Tensionet në veri, Stoltenberg thirrje Kosovës dhe Serbisë: Ulni tensionet! Kurti nuk tërhiqet: S’bëj kompromis! Escobar e Lajçak nesër në Beograd

KOSOVË- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i bëri sot thirrje Kosovës dhe Serbisë për të ulur tensionet e vazhdueshme në 4 komunat e veriut. Gjatë qëndrimit në Turqi përshëndeti vendimin e për të ofruar forca shtesë për praninë e KFOR-it në Kosovë

Ndërkombëtarët vijojnë të rrisin presionin ndaj Kosovës dhe Serbisë të cilave u bëjnë thirrje të përmbahen nga sjelljet e papërgjegjshme dhe të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar së bashku me të dërguarin e BE-së Miroslav Lajçak pritet të vizitojnë të hënën dhe të martën Kosovën dhe Serbinë për të kërkuar zbatimin e 4 kërkesave të kërkuara nga BE me nismë fillimisht të Gjermanisë dhe Francës për zgjedhje të reja në 3 komunat me shumicë serbe, garantimin e pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje dhe nisjen e punës për asosacionin.

Të dielën situata u raportua e qetë në tri komunat veriore të vendit, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, ku serbët vijojnë të protestojnë që prej 29 majit.

Pavarësisht reduktimit të tensioneve, retorika e dy palëve në Kosovë e Serbi vijon të jetë e ashpër. Në një intervistë për BBC mëngjesin e së dielës, Albin Kurti paralajmëroi se nuk do të tërhiqet dhe se krerët e 3 komunave duhet të qëndrojnë në zyrat e tyre dhe se nuk mund të bëhet kompromis me republikën demokratike. 

“Kryetarët janë në zyrat e tyre, kështu duhet të jetë dhe të qëndrojë. Ata (protestuesit) janë struktura ilegale të ndikuara nga Beogradi që duan ta destabilizojnë vendin tonë. Ne duam republikë demokratike, dhe në këto objektet ne mund ta zbusim numrin e policisë, por së pari bandat që kanë sulmuar gazetarët, policinë dhe KFOR-it duhet të shkojnë në Serbi ose në burg”, tha Kurti.

Sa i takon thirrjeve të ndërkombëtarëve për të ulur përmes bisedimeve tensionet në veri, Kurti thotë se SHBA e BE janë partnerë të padiskutueshëm, por nuk do të bëjë kompromis për republikën.

“Ne konsiderojmë Amerikën dhe BE-në, botën perëndimore si partner të padiskutueshëm. Por ne nuk mund të lejojmë që republika demokratike të bie në duart e milicisë fashiste”, vijoi Kurti.

I dërguari i SHBA Gabriel Escobar i bëri një tjetër thirrje Kurtit për të gjetur zgjidhje për veriun.

“Kurti duhet të tërheqë policinë nga objektet komunale, dhe urgjentisht të fillojë punën për punën e Asociacionit”, tha Escobar për BBC.

Situata në Kosovë vijon të jetë e tensionuar, me serbët në protesta që prej 29 marsit, ndërsa ndërkombëtarët po i bëjnë thirrje palëve që të ulen në bisedime. 

Po ashtu, Kurti zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed, në foksusin e së cilës kanë qenë tensionet në veri. Kurti shkruan se për të çtensionuar situatën, duhet që serbët të ndalojnë dhunën që po ushtrojnë në veri, ndërsa thotë se nëse kjo ndodh do të nisin zbatimin e marrëveshjes së arritur mes dy palëve në Bruksel deri në zgjedhjet e ardhshme në veri, të cilat janë paralajmëruar pas kërkesës së partnerëve ndërkombëtarë.

“Pati një telefonatë me Sheikh Abdullah bin Zayed. Faleminderit për mbështetjen e gjatë të Emirateve të Bashkuara Arabe gjithë viteve. Theksova se hapi i parë drejt deeskalimit është përfundimi i menjëhershëm i dhunës ndaj institucioneve të sigurisë dhe zbatimi i menjëhershëm i Marrëveshjes Themelore deri në zgjedhjet e ardhshme”, shkroi ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:33
Kurti: Ndërkombëtarët na thanë se pas 3 prillit, Serbia do ndryshonte qëndrim por kjo gjë nuk ndodhi

1685815096_albinkurti.jpg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë të dhënë për Geopost ka deklaruar se ndryshe nga çfarë i thonin ndërkombëtarët për ndryshimin e qëndrimit të Serbisë, një gjë e tillë nuk ndodhi pavarësisht se kreu i ekzekutivit nuk ashpërsoi më herët retorikën ndaj Beogradit.

Ai tha se pritej që pas datës 3 prill kur do të mbaheshin zgjedhjet në Serbi, të ndryshohej orientimi dhe të ishin tërësisht të orientuar nga perëndimi, por shton se një gjë e tillë nuk ndodhi dhe nga kjo duhen nxjerrë mësime.

"Unë mbaj mend shumë mirë muajin mars të vitit të kaluar, kur ne në Kosovë na thoshin se duhet të kursenim Serbinë nga retorika e ashpër ndaj saj. Prisnim që pas datës 3 prill, kur do të mbaheshin zgjedhjet në Serbi, ata do të ndryshonin orientimin e tyre dhe do të ishin tërësisht të drejtuar kah perëndimi. Por kjo nuk ndodhi dhe duhet të nxjerrim mësime nga kjo”- tha Kurti.

Kurti theksoi se lufta hibride në Ballkanin Perëndimor ka qendrën e saj në Serbi, veçanërisht në Beograd dhe Nish.

“Pra, lufta hibride në Ballkanin Perëndimor e ka qendrën e vet e kjo është Serbia, përkatësisht Beogradi dhe Nishi. Tash, ajo qendra humanitare Ruse në Nish nuk po mbyllet, dhe përkundër thirrjeve nga Perëndimi ajo vazhdon të jetë gjithnjë e më aktive, në anën tjetër ambasadori Rus në Beograd”, - ka thënë tutje Kurti.

Ora 19:24
Stoltenberg thirrje Kosovës dhe Serbisë: Ulni tensionet! Dialogu i lehtësuar nga BE, zgjidhja e vetme

1679408791_nato.JPG

Gjatë vizitës në Turqi, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë për të ulur tensionet e vazhdueshme në 4 komunat e veriut.

Stoltenberg dënoi fuqishëm sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it dhe siguroi se “KFOR-i dhe NATO do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë”.

Ai përshëndeti vendimin e Turqisë për të ofruar forca shtesë për praninë e KFOR-it në Kosovë dhe më tej informoi se blloku i sigurisë do të vendosë 700 trupa nga rezervat operacionale të NATO-s dhe se Turqia do të mbikëqyrë këtë proces.

Stoltenberg përfundoi duke i bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të de-përshkallëzojnë situatën, të përmbahen nga sjelljet e papërgjegjshme dhe të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, duke theksuar se është rruga e vetme drejt paqes.

Ora 14:21
Tensionet në veri, Turqia nis trupat e saj në Kosovë për të përforcuar KFOR-in

Ministria turke e Mbrojtjes ka konfirmuar të dielën, nisjen e një numri të ushtarëve turq në Kosovë, si përforcim për misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR. Përmes disa pamjeve të publikuara në Twitter, autoritetet turke kanë thënë se pas ngjarjeve të fundit në Kosovë, batalioni i Brigadës 65 të Mekanizuar të Këmbësorisë, është nisur drejt Kosovës.

 

Ora 14:20
Komandanti i KFOR-it i ashpër me Kurtin: Nuk është NATO çadër ku strehohesh pas veprimeve të njëanshme

1685892096_Fk51rA6X0AAkMi.jpg

“Misioni i NATO-s nuk mund dhe nuk duhet të konsiderohet ombrella nën të cilën mund të strehohet pas veprimeve të njëanshme që prishin ekuilibrat shumë të pasigurt ”.

Me këtë frazë nis intervista e CorriereDella Sera për kreun e KFOR-it lidhur me situatën në veri të Kosovës. Angelo Michele Ristuccia, në një intervistë për gazetën italiane “Corriere”, ka kritikuar gjerësisht Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për “veprime të njëanshme” dhe hapa të mbrapsht prej dy viteve.

Ristuccia e vlerësoi si “të gabuar” vendimin e Kryetarit të Qeverisë ës Kosovës, Albin Kurti, për të instaluar tre kryetarët shqiptarë në komunat veriore pa u pranuar nga popullata lokale atje, ndërsa intervenimin e KFOR’it e quajti “shmangie të një tragjedie”.

