Dy vëllezërit e biznesmenit të njohur Behgjet Pacolli drejtuan punëtorët dhe nënkontraktorët drejt hyrjes së aeroportit të Vlorës, aty ku u përplasen me policinë private. Ndryshe nga herët e tjerë vihet re mungesa e Policisë së Shtetit.
‘Zbatoni vendimin e gjykatës’, dëgjohet të thotë Pacolli, ndërsa rojet private tentojnë ta pengojnë.
Pas përplasjes verbale, grupi prej afro 100 personash hyri ne kantierin e aeroportit dhe tentuan të nxjerrin jashtë punonjësit e kompanisë “2 A Gruop”. Situata u qetësua, brenda një kohe të shkurtër rillilloi puna.
Në muajin maj, ministria e infrastrukturës u kishte vënë ultimatum 30 ditor ortakëve për përfundimin e punimeve, por dhe ky afat është tejkaluar. Selim Pacolli premton se për 30 ditë do të përfundojë terminali, por s’ka afat për pistën.
“Ne na nevojiten maksimumi dhe 30 ditë, jo më shumë. Sa i përket punimeve të pistës, nuk është punuar mjaftueshëm që ajo të përfundojë”, tha ai.
Pak javë më parë Ministria e Infrastrukturës ka hedhur dyshime se informacioni i përcjellë nga Mabco për marrëveshjen e huasë 100 milion euroshe që ajo ka nënshkruar me fondin Delphos, nuk ka qenë i saktë dhe ka kërkuar që të mos bëhet asnjë veprim i mëtejshëm deri në sqarimin e plotë të situatës rreth kësaj marrëveshjeje. Por Pacolli e mohon kategorikisht.
“VIA edhe po të duam ne nuk mund t’i lihet si aset kolateral askujt. Ne jemi koncesionarë me shtetin. Këto janë narrativa të rreme dhe nuk mund të ecim para”, vijoi ai.
Pacolli thotë se do bëhet një inventar.
Por më pas përmes një statusi në FB, Behgjet Pacolli, pretendoi se në aeropot kishte dëme të konsiderueshme.
Një muaj më parë, Gjykata e Lartë vendosi të rrëzojë kërkesën për sigurim padie të paraqitur nga kompanitë “Vlora International Airport” dhe “2A Group” duke i dhënë të drejtë sipërmarrësit Behgjet Pacolli. Kësisoj u rrëzuan vendimet e mëparshme të Shkallës së Parë dhe Apelit.
E gjithë përplasja mes tyre ka nisur muaj më parë. Ndonëse palët kishin firmosur një kontratë noteriale, ku pjesa e aksioneve të shoqërisë së Ademit shkonte nga 2 në 49 përqind, kontrata nuk ishte regjistruar në QKB. Sipas “2A Group”, ortaku “Mabco” “në fshehtësi, dhe pa vendim asambleje, vendosi veton që çdo kontratë pezullohej, dhe këtë vendim e regjistroi si “Mabco” e jo në fakt si “VIA”.
Menjëherë pas kësaj kompania e Ademit i kërkoi gjykatës pezullimin e veprimeve të ortakut tjetër deri në një vendim të dytë. Gjykata e pranoi aso kohe dhe bllokoi veprimtarinë e “Mabco”-s që të marrë vendime në asamble. Më pas Apeli, në janar e ndryshon pjesërisht duke vendosur një sigurim padie, që pezullonte, deri në përfundim të gjykimit, të drejtën e votës së “Mabco Constructions”, vetëm për vendimet që lidhen me tjetërsimin e 47% të aksioneve të aeroportit, që pretendohen nga ortaku tjetër, Valon Ademi i kompanisë ‘2A Group’.

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar lidhur me situatën në kantierin e Aeroportit të Vlorës, duke pretenduar se objekti është dëmtuar rëndë gjatë periudhës kur, sipas tij, ka qenë i zaptuar në mënyrë të paligjshme.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Pacolli tha se kompania Mabco, e cila sipas tij zotëron 98% të aksioneve të shoqërisë VIA, është rikthyer në kantier pas pesë javësh dhe ka konstatuar dëme të shumta në terminal dhe në godinat shoqëruese.
