveria të rrëzohej dhe pushteti t'i lihej në dorë Fuqive të Mëdha, me anë të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK).

Telegrami i shkruar në origjinal osmanisht, ka qenë i ruajtur deri vonë nga patrioti i shquar vlonjat Ali Asllani, i cili posedoi edhe përkthimin e këtij akti të rëndësishëm të qeverisë shqiptare të kohës. Në kujtimet e veta, Ali Asllani shkruan se Plaku i Vlorës i kërkoi që të ulej dhe të shkruante atë çka ai i diktonte, por në momentin e fundit, Ismail Qemali preferoi ta shkruante vetë këtë telegram, të fundit zyrtar si kryeministër i Shqipërisë së pavarur. I shkruar në osmanisht nga dora e vetë Ismail Qemalit, pamja e këtij telegrami botohet sot, pas 98 vitesh të përpilimit të tij.

Kuvendi Kombëtar i Vlorës, i mbledhur më 28 nëntor 1912, në mbledhjen e tij të parë vendosi shpalljen e Pavarësisë nga pushtuesit osmanë dhe ngritjen e një administrate shqiptare, e cila do të vinte në funksion shtetin e parë të pavarur shqiptar. Më 5 dhjetor 1912, nga Kuvendi doli qeveria shqiptare, kryeministër i së cilës si dhe Ministër i Punëve të Jashtme ishte vetë Ismail Qemali, si një politikan dhe diplomat i shquar i kohës së tij, si pjesë e rëndësishme e administratës otomane për vite me radhë. Edhe pse në një zonë tepër të kufijëzuar në hartën e Shqipërisë, qeveria e Vlorës u përpoq që të vepronte, edhe pse me vështirësi në kushtet e kohës.

telegrami i fundit i ismail qemalit, me logo
(Telegrami i fundit i qeverisë së Vlorës)

Në ata 14 muaj të qeverimit të tij, kabineti i Ismail Qemalit pësoi ndryshime të shumta në portofolet ministrore. Zbulimi i komplotit të ushtarakut shqiptar në shërbim të Stmabollit, Beqir Grebenesë, reaksioni i brendshëm dhe i jashtëm, synimet dhe xhelozitë e krijuara në Shqipërinë e para 100 viteve, sollën dorëzimin e pushtetit në duart e diplomatëve ndërkombëtarë, me shpresë se gjendja politike e vendit do të përmirësohej, me vendosjen në krye të shtetit të një princi të huaj. Në telegramin e tij të fundit si kryeministër, Ismail Qemali duke lënë porositë e tij, si një burrë shteti dhe atdhetar, nuk ngurroi të shkruante se ditët që i kishin mbetur për të jetuar, do t'i vinte në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare kudo që të ndodhej.

Teksi në shqip i telegramit:

"Pushtetin shtetëror që ma dorëzoi Asambleja Kombëtare, që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, kam tamam 14 muaj që e ushtroj me gjithë të metat e mia duke u përpjekur pa humbur asnjë çast, me qëllim për të përgatitur sigurimin e elementeve për bashkimin dhe sigurimin e tërësisë tokësore të Atdheut. Do të ushqej sa të jem gjallë ndjenja miqësore kundrejt gjithë miqve dhe shokëve të qendrës dhe krahinave, të cilët më ndihmuan me bashkëpunimin e tyre.
Mbasi ngjarje të hidhura janë shfaqur në disa anë, të shtyra nga ambicia dhe interesi vetjak, që kanë turbulluar harmoninë qeveritare për të cilën Atdheu ynë ka gjithnjë nevojë, sidomos sot kur ndodhet në një gjendje transformimi, njësia shtetërore është tronditur dhe kështu çështja kombëtare u rrezikua shumë. Pra është nevoja e domosdoshme që këtyre ngjarjeve të hidhura t'u jepet fund dhe kjo nevojit formimin e një qeverie të njëshme dhe autoritare, realizimi i së cilës si një detyrë patriotike, më përkiste mua. Për këtë bëra një demarsh pranë Fuqive të Mëdha, të cilave iu propozova që derisa të vijë Mbreti i Shqipërisë, qeverisja e gjithë vendit të merret nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit. Dëshira ime mbi këtë pikë u pranua dhe sot kontrollorët u mblodhën pranë meje dhe pasi formuluan dhe nënshkruan një protokoll mbi pranimin e propozimit tim, lëshova ushtrimin e pushtetit shtetëror në dorën e Fuqive të Mëdha dhe kësisoj hoqa dorë nga kryesimi i qeverisë kombëtare.

Qysh në shpalljen e Pavarësisë bëra detyrën patriotike si udhëheqës, ashtu edhe këtë radhë me qëllim shpëtimin e atdheut, sakrifica që po bëj duke u larguar nga kryesimi i shtetit për të lënë fatin e atdheut për një kohë të shkurtër në duar mbrojtëse dhe të sigurta të qeverive të mëdha, jam i sigurt se do të çmohem nga kombi mbarë dhe prej të gjithë shokëve qeveritarë. E shoh për detyrë pra të deklaroj se këtu e tutje do t'i konsakroj ditët e fundit të jetës sime në shërbim të atdheut. Me qenë se duke marrë në dorëzim qeverisjen e atdheut tonë, qëllimi i Fuqive të Mëdha është si e si t'i japin fund invazioneve të huaja dhe ngatërresave të brendshme, u porosis me gjithë zemër që të tregoni bindje të plotë në urdhrat e tyre dhe të funksionarëve të lartë që janë zgjedhur prej meje dhe janë të pëlqyeshëm nga ata.

Ju lë pra lamtumirën juve, atdheut dhe kombit dhe ju le në mbrojtjen e Perëndisë!"

Shkrimi u botua suplementin RILINDASI, në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com (E Dielë, 18 Nëntor)

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi