TIRANE-Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar deklaron se bashkia e Tiranës përmes 5 efektivëve u ka dërguar një letër ku u kërkon që të lirojnë godinën, që tashmë është pronë e bashkisë, pasi qeveria ia kaloi javën e kaluar.

Por sapo kanë parë efektivët e policisë anëtarët e Aleancës janë mbledhur me shpejtësi. Robert Budina, një nga anëtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit shprehet se nuk do të tërhiqen dhe madje do të bëjnë një protestë të madhe përpara bashkisë, që sipas tij, Erion Veliaj të kuptojë forcën e tyre.

"Këtu kanë qenë njerëzit tanë, që bëjnë dezhurnin e përhershëm, erdhën 5-6 policë të bashkisë, që sollën këtë akt konstatimi, që kërkon të lirohet prona e bashkisë që është në administrimin e bashkisë në vendimin e Këshillit të Ministrave. Në fund firma është e Elton Dervishit.

Është e qartë si është bërë VKM. Presidenti do të dorëzojë një padi kundër VKM-së. Mund të jetë një provokim që të vijë policia për të na arrestuar. Tjetra është se mendojnë se mund ta marrin realisht këtë pronë. Ai po provokon një vëllavrasje. Do të organizohemi dhe do të bëjmë një protestë të madhe para bashkisë që ai të kuptojë forcën e numrave" tha Budina.

Ndërsa regjisori Edmond Budina thotë janë të gatshëm edhe gjak të derdhin dhe godinën nuk e dorëzojnë. “Po i paralajmëroj të mos derdhin gjak. E shikoni se si vijnë në mënyrë të hajdutshme dhe sulmojnë në një moment të papërshtatshëm. Ju e patë në pak minuta ishim të shumtë këtu. Ju bëj thirrje të kini kujdes. Ruani mendjen. Sepse siç ju ikën juve, mund të na ikë edhe neve. Merrini me hu këta njerëz që vijnë në mënyrë të fshehtë dhe mafioze për të marrë pronën publike. Ndaj të gjithë shqiptarët të dalin në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Prandaj le të vijnë prapë”, shprehet Budina.

Në datë 8 maj, qeveria me vendim të Këshillit të Ministrave ia kaloi bashkisë Tiranë truallin e Teatrit Kombëtar, për të ndërtuar një teatër të ri me standarde moderne dhe bashkëkohore. Presidenti Meta, opozita dhe Aleanca për Teatrin reaguan duke e kundërshtuar ashpër, por kryeministri Edi Rama tha dje se nuk bën asnjë hap pas, po ashtu edhe kryebashkiaku Erion Veliaj.