Sipas tij, gjatë inspektimit janë evidentuar dëmtime në monitorë informues, dyer, dyer automatike, pllaka, panele, sinjalistikë, kuadro elektrike, gjeneratorë energjie dhe pajisje të tjera me rëndësi kritike për funksionimin e aeroportit. Gjithashtu, ai pretendon se një pjesë e veglave të punës, pajisjeve dhe materialeve në pronësi të kompanisë dhe nënkontraktorëve rezultojnë të zhdukura.
Pacolli tha se kjo situatë ka ardhur si rezultat i akteve të vandalizmit e vjedhjes, duke theksuar se dëmet e shkaktuara nuk prekin vetëm kompaninë, por edhe interesin publik, zhvillimin ekonomik dhe besimin e investitorëve.
Në reagimin e tij, Pacolli i bëri thirrje SPAK-ut dhe institucioneve të tjera kompetente që të nisin hetime të plota për identifikimin e autorëve, organizatorëve dhe motiveve të mundshme të këtyre veprimeve.
Pavarësisht situatës së krijuar, ai deklaroi se punimet në aeroport do të vijojnë deri në përfundimin e projektit.
Deklarata e plotë e Behgjet Pacollit:
Sot pas 5 javësh nga sekuestrimi i paligjshëm dhe i dhunshëm i objektit të Terminalit dhe godinave përcjellëse, nga grupe të caktuara kriminale, që po tentojnë të përvetësojnë në mënyrë huliganeske dhe të kundërligjshme VIA-n – një shoqëri ku Mabco zotëron 98% të aksioneve – Mabco arriti të rikthehet në kantier për të vijuar dhe përfunduar punimet, në zbatim të vendimeve të Asamblesë së Ortakëve, vendimit të Gjykatës së Lartë, si dhe kërkesës së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Kryeministrit të Shqipërisë.
Megjithatë, ajo që u konstatua gjatë inspektimit të objektit është tronditëse, e dhimbshme dhe krejtësisht e papranueshme. Një vepër e ndërtuar me vite pune, përkushtimi, sakrificash të panumërta dhe investimesh shumë të mëdha financiare është gjetur rëndë e dëmtuar, e keqpërdorur dhe e ekspozuar ndaj akteve të vandalizmit, huliganizmit dhe vjedhjes.
Janë konstatuar dëmtime serioze në materiale dhe pajisje, përfshirë monitorët informues, dyert, dyert automatike, pllakat, panelet, sinjalistikën, kuadrot elektrike, gjeneratorët e energjisë dhe pajisje të tjera të rëndësisë kritike. Për më tepër, një numër veglash, pajisjesh dhe materialesh në pronësi të Mabco-s dhe nënkontraktorëve të saj rezultojnë të jenë zhdukur.
Këto nuk janë thjesht dëme materiale. Këto janë akte të qëllimshme që përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj mundit, punës së ndershme dhe përpjekjeve të qindra profesionistëve që kanë kontribuar në realizimin e këtij projekti strategjik. Çdo monitor i shkatërruar, çdo derë e dëmtuar dhe çdo pajisje e vjedhur përfaqëson jo vetëm një humbje financiare, por edhe një mungesë të thellë respekti ndaj punës, sakrificës dhe investimit të bërë ndër vite.
Huliganizmi nuk ka ndalur me kaq. Vandalizmi i qëllimshëm ndaj objektit ka shkaktuar pasoja të mëtejshme. Për shkak të temperaturave të larta, mungesës së qarkullimit të ajrit dhe mosfunksionimit të kushteve minimale teknike, janë dëmtuar sisteme mekanike, elektrike dhe grupet gjeneruese, duke rritur ndjeshëm kostot dhe kohën e nevojshme për rikuperimin e dëmeve.