Pjësë nga intervista:

Komandant, për çfarë e keni fjalën?

“Para së gjithash, vendimi i kryeministrit kosovar Albin Kurti për të vendosur kryetarë komunash me përkatësi etnike shqiptare të pa njohur nga shumica serbe, pa marrë parasysh këshillat e kundërta të gjithë bashkësisë ndërkombëtare. Veprimi i dytë i njëanshëm i qeverisë së Prishtinës ishte përdorimi i forcës pa u konsultuar me ne, duke e bërë kështu të nevojshme ndërhyrjen tonë për të shmangur një tragjedi”.

A nuk ishte kjo një zgjedhje legjitime nga ana e qeverisë së një vendi që vepron në territorin e vet?

“Ju lutem, le të mos pretendojmë se kjo është një situatë normale. Këto janë vendime të marra pa koordinim paraprak me ne dhe me palët e përfshira. Nuk është hera e parë që ndodh. Kjo është një qasje që sigurisht nuk nxit besimin e ndërsjellë. Ne gjithmonë duhet të vlerësojmë pasojat e dëmshme që kanë këto lloj veprimesh. Kur më fliste, kryeministri Kurti ishte gjithmonë dakord me këtë qasje”.

Pse nuk e ndoqi këtë herë?

"Pyet atë."

Ne e bëme atë. Ai përgjigjet se Kosova është shtet sovran dhe nuk mund të dorëzohet para shantazheve të dhunuesve.

“Si ushtarë, ne jemi të shqetësuar për sigurinë, stabilitetin dhe lirinë e lëvizjes së dy grupeve etnike. Unë nuk i gjykoj vendimet politike, por kam për detyrë të shqetësohem për pasojat e tyre, të cilat në një kontekst kaq delikat mund të çojnë lehtësisht në përshkallëzim, siç e kemi parë".

Çfarë do të ishte Kosova e Veriut pa misionin e NATO-s?

“Një tjetër vatër lufte. Situata me të cilën po përballemi është rezultat i një sërë krizash të grumbulluara me kalimin e kohës. Le ta quajmë një destabilitet të kontrolluar, i cili megjithatë po bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm në terren, për shkak të brishtësisë së marrëdhënieve mes dy grupeve etnike dhe kushdo që i përfaqëson ato. Çdo balancë e arritur me përpjekje të mëdha, krizë pas krize, po bëhet gjithnjë e më e pasigurt”.

A janë përgjegjësitë vetëm në njërën anë?

"Absolutisht jo. Të dyja palët nuk janë në gjendje të përfitojnë nga objektivat e arritura ndër vite, me përpjekje të mëdha nga diplomacia ndërkombëtare. Në momentin që ka një marrëveshje, ajo duhet të zbatohet. Por pa asnjë dialog, mbetet një letër e vdekur. Në bazë të gjithçkaje ka vetëm mosbesim të ndërsjellë. Pacta sunt servanda. Kjo do të mjaftonte. Por ata nuk mund ta bëjnë këtë”.

A është faji i nacionalizmave të ndërsjellë?

“Ky mjedis është i ngopur me retorikë absolutisht joproduktive dhe të rrezikshme, krejtësisht jofunksionale ndaj objektivave të paqes që bashkësia ndërkombëtare dëshiron të arrijë në Kosovë”.

Pra, a mungon vullneti politik?

“Në njëzet vitet e fundit janë arritur rezultate të rëndësishme. Edhe në kushtet e bashkëjetesës paqësore. Por duke filluar nga viti 2021, vetëm një hap prapa, si karkalecat. Për shkak të polarizimit ekstrem të disa fakteve, të shfrytëzuara nga të gjitha palët e përfshira në emër të politikave ekstremiste, të cilat kanë cenuar stabilitetin mes dy grupeve etnike”.

Sa i lartë është rreziku i përkeqësimit të mëtejshëm të situatës?

“Ndërhyrja jonë krijoi një efekt afatshkurtër. Përmes veprimeve diplomatike, Serbia dhe Kosova kanë filluar sërish të bisedojnë me njëra-tjetrën. Shpresojmë që kjo periudhë kohore të përdoret për të nisur negociatat reale. Sikur të mos ishte bërë deri më tani”.

