Fenomeni “Sincaraz”, rivaliteti mes dy tenistëve më të mirë në botë, Jannik Sinner (nr. 2) dhe Carlos Alcaraz (nr. 1), po vazhdon të tërheqë vëmendjen e botës së sportit edhe kur raketat nuk janë në lojë. Italiani dhe spanjolli janë kthyer në një makineri gjigante fitimesh, duke gjeneruar së bashku rreth 130 milionë euro vetëm në vitin 2025.
Pas epokës së artë Federer-Nadal-Djokovic, dy yjet e rinj po shndërrohen në fuqinë kryesore të tenisit botëror. Drejtorët e turneve ëndërrojnë t’i kenë të dy në short dhe akoma më shumë, t’i shohin në finale.
Sipas analizës së “Gazzetta dello Sport”, të dy tenistët kanë realizuar thuajse të njëjtat fitime nga çmimet zyrtare të ATP: 17.1 milionë euro Sinner dhe 16.8 milionë euro Alcaraz, në Grand Slam, Masters dhe turnetë 500/250.
Por fitimet e mëdha vijnë nga e drejta e imazhit, sponsorizimet dhe eventet “show”.
Sinner vlerësohet të ketë përfituar 34 milionë euro nga këto burime, ndërsa Alcaraz 32 milionë euro, shifra që rriten në 37 milionë dhe 35 milionë euro respektivisht, pas përfshirjes së bonuseve dhe honorareve.
Edhe pse Nike i paguan Alcarazit një kontratë më të lartë (18 milionë euro, kundrejt 15 milionëve të Sinner), italiani ka portofol më të gjerë. 14 sponsorë, katër më shumë se rivali, si dhe markën e tij personale me logon e dhelprës. Edhe Alcaraz pritet të lançojë së shpejti brandin e tij.
Në turnetë e forcës, Sinner kryeson me fitimin nga Six Kings Slam (5.5 milionë euro), ndërsa Alcaraz ka marrë pjesë në më shumë evente gjatë vitit, duke grumbulluar rreth 4.5 milionë euro.
Në total, llogaritjet për vitin 2025 tregojnë:
Jannik Sinner: 66 milionë euro fitim
Carlos Alcaraz: 64 milionë euro fitim
Dyshja është tashmë një “makineri financiare” me vlerë të kombinuar rreth 130 milionë euro dhe spektakli vazhdon. Më 10 janar 2026, në Seul, Sinner dhe Alcaraz do të rikthehen në skenë për një tjetër super-event “show”.
Komente




