KUKES – Temperaturat e larta kanë sjellë riaktivizimin e dy vatrave të zjarrit në malet e komunës Malzi, ndërsa janë regjistruar edhe 2 vatra të reja po sot në këtë komunë.

Flakët e zjarrit kanë përfshirë masive të tëra me pyje duke shkrumbuar plotësisht pemët e larta, si pishën, ahun dhe plepin, si dhe pemët frutore si gështenjën dhe arrën, fruta të përhapura në masë në malin që po shkrumbohet nga flakët.

Ndërhyrja e mjeteve të zjarrëfikses është e pa mundur për shkak të mungesës së rrugëve si dhe maleve të larta, mbi 1300 metra, dhe terrenit të vështirë, ndërsa komuniteti i komunës Malzi si dhe 10 forca të Drejtorisë së Pyjeve në Kukës, ndodhen në vendet ku kanë rënë zjarret, por është e pa mundur kontrolli dhe izolimi i tyre.

Për shuarjen e këtyre vatrave të zjarreve kërkohet ndërhyrje me anë të rrugëve të ajrit duke përdorur hidroplan apo helikopter, por deri më tani nuk është bërë e mundur ndonjë ndërhyrje e tillë.

Banorët të cilët janë të mobilizuar në fikjen e zjarrit, u bëjnë apel instancave te mobilizohen pasi malet janë burimi i tyre i jetesës që e përdorin për dru si dhe vjelin gështenjën, një frutë fitimprurës për zonën malore.

Vetëm gjatë ditës së sotme nga zjarret janë shkrumbuar 30 hektarë me pyje, ndërsa vetëm për 10 ditëshin e fundit janë shkrumbuar në total 110 hektarë ngastra pyjore në të gjithë territorin e qarkut Kukës.
(be.le/gm/Shqiptarja.com)