Ora 12:19
Pak protestues, ditë e qetë në veri të Kosovës

Për të shtatën ditë me radhë, po vazhdojnë protestat në tri komunat e veriut në Kosovë. Njëjtë sikur dje, edhe sot, pak protestues janë parë në Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq.

Protestuesit po qëndrojnë nëpër disa çadra që i kanë vendosur pas reshjeve të shumta të shiut.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se numri i policëve mund të zvogëlohet, vetëm pas largimit të bandave nga veriu.

Ora 10:08
Tensionet në veri të Kosovës, Escobar për BBC: Kurti të tërheqë policinë nga objektet komunale

1684677616_gabrielescobar.jpg

I dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka dhënë një intervistë për BBC. Escobar ka thënë se Kurti duhet të tërheqë policinë nga objektet komunale dh të fillojë punën për themelimin e Asociacionit.

“Kurti duhet të tërheqë policinë nga objektet komunale, dhe urgjentisht, urgjentisht të fillojë punën për punën e Asociacionit”, tha Escobar.

Ai ka thënë se përshkallëzimi i tensioneve në veri të Kosovës, ka qenë i shmangshëm.

“Ky përshkallëzim ka qenë pjesërisht rezultat i mosgatishmërisë së palës kosovare që ta dëgjojë komunitetin ndërkombëtar. Ajo i ka provokuar tensionet, në mënyrë të panevojshme, duke insistuar në shfrytëzimin e objekteve komunale. Ekzistojnë ndërtesa tjera prej të cilave mund të bëhet puna, dhe nëse asgjë tjetër, pandemia e koronavirusit na ka mësuar që mund të punojmë edhe nga lokacione alternative”.

Escobar ka thënë se përpjekjet e faktorit ndërkombëtar për t’u koordinuar me Qeverinë e Kosovës, kanë hasur në rezistencë.

“Nuk ka pasur nevojë që të shkohet në ato ndërtesa. Ato nuk e kanë ndonjë vlerë reale. Ato janë kryesisht të thata tani. Kurti na ka siguruar që ata kryetarë do të ushtrojnë vetëm autoritetet administrativ, për të kryer shërbime bazike komunale”.

Escobar ka përsëritur se duhet të thyhet cikli i dhunës dhe se të dyja palët, si Kosova, ashtu edhe Serbia, kanë përgjegjësi për të vepruar në atë drejtim.

“Shumë pjesëtarë të komunitetit ndërkombëtar janë duke e parë këtë situatë si përbalje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por na duhet ta kujtojmë se këtu ekziston edhe një dështim për arritur pajtim etnik brenda Kosovës. Ne i kemi inkurajuar të dyja palët që të angazhohen në dialog”.

I pyetur se çfarë kërkon aktualisht SHBA-ja nga Kurti, Escobar ka thënë se kryeministrit të Kosovës i janë dhënë shumë porosi.

“Ne e kemi porositur atë që t’i tërheqë kryetarët nga ndërtesat komunale, që t’i largojë zyrtarët policorë nga ndërtesat, dhe që më pas, me urgjencë, të nisin diskutimet për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Ora 10:00
Tensionet në veri, sulmohet një makinë e Policisë së Kosovës në Leposaviç

1685603490_kosovopolice1.jpg

Policia e Kosovës njofton se një makinë re policisë së Kosovës është sulmuar gjatë ditës së djeshme, por këtë informacion e bëri publik vetëm sot. Mësohet se ka vetëm dëme materiale.

“Është raportuar se një veturë e policisë është sulmuar me mjete të forta deri sa ka qenë në lëvizje. Nuk është identifikuar ndonjë person i dyshuar deri më tani. Përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për të lënduar. Rasti është duke hetuar nga njësitet kompetente”, njofton policia.

Ora 09:49
Kurti për BBC: Kryetarët e komunave janë në zyrat e tyre, s’kanë pse largohen! S'lejojmë që Kosova të bie në duart e milicisë fashiste

1685815096_albinkurti.jpg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurtik ka dhënë një intervistë për BCC, ku ka folur për tensionet në veri të Kosovës. Kurti thotë se kryetarët e komunave janë në godinat dhe zyrat e tyre dhe nuk do të largohen nga aty.

“Në këto tri komuna ne kemi tri objekte komunale dhe nëse jo kryetarët, kush duhet të jetë aty. Dhe nëse këto komuna nuk janë për kryetarët, për kënd janë? Kryetarët janë në zyrat e tyre, kështu duhet të jetë dhe të qëndrojë. Ata janë struktura ilegale të ndikuara nga Beogradi që duan ta destabilizojnë vendin tonë. Ne duam republikë demokratike, dhe në këto objektet ne mund ta zbusim numrin e policisë, por së pari bandat që kanë sulmuar gazetarët, policinë dhe KFOR-it duhet të shkojnë në Serbi ose në burg”, tha Kurti, transmeton Nacionale.

Këtu ndërhyri gazetari i cili e pyeti se a do të thotë kjo që nuk është i gatshëm për kompromis.

“Unë nuk mund të bëj kompromis me republikën demokratike, duke qenë kryeministër i republikës më demokratike në Ballkan. Vuçiç është autokratik. Serbia nuk lejon serbët në Kosovë të kenë më shumë se një parti”, tha ai.

“Unë kam ministër serb Nenad Rashiç, që nuk është në Listën Serbe, por është i urryer nga Lista Serbe”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës tha se nuk do të lejojë që të dëmtohet Kosova dhe që ajo të bie në duart e milicisë fashiste.

“Ne konsiderojmë Amerikën dhe BE-në, botën perëndimore si partner të padiskutueshëm. Por ne nuk mund të lejojmë që republika demokratike të bie në duart e milicisë fashiste, që kryesohen nga ministri i propagandës së Millosheviqit. Ata nuk janë distancuar nga Millosheviqi, nuk janë distancuar nga Putini, Serbia është e vetmja që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Disa mund të komplikojnë, por situata është e thjeshtë”, deklaroi Albin Kurti.

Ora 09:27
Tensionet në veri, nesër dhe pasnesër Lajçak dhe Esobar vizitojnë Kosovën dhe Serbinë

Pas tensioneve në veri të Kosovës, i dërguari i Posaçëm i BE-së për Ballkanin, Miroslav Lajçak dhe ai i SHBA-së, Gabriel Escobar do të vizitojnë nesër dhe pasnesër Kosovën dhe Serbinë.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimi Evropian, Peter Stano, i cili tha se Escobar dhe Lajçak këtë vizitë do e zhvillojnë për depërshkallëzimin e tensioneve në Veri.

“Mund të konfirmoj se përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak do të shkojë në Prishtinë dhe Beograd të hënën dhe të martën, së bashku me të dërguarin e SHBA-së, Gabriel Escobar, për të ndjekur thirrjet e nivelit më të lartë të BE-së për de-përshkallëzimin e tensioneve në veriun e Kosovës”, ka thënë ai për Kosovapress.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • GOLI: 04/06/2023 14:47

    PER TE BERE MBROJTJEN E QELLUAR PER MEMEDHEUN-PATJETER DUHET VAJTUR NE SULM....FEUDALISTI TE SHIKON SI QEN I DEGJUSHEM,NE TE KUNDERTEN JE I PADESHIRUAR.....FEUDALISTI FARE SE ÇAN PER TE QENE ME DINJITET.

    Përgjigju
  • Ops: 04/06/2023 11:37

    Aman o albin se na merzitet miku vucicit, Ramazoni

    Përgjigju
  • agim: 04/06/2023 09:45

    SPAK vazhdon te kete kujdes ne sjelljen e tij.Nuk i afrohert peshqeve te medhenje e arinjeve si Meta Berisha BaSHA APO DHE rAMA,BILE AS ish ministrave Bode, Imami Rruli etj apo kapos mediu,mjafton me ca drejtor,kryebashkiak periferik e ndoshta me ndonje zv,minister qe merr nje arke persshk etj.Shkurt reforma ne drejtsi e perralla te keti pilafi deshtuan.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush, a duhet që KFOR të marrë në kontroll veriun e Kosovës?



×

Lajmi i fundit

Luajnë kundër kampionëve në Korçë, Ivan Gvozdenovic: Skënderbeu kërkon fitoren

Luajnë kundër kampionëve në Korçë, Ivan Gvozdenovic: Skënderbeu kërkon fitoren