Është e dhimbshme të shohësh se si një aset strategjik kombëtar, i ndërtuar me aq mund, përkushtim dhe investime të jashtëzakonshme, është lënë të shkatërrohet nga njerëz pa skrupuj, të cilët me veprimet e tyre kanë dëshmuar se synimi i tyre nuk ka qenë zhvillimi i projektit, por pengimi i tij. Këto veprime ngjallin dyshime serioze se shkatërrimi i qëllimshëm i pronës ka pasur për qëllim jo vetëm ndalimin e punimeve, por edhe fshehjen e veprimeve dhe pasojave që sot po dalin në dritë.
Vandalizmi, vjedhja dhe shkatërrimi i pronës nuk dëmtojnë vetëm Mabco-n. Ato dëmtojnë interesin publik, zhvillimin ekonomik, besimin e investitorëve dhe të ardhmen e një projekti me rëndësi të veçantë kombëtare.
Edhe një herë u bëjmë thirrje organeve kompetente dhe SPAK-ut që të fillojnë pa vonesë hetime të thella, serioze dhe të pandikuara nga askush. Autorët e këtyre veprimeve, organizatorët dhe nxitësit e tyre duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë ligjore për dëmet e shkaktuara. Publiku meriton të dijë jo vetëm kush i kreu këto akte, por edhe cili ishte shkaku dhe arsyeja e vërtetë e këtij vandalizmi të ushtruar për javë të tëra para syve të institucioneve përgjegjëse për ruajtjen e rendit dhe ligjit.
Mabco nuk do të ndalet. Pavarësisht pengesave, dëmtimeve dhe përpjekjeve dashakeqe për të sabotuar, përvetësuar apo shkatërruar këtë investim, puna do të vazhdojë. Aeroporti do të përfundojë dhe do t’u shërbejë qytetarëve, sepse as vandalizmi, as hajnia, as presioni dhe as interesat e ngushta nuk mund të jenë më të forta se ligji, e drejta, vizioni dhe përkushtimi për ta çuar këtë projekt deri në fund.
Biznesmeni Behgjet Pacolli i ka bërë thirrje SPAK-ut për hetime mbi Aeroportin e Vlorës, pa dallime e mbrojtje për askënd, me pretendimin se “grupet kriminale” që e “kishin uzurpuar” kantierin, kanë shkaktuar dëme. Pacolli thotë se po kryhen verifikimet, por dëmet përfshijnë inventarin e posaçëm për funksionimin e aeroportit “duke cenuar” pronën private dhe investimet.
Më tej, hedh dyshime për mbështetjen ose tolerimin e tyre nga zyrtarë. Ai bën thirrje për masa të menjëhershme për parandalimin e përshkallëzimit të situatës dhe vendosjen para përgjegjësisë të personave të përfshirë.
“Të dashur qytetarë,
Të dashur vlonjatë,
Ju, qytetarë të nderuar, keni të drejtën të informoheni mbi të vërtetën. Fatkeqësisht, ende nuk jeni njohur me gjendjen reale në Aeroportin e Vlorës. Për këtë arsye, i bëj thirrje urgjente SPAK-ut të nisë menjëherë hetime të plota mbi këtë skandal të rëndë, të krijuar dhe ushqyer nga individë që kanë vepruar dhe vazhdojnë të veprojnë në kundërshtim me ligjin, duke cenuar rëndë shtetin e së drejtës dhe sistemin juridik të Republikës së Shqipërisë. Koha për të zbardhur të vërtetën dhe për të vënë përgjegjësit para drejtësisë është tani.
Pas muajsh të tërë bllokade të paligjshme dhe uzurpimi të Terminalit të Vlorës nga grupe kriminale, sot MABCO dhe nënkontraktorët tanë kanë mundur të rikthehen në vendet e tyre të punës. Në këto momente po kryhet verifikimi dhe evidentimi i dëmeve të shkaktuara nga vandalizmi, vjedhjet dhe shkatërrimet e ndodhura gjatë kësaj periudhe.
Dëmet e konstatuara përfshijnë si inventarin e çmuar, të projektuar, porositur, prodhuar dhe instaluar posaçërisht për funksionimin e aeroportit, ashtu edhe instrumentet, pajisjet dhe mjetet e punës që përbëjnë pronë private të kompanive nënkontraktuese.
Për më shumë se dhjetë muaj, këto grupe kriminale kanë vepruar në kundërshtim flagrant me ligjin, me metoda të papranueshme dhe çnjerëzore, duke cenuar jo vetëm pronën private, por edhe rendin juridik dhe sigurinë e investimeve. Më shqetësues është fakti se veprimtaria e tyre dyshohet se është mbështetur ose toleruar nga individë që fshihen pas petkut institucional, ndërsa në raste të caktuara kanë tentuar të ndikojnë edhe procese gjyqësore, duke sfiduar hapur sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Sot, në emër të ligjit, të drejtësisë dhe të besimit që qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtarë duhet të kenë tek institucionet e shtetit, i bëj thirrje publike SPAK që të nisë menjëherë një hetim të plotë, të pavarur dhe gjithëpërfshirës për të gjitha ngjarjet kriminale të ndodhura gjatë kësaj periudhe, pa asnjë dallim dhe pa asnjë mbrojtje për askënd, pavarësisht pozitës, ndikimit apo lidhjeve që mund të ketë.
Është e domosdoshme të identifikohet dhe të vihet përpara përgjegjësisë i gjithë zinxhiri i personave të përfshirë në këto veprime të rënda, të cilat kanë dëmtuar interesin publik, sigurinë juridike dhe imazhin e Shqipërisë si një vend që garanton shtetin e së drejtës dhe mbrojtjen e investimeve.
Po aq e rëndësishme është që institucionet kompetente të marrin masa të menjëhershme për të parandaluar çdo përshkallëzim të mundshëm të situatës dhe për të garantuar sigurinë e punonjësve, të kompanive kontraktuese dhe të çdo qytetari që beson tek puna, ligji dhe vlerat e një shoqërie të qytetëruar.
Ne do të vazhdojmë të mbrojmë me vendosmëri të drejtat tona ligjore, pronën tonë dhe dinjitetin e njerëzve të punës, duke besuar se e vërteta dhe drejtësia do të mbizotërojnë”, shkruan Pacolli.

Pas rikthimit të tensionuar në kantierin e aeroportit të Vlorës që u shoqërua me përplasje mes punonjësve të saj dhe të “2A Group” të Valon Ademit, kompania “Mabco” ka lëshuar një deklaratë zyrtare për garantimin e vijimit dhe përshpejtimit të punimeve.
Sipas shkresës, Asambleja vendimmarrëse ka kërkuar që administratori të mos autorizojë palë të treta për të përfaqësuar shoqërinë. Gjithashtu, i është kërkuar institucioneve të garantohet zbatimi i vendimeve dhe ushtrimi i aksesit të ligjshëm në kantier.
Në deklaratë, “Mabco” shprehet se do të vijojë me punën në kantier, ndërsa çdo pengesë do t’u referohet institucioneve. Njësoj si në qëndrimin e një dite më parë të publikuar nga Pacolli, flitet për pengesa nga kompania e sigurisë dhe palë të treta që kanë pretenduar për një prokurë të lëshuar nga administratori, të cilën ‘Mabco’ e mohon.
Deklarata e plotë:
Asambleja e Përgjithshme e Ortakëve e shoqërisë "Vlora International Airport – VIA" sh.p.k., në mbledhjen e zhvilluar më datë 18 qershor 2026, bazuar në Vendimin e Gjykatës së Lartë, ushtroi kompetencat e saj ligjore dhe statutore si organi më i lartë vendimmarrës i shoqërisë, duke miratuar një sërë vendimesh që synojnë rikthimin e aktivitetit normal në kantier dhe përshpejtimin e punimeve për përfundimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Këto vendime janë marrë në mbështetje të nenit 81 pika 1 të Ligjit nr. 9901/2008 "Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare", si dhe nenit 17 të Statutit të shoqërisë, të cilat i japin Asamblesë së Ortakëve kompetencën për të përcaktuar politikat e shoqërisë dhe për të mbikëqyrur administrimin e saj.
Ndër të tjera, Asambleja vendosi garantimin e aksesit të plotë dhe të pandërprerë në kantier për ortakët, kontraktorët, nënkontraktorët dhe personat e autorizuar prej tyre, me qëllim vijimin e menjëhershëm të punimeve dhe kryerjen e veprimeve të nevojshme për administrimin e projektit. Gjithashtu, Asambleja vendosi që administratori të mos autorizojë asnjë palë të tretë për të përfaqësuar shoqërinë apo për të ushtruar kompetenca që bien ndesh me vendimet e saj.
Në zbatim të këtyre vendimeve, përfaqësuesit e Mabco Constructions S.A. kërkuan zyrtarisht, përmes shkresave dhe komunikimeve elektronike, mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Policisë së Shtetit dhe Avokatit të Shtetit për garantimin e zbatimit të vendimeve të Asamblesë dhe ushtrimin e aksesit të ligjshëm në kantier.
Pas këtyre njoftimeve institucionale, përfaqësuesit e Mabco Constructions S.A. u paraqitën sot në kantier dhe nisën procesin e inventarizimit të aseteve, pajisjeve dhe gjendjes aktuale të projektit, një proces i domosdoshëm për vlerësimin e situatës faktike dhe organizimin e fazës së mëtejshme të punimeve.
Megjithatë, gjatë zhvillimit të këtij procesi janë konstatuar pengesa nga përfaqësues të kompanisë së sigurisë dhe nga persona të tretë që kanë pretenduar të veprojnë mbi bazën e autorizimeve të lëshuara nga administratori aktual i regjistruar në QKB. Mes tyre ka qenë edhe z. Bujar Ejupi, i cili ka pretenduar ekzistencën e një prokure të lëshuar nga administratori.
Rikujtojmë se vendimet e Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve janë detyruese për administratorin, punonjësit e shoqërisë dhe çdo person që vepron në emër apo për llogari të saj. Për rrjedhojë, asnjë autorizim individual, asnjë prokurë dhe asnjë veprim i njëanshëm nuk mund të prevalojë mbi vendimet e organit më të lartë vendimmarrës të shoqërisë.
Mabco Constructions S.A. do të vazhdojë të ushtrojë të drejtat dhe detyrimet e saj kontraktore në funksion të përfundimit të projektit, ndërsa çdo pengesë ndaj zbatimit të vendimeve të Asamblesë, aksesit në kantier apo vijimit të punimeve do të dokumentohet dhe do t'u referohet institucioneve kompetente për trajtim sipas ligjit.
Objektivi ynë mbetet i pandryshuar: rikthimi i aktivitetit normal në kantier, respektimi i ligjit, respektimi i vendimeve të organeve të shoqërisë dhe përfundimi sa më i shpejtë i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, një projekt me rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik dhe turistik të Shqipërisë.
Komente







O Rame na ke futur gjarprin ne shtepi. Ke lejuar qe Pacolli ky spiun i Putinit te sabotoje projektin me te rendesishem per ekonomine e jugut te Shqiperise.
PërgjigjuVeprimet e mabco edhe 2a gruop duket sikur behen kastile qe ministria te nderhyje edhe ceshtja te perfundoj ne arbitrazh kunder shtetit shqiptar.
PërgjigjuE do belinda dhe rama per vete aeroportin.
PërgjigjuRepublike banansh, nuk e kuptoj si e Lejon Edi Rama kete baterdi te ndodhi, kjo eshte nje shuplake per kompanite e medha qe duan te investojne ne Shqiperi
PërgjigjuLideri gjenial intergalaktik nuk di gje. Merret me agjentet e huaj ne proteste dhe me “bomben” tek ambasada sovjetike.
E kuptoni çfare karagjozesh jemi si shtet,company,njerez?Maskarallik.
PërgjigjuKane dale 100 mije qytetare ne proteste kunder klases drejtuese ne politike dhe ekonomi. Dil edhe ti o llapaqen. Mos bej interesantin para tastieres.