Tensionet vijojnë në veri të Kosovës, NATO çon 700 trupa shtesë: Dhuna rrezikon të ardhmen! Kurti: Demokracia nuk pezullohet

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të ndërpresin stërvitjet e përbashkëta ushtarake “Defender 23” që ishin duke u mbajtur në Kosovë si reagim ndaj veprimeve të kryeministrit Albin Kurti në veri të Kosovës të cilat "nuk ishin bashkërenduar me Shtetet e Bashkuara duke krijuar një krizë të panevojshme e dëmtuar edhe marrëdhëniet me Uashingtonin" deklaroi pasditen e sotme ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier

Ambasadori e quajti kthim prapa në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Duke cituar sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se do të ndikojë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Shenja e parë e kësaj është vendimi i natës së kaluar i komandantit të Forcave amerikane në Evropë, Christopher Cavoli, për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet "Defender Europe 2023". Për Kosovën kjo stërvitje ka marrë fund”, tha ambasadori Hovenier.

Ndërkohë Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur se aleanca veri-atlantike do ta rrisë për 700, numrin e trupave në Kosovë. Sipas Stoltenberg, dhuna është duke e kthyer mbrapa Kosovën dhe gjithë rajonin, si dhe i vë në rrezik aspiratat euro-atlantike.

Nga ana e tij kryeministri Albin Kurti dha mbështetjen e plotë institucionale për kryetarët e rinj të komunave veriore duke nënvizuar se “demokracia nuk mund të suspendohet, e as të mbahet peng”. Protestat e serbëve në tre komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok u mbyllën pasditen e sotme. Protestuesit serbë nuk u përplasën me ushtarët e KFOR apo Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës, por u raportua për sulme ndaj gazetarëve shqiptarë që ndodheshin atje të raportonin situatën. Report Tv me gazetarin, Ermal Qori ishin në tre komunat në veri të Kosovës, ku raportoi në kohë reale për të gjithë situatën e ndodhur.

KFOR njoftoi se dje mbetën të plagosur 30 ushtarë, nga të cilët 3 ishin ushtarë hungarezë të cilët janë qëlluan me armë zjarri. Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të marrin “përgjegjësinë e plotë” për ngjarjet që ndodhën më 29 maj në veri të Kosovës.
 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:18
Blinken kritikoi qeverinë e Kosovës, i përgjigjet Kurti: E padrejtë dhe e gabuar

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka thënë të martën të përditshmes britanike Guardian se, dita e hënë ka qenë shumë e rëndë, dhe se “jemi me fat që nuk është humbur asnjë jetë". Ai u është referuar përleshjeve në mes të pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, me protestuesit serbë në Zveçan, të cilët e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptar në komunat e banuara me shumicë serbe – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – nëpër ndërtesat komunale.

Kurti i ka fajësuar për dhunën në veri, ato që i ka quajtur “banda fashiste” të udhëhequra nga Qeveria e Serbisë. Dhuna është dënuar nga NATO-ja dhe faktori ndërkombëtar, derisa Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të marrë hapa në uljen e tensioneve në veri. Të premten, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës, për të hyrë me forcat në ndërtesat komunale në veri, është marrë “kundër këshillës” së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë, dhe i cili “i ka përshkallëzuar pa nevojë tensionet”. Kurti është shprehur i pakënaqur me këtë deklaratë.

“Mendoj se, jo vetëm që është e padrejtë dhe e gabuar e edhe lënduese, por në të njëjtën kohë është shumë naive”, ka thënë Kurti për Guardian, në një intervistë përmes telefonit.

“Ndoshta Sekretari Blinken do ta sqarojë këtë gjë më shumë një ditë, por definitivisht nuk ka qenë e dobishme”.

Prej asaj deklarate, Kurti ka thënë se ka folur me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ai ka thënë se Escobar u ka kërkuar autoriteteve të Kosovës që t’i dërgojnë kryetarët në objekte tjera, apo edhe të punojnë prej shtëpisë – kërkesë që ai e ka refuzuar.

“Nuk mund të kemi kryetarë me Zoom (platformë online për takime), ne jemi republikë demokratike. Një republikë demokratike, nuk mund t’i dorëzohet milicisë fashiste”, ka shtuar ai.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të martën, në një bashkëbisedim me gazetarë se, Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: "stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund" për të./REL

Ora 21:52
Kurti për CNN: Ndërkombëtarët njohën zgjedhjet në veri, s'e dorëzoj republikën demokratike të Kosovës para një milicie fashiste

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas tensioneve në veri të Kosovës ka folur për CNN. Në intervistën dhënë medias amerikane, Kurti ka ka thënë se nuk mund ta dorëzojë republikën demokratike të Kosovës para milicisë fashiste. Kurti, i pyetur për reagimet e ndërkombëtarëve dhe ndëshkimet nga SHBA, që lidhen edhe me përjashtimin e Kosovës nga Defender Europe 2023, ka thënë se fillimisht ndërkombëtarët kanë njohur rezultatin e zgjedhjeve. Ai ka thënë se meqenëse e kanë njohur këtë rezultat, atëherë kryetarët janë ata që duhet të hyjnë në objektet e komunës.

“Të gjitha trupat ndërkombëtare e njohën rezultatin e zgjedhjeve. Posa të njohësh këtë rezultat, atëherë kryetarët duhet të shkojnë në objektet e komunave. Kush tjetër duhet të shkojë në këto objekte, nëse jo kryetarët?”, ka pyetur Kurti. “Nuk do ta dorëzoj republikën demokratike para një milicie fashiste”, ka vazhduar ai.

Ai ka thënë se bandat e dhunshme që sulmuan Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe gazetarët, dirigjohen nga Serbia.

“Ne kemi shumë video dhe foto që shfaqin milicinë serbe duke qenë pjesë e bandave të dhunshme. Disa nga ta vijnë nga Kosova, por disa edhe nga Serbia. Serbia fqinje është autokraci pro-ruse”, ka thënë ai. “Ata kanë urdhëruar këtë të ashtuquajtur xhandarmëri, për të shkaktuar trazira në Kosovë”, ka vazhduar Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka theksuar se Kosova nuk mund ta privilegjojë një komunitet të vetëm.

