Tensionet në veri/ Emisarët e SHBA e BE 2 orë takim me Kurtin, Escobar: Shpresojmë të dëgjohemi! Lajçak: Prezantuam 3 kërkesat tona

KOSOVË - Zgjedhje të reja në 4 komunat e veriut të Kosovës, garantimi i pjesëmarrësve serbë në zgjedhje si dhe formimi i Asociacionit. Këto kanë qenë tre kërkesat e Bashkimit Europian të cilat të dërguarit e posaçëm, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar ia kanë prezantuar mbrëmjen e sotme Albin Kurtit gjatë takimit që zgjati më shumë se dy orë. Takimi i planifikuar për të nisur në orën 20:00, nisi 30 minuta me vonesë pasi Kurti po ndiqte në stadium ndeshjen e Kupës së Kosovës. 

Lajçak se bisedimet ishin të gjatë dhe të sinqerta. Ndërsa theksoi se Kurtit i janë prezantuar 3 kërkesat e komuniteti ndërkombëtar. 

“Ne e prezantuam një propozim në emër të komunitetit ndërkombëtar që përmban tri elemente. Kishim bisedime të gjata, të sinqerta dhe të vështira”, tha Lajçaku, teksa shtoi se ky është vetëm fillimi.

Ndërkohë, Escobar tha se ai erdhi në këtë takim si mik i Kosovës dhe tha se shpreson që kërkesat e BE dhe SHBA të dëgjohen. 

Ende nuk dihet cfarë është diskutuar në takimin që zgjati rreth 2 orë. Të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së do të zhvillojnë takime edhe me krerë të lartë shtetërorë dhe në Beograd, më 6 qershor. Teksa situata në veri mbetet e tensionuar, për mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, Qeveria e Kosovës, po kështu edhe Lista Serbe kanë vendosur kushte. 

Zgjedhjet shihen si metodë që për çtensionimin e situatës që ka përshkallëzuar në veri të Kosovës, pasi marrja e zgjedhjeve nga kryetarët shqiptarë nga rezultati i 23 prillit, ka shkaktuar tensione e trazira të mëdha që prej 26 majit.

“Sundimi i ligjit është parakusht i zgjedhjeve të lira e demokratike, së bashku me fushatë zgjedhore të hapur dhe ferr. Grupet kriminale dhe ekstremiste duhet ose të arrestohen për sulmet e tyre, ose le të ikin në Serbi - prej nga edhe kanë ardhur jo pak prej tyre.”- thotë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Po ashtu në zgjedhjet e reja do të duhej të sigurohej pjesëmarrja e serbëve edhe si votues, edhe si kandidatë. Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka thënë të hënën se do të marrë pjesë në zgjedhje, që eventualisht do të mund të mbahen për komunat në veri, kur t’i plotësohen dy kushte. Sipas tyre, forcat speciale të Policisë së Kosovës duhet të tërhiqen nga veriu i Kosovës, dhe që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Ndërkohë NATO ka konfirmuar më 5 qershor se në Kosovë kanë filluar të arrijnë trupat përforcuese për misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, pasi përleshjet e dhunshme me protestuesit në Zvecan më 29 maj i kishin lënë 30 ushtarë të KFOR-it të lënduar.

“Rreth 500 pjesëtarë të shërbimit turk nga batalioni i Brigadës 65 të Mekanizuar të Këmbësorisë së Turqisë do ta përbëjnë pjesën më të madhe të përforcimeve të NATO-s”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga NATO-ja.

Sakaq Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka thënë se do të marrë pjesë në zgjedhje nëse ato do të ripërsëriten, kur t’i plotësohen dy kushte. Ajo ka thënë se forcat speciale të Policisë së Kosovës duhet të tërhiqen nga veriu i Kosovës, dhe që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Ndërkohë, ditën e sotme situata paraqitet e qetë në veri të Kosovës, ku deri më tani janë mbledhur pak protestues. Në Zveçan janë parë edhe kryetari dhe nënkryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç dhe Igor Simiç. Situata në veri të Kosovës është ende e brishtë, prej 29 majit serbët vijojnë protestat para ndërtesave komunale, ku kryetarët e rinj të zgjedhur u futën me ndihmën e policisë në zyra, çka solli edhe reagimin e serbëve. 

Pavarësisht reduktimit të tensioneve, retorika e dy palëve në Kosovë e Serbi vijon të jetë e ashpër. Në një intervistë për BBC mëngjesin e së dielës, Albin Kurti paralajmëroi se nuk do të tërhiqet dhe se krerët e 3 komunave duhet të qëndrojnë në zyrat e tyre dhe se nuk mund të bëhet kompromis me republikën demokratike. I dërguari i SHBA Gabriel Escobar i bëri një tjetër thirrje Kurtit për të gjetur zgjidhje për veriun.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:11
Escobar flet pas takimit me Kurtin: SHBA-ja është përkrahësja më e madhe e Kosovës, shpresoj të dëgjohemi

1685999440_gabrielescobar.JPG

I dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se në Kosovë ka ardhur si përkrahës i madh i shtetit të Kosovës dhe se kërkesa e vetme është që të dëgjohet komuniteti ndërkombëtar.

“Është një unitet i madh transatlantik, mes SHBA-së, BE-së e NATO-s, që ka paraqitur kërkesat e njëjta. Shpresoj të dëgjohemi. Jemi në fillim të misionit. Një gjë dua të them. Erdha këtu si përkrahës i madh i Kosovës. Të bëjmë më të mirën për Kosovën, të arrijë të gjitha aspiratat. Jemi përkrahësit më të mëdhenj të sigurisë suaj, pavarësisë, sovranitetit, e integritetit territorial tuaj. Po kërkoj vetëm të dëgjohemi”, tha Escobar pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

.Ai ka shtuar se e respekton Qeverinë e Kosovës dhe strukturën Kushtetuese të Kosovës, por se po mundohet të gjendet një formulë për “harmoni mes grupeve etnike”.

Escobar dënoi sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan nga protestuesit e dhunshëm serbë.

Ora 23:05
Përfundon takimi mes Kurtit dhe dy të dërguarve specialë të perëndimit, Lajçak: Prezantuam 3 kërkesat e BE

Pas më shumë se dy orësh diskutime ka përfunduar takimi mes Kurtit dhe të dërguarve të posaçëm të SHBA dhe BE, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak.

Këta dy të fundit i kanë parashtruar tre kërkesa ndaj Kurtit sa i takon dialogut Kosovë-Serbi.

Kërkesat janë ato për të cilat BE ditë më parë vendosi ‘ultimatum’, konkretisht: Tërheqje e policisë, zgjedhjet e reja në komunat e veriut dhe krijimi i Asociacioni në këto komuna.

Ora 22:03
Deputetja britanike fjalim në parlament: Kosova nuk është Serbi! Dhuna u orkestrua nga Beogradi, po dështohet vendosja e masave ndaj Serbisë

“Kosova nuk është Serbi”. Kështu u shpreh deputetja britanike Alicia Kearns gjatë debatit në parlament ku u diskutua edhe për tensionet në veri të Kosovës.

Sipas Kearns, e cila është edhe kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Beogradi e kishte orkestruar bojkotin për zgjedhjet e mbajtura në komunat me shumicë serbe.

Një koment e pati edhe për SHBA e BE duke thënë se gjetën mënyrën për të kritikuar Kosovën por nuk u morën gjatë me grupet e armatosura që lanë 30 ushtarë të KFOR të plagosur.

“Por ishte faji i ndërhyrjes nga jashtë, dhe duket se shpesh nuk përmendet kjo. Javën e kaluar, kryetarët e komunave, jo me dhunë, tentuan të futen në zyra, por dhuna u orkestrua. Po të ndaloheshin kryetarët tanë të punonin nga zyrat e të detyroheshin të punonin në shtëpi, do të thoshim është goditje e rëndë ndaj demokracisë. Pati dhunë të orkestruar në veri nga milicia e financiar nga Beogradi, dhunë kundër KFOR-it, Policisë, hodhën koktej molotovi, gjuajtën me armë, dogjën vetura.

Po dështohet vendosja e masave ndaj Beogradit, ndërsa ka treguar se si qytetarët në veri kërcënohen nga grupet kriminale”, tha Kearns.

Ora 21:19
Me 30 minuta vonesë, nis takimi i Kurtit me ndërmjetësit Escobar dhe Lajçak

1685863769_gabrielescobar.jpeg

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, kanë mbërritur në ndërtesën e Qeverisë për t’u takuar me kryeministrin Albin Kurti.

Kjo vizitë po zhvillohet në një kohë kur situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar për shkak të protestave të serbëve, që pasuan hyrjen e kryetarëve të zgjedhur shqiptarë të shoqëruar nga forcat e policisë.

Takimi Kurti-Escobar-Lajçak ishte planifikuar të niste në ora 20:00, por ai është shtyrë për gjysmë ore pasi kryeministri Albin Kurti ndodhej në stadiumin ‘’Fadil Vokrri’’, duke ndjekur ndeshjen për Kupën e Kosovës.

Vizita e Lajçakut dhe Escobarit në Kosovë po përcillet edhe nga një numër i medieve të huaja.

BE-ja përmes një deklarate ka kërkuar që sa më parë të shpallen zgjedhjet e parakohshme në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse.

Ora 17:59
KFOR: Ushtarët e lënduar italianë kthehen në Itali

1685951561_1.jpg

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur më 5 qershor se 15 ushtarë italianë të lënduar janë kthyer në shtëpi për trajtim mjekësor. Sipas njoftimit të KFOR-it, 11 prej këtyre ushtarëve të lënduar i kishin pësuar lëndimet gjatë përleshjeve më 29 maj në Zveçan, ndërsa tetë të tjerë u referuan nga kampi Villagio Italia në Pejë për trajtime mjekësore.

“Sot, 15 nga 19 trupat u kthyen në Itali dhe u transferuan në spitalin ushtarak italian ‘Celio’ për trajtim të mëtejshëm mjekësor. Të tjerët do të shërohen në infermierinë mjekësore të KFOR-it në Shtabin e KFOR-it dhe janë planifikuar që së shpejti të kthehen në detyrat e tyre”, thuhen në njoftimin e KFOR-it.

Në po të njëjtën ditë, NATO bëri të ditur se kanë filluar të arrijnë në Kosovë trupat përforcues, të përbërë nga 500 ushtarë të ardhur nga Turqia. NATO tha se këta trupa përforcues do të qëndrojnë në Kosovë për “aq sa të ketë nevojë” dhe se edhe një batalion tjetër është vënë në gatishmëri të lartë për dislokim në Kosovë në rast nevoje.

Prej 29 majit, serbët lokalë të komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale. Më 29 maj, situata është përshkallëzuar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me pjesëtarë të KFOR-it.

Për pasojë janë plagosur 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtës dhe 52 serbë. Vetë shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka dënuar rëndë dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it. Dhuna e ka nxitur NATO-n që të angazhojë 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë në këtë shtet.

Ora 17:10
U sulmua me gurë, KFOR-i ndihmon policinë e Kosovës të largojë makinën e bllokuar nga protestuesit serbë në Zveçan

Një makinë e policisë së Kosovës është sulmuar nga gurë nga protestuesit serbë në Zveçan. Automjeti i efektivëve u bllokua nga protestuesit, por falë ndërhyrjes së KFOR-it, është arritur që të largohet nga hapësira mes barrikadave dhe dhe protestuesve ku kishte mbetur i bllokuar prej 20 minutash.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani konfirmoi se si pasojë e sulmit të protestuesve, veturës i është thyer xhami.

Ora 16:46
NATO konfirmon arritjen e trupave shtesë në Kosovë

1685175926_nato.JPG

NATO ka konfirmuar më 5 qershor se në Kosovë kanë filluar të arrijnë trupat përforcuese për misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, pasi përleshjet e dhunshme me protestuesit në Zvecan më 29 maj i kishin lënë 30 ushtarë të KFOR-it të lënduar.

“Rreth 500 pjesëtarë të shërbimit turk nga batalioni i Brigadës 65 të Mekanizuar të Këmbësorisë së Turqisë do ta përbëjnë pjesën më të madhe të përforcimeve të NATO-s”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga NATO-ja.

Në këtë deklaratë thuhet se këta trupa përforcues do të qëndrojnë në Kosovë për “aq sa të ketë nevojë” dhe se edhe një batalion tjetër është vënë në gatishmëri të lartë për dislokim në Kosovë në rast nevoje.

Ora 15:26
Sulmohet një veturë e Policisë së Kosovës në Zveçan

Policia e Kosovës ka konfirmuar se një makinë policie është sulmuar me gurë gjatë patrullimit afër objektit komunal të Zveçanit.

Si pasojë e sulmit, veturës i është thyer xhami, mirëpo nuk raportohet për të lënduar.Policia e Kosovës ka konfirmuar se hetimet për këtë rast kanë filluar.

"Mund të konfirmojmë se një veturë policore e cila ka qenë me detyrë zyrtare duke patrulluar në drejtim të komunës së Zveqanit, është penguar dhe sulmuar me mjete te forta nga protestuesit", thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Sulme ndaj automjeteve të Policisë së Kosovës u raportuan edhe javën e kaluar, kur një polic mbeti i lënduar. Sulme të ngjashme janë kryer edhe ndaj ekipeve të mediave në komunat në veri të Kosovës.

 

Ora 15:09
Gazeta gjermane artikull për tensionet në veri të Kosovës: Politikat e Kurtit në përputhje me planet serbe për destabilizimin e rajonit

Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ka publikuar një artikull ditën e sotme rreth tensioneve në veri të Kosovës. Pavarësisht se artikulli është shkruar nga gazetari Michael Martens që e kishte intervistuar Kurtin para disa muajsh, sërish ka Kritika të shumta për qeverinë e Kosovës.

Në artikullin e titulluar “Kush po bën lojë të gabuar në Kosovë?” flitet për tensionet në veri të Kosovës ku theksohet se politikat e kryeministrit të Kosvoës janë në përputhje me planet serbe për destabilizimin e rajonit.

“...politikat e kryeministrit kosovar Kurti janë në përputhje me planet serbe për destabilizim të rajonit,” – shkruan Martens mes tjerash në këtë artikull, duke e argumentuar më tej këtë pikëpamje.

Më tej në artillu Martens shkruan se një konflikt i ri në Evropën Juglindore është gjëja e fundit që i duhet perëndimit aktualisht.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dëshiron të përdor gjithë pushtetin e tij për të siguruar monopolin e shtetit në përdorim të dhunës në veri. Presidenti serb Aleksandër Vuçiq, qeveria e të cilit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dëshiron ta pengojë një gjë të tillë – dhe ka qenë goxha e suksesshme deri tash. Megjithatë, Kurti po ia bën panevojshëm shumë të lehtë.” –  theksohet në një tjetër paragraf.

Si po e bën Kurti më të lehtë për Vuçiçin?

Në artikull Martens shkruan se Kurti po pengon krijimin e Asociacionit me arsyetime që sipas tij janë të dobëta. Sipas gazetarit gjerman, argumentet e Kurtit mbi asociacionin nuk qëndrojnë.

“Përveç faktit që enklavat serbe në jug, të rrethuara nga vendbanime shqiptare, nuk mund të shkëputeshin lehtë nga pjesa tjetër e Kosovës, vetë qeveria kosovare ka fuqinë t’ia heqë lehtë këtë instrument Vuçiqit. Modelet e një Asociacioni sigurisht që janë të imagjinueshme, të cilat do t’i mundësonin pakicës serbe të vetëqeverisej në masë të madhe pa rrezikuar shtetin kosovar.” – argumenton tutje Martens.

Sipas tij, duke e refuzuar edhe vetë idenë e një Asociacioni serb të komunave, Kurti po e bën më të lehtë planin e Vuçiçit për destabilizimin e Kosovës dhe për fajësimin e Prishtinës për një gjë të tillë.

Ora 13:52
Zëdhënësi i BE, Peter Stano: Gati të presim takim të nivelit të lartë Kurti-Vuçiç nëse palët janë dakord

1685445198_101664.jpg

Bashkimi Evropian ka thënë të hënën se, është i gatshëm të organizojë takim të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por, sipas bllokut, për diçka të tillë duhet krijuar kushtet.

Kështu ka deklaruar të hënën zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke komentuar takimin e mundshëm në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

“Natyrisht, ne jemi gjithmonë të gatshëm të jemi mikpritës të takimit në nivel të lartë, në kuadër të dialogut mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, kur të ketë kushte, dhe kur të dy ata të pajtohen për diçka të tillë. Por, në këtë fazë, gjëja më e rëndësishme është që të ulen tensionet në terren dhe të ndërmerren hapa konkretë. Dhe pikërisht për këtë, ne e kemi të dërguarin e posaçëm të BE-së [Mirosllav] Lajçak. Ai pasi të jetë në Prishtinë dhe Beograd, do të raportojë te Përfaqësuesi i Lartë, [Josep] Borrell, e Përfaqësuesi i Lartë do t'i njoftojë vendet anëtare, për të vendosur për hapat e mëtejmë” ka thënë Stano.

Ora 13:17
Protestuesit pengojnë qarkullimin e makinës së Policisë në Zveçan

Makina e Policisë së Kosovës, e bllokuar në rrugë.

Në Zveçan raporton se protestuesit nuk po lejojnë qarkullimin e një makine të Policisë së Kosovës.

Makina duket se është nisur drejt pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, por tani ka mbetur e bllokuar.

Qytetarët kanë zënë rrugën dhe makina ka mbetur në vend.

Ora 13:14
Tensionet në veri të Kosovës, KFOR heq një pjesë të telave me gjemba rreth komunës së Zveçanit

1685963667_Capture.JPG

Pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, i kanë hequr një pjesë të telave gjemborë që i ka vendosur ditë më parë, për të rritur sigurinë.

Telat gjemborë janë parë, një ditë pas përleshjes që ka ndodhur mes serbëve lokalë dhe pjesëtarëve të KFOR-it.

NATO-ja dhe diplomatë vendorë e të huaj i kanë dënuar sulmet në instancat më të larta.

Ora 10:32
Situata në veri të Kosovës, edhe nxënësit serb të shkollave fillore protestojnë në Zveçan

Nxënës të shkollave fillore në Zveçan janë mbledhur të hënën para ndërtesës komunale, po protestojnë serbët lokalë. Ata kanë paralajmëruar se do të performojnë aty, por nuk dihet se çfarë, raporton REL.

Ora 09:34
Lista Serbe ka dy kushte për pjesëmarrjen në zgjedhje: Të tërhiqet policia e Kosovës ne veri dhe të formohet Asociacioni

1684494379_listaserbe.JPG

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka thënë të hënën se do të marrë pjesë në zgjedhje, që eventualisht do të mund të mbahen për komunat në veri, kur t’i plotësohen dy kushte.

Ajo ka thënë se forcat speciale të Policisë së Kosovës duhet të tërhiqen nga veriu i Kosovës, dhe që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Lista Serbe ka bojkotuar zgjedhjet e mbajtura për kryetarë të komunave në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç – dhe as nuk i njeh kryetarët e rinj shqiptarë.

Duke folur për tensionet në veri, Lista Serbe ka thënë se çelësi për ulje të tensioneve është që të mos ketë forca speciale të Policisë së Kosovës në veri dhe që kryetarët, që ajo i konsideron “të paligjshëm”, të mos shkojnë në ndërtesat komunale.

Ajo e ka përmendur edhe nevojën për lirimin e dy serbëve të paraburgosur nga autoritetet e Kosovës, ditë më parë, gjatë përleshjeve në Zveçan.

Ata dyshohen për “veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “rrezikim të personave në mbrojtje ndërkombëtare” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.

Ora 08:51
Tensionet në veri të Kosovës, kreu i Listës Serbe shihet me protestuesit në Zveçan

Në mëngjesin e së hënës, para objektit komunal të Zveçanit janë parë edhe kryetari dhe nënkryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç dhe Igor Simiç.

Ata kanë qenë prezentë edhe përgjatë javës së kaluar në protesta. Të dy i kanë bërë thirrje të vazhdueshme pjesëtarëve të KFOR-it që të jenë garantuesit e vetëm të sigurisë në atë pjesë, dhe që të mos ketë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, i ka bojkotuar zgjedhjet e prillit për kryetarë të komunave në veri. Ajo, po ashtu, u ka bërë thirrje edhe qytetarëve që të mos dalin në zgjedhje.

Ora 08:43
Protestuesit serbë fillojnë të mblidhen në veri

Në ditën e njëmbëdhjetë të protestës, protestuesit në komunat veriore të vendit, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, kanë filluar të mblidhen edhe sot para ndërtesave komunale në Veri.

Nata e mbrëmshme ka kaluar e qetë në këto komuna.

Për dallim nga herët tjera, gjatë ditës së djeshme në komunën e Zubin Potokut nuk ka pasur protestues, ndërsa qytetarët serbë kanë festuar “Ditën e përkujtimeve’.

Ora 07:48
Situatë e qetë në veri të Kosovës, pak protestues në Zveçan

Prej 29 majit, serbët vijojnë protestat në veri të Kosovës. Situata deri më tani paraqitet e qetë. Radio Evropa e Lirë raporton se afër ndërtesës së komunës në Zveçan shihet një numër i vogël protestuesish, në krahasim me ditët paraprake.

SI.E./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • epo kjo pune: 05/06/2023 19:39

    dmth ato kushte qe ve lista serbe ve dhe amerika... cfare po ndodh? a do llastonte rusia kosoven ne kurriz te serbise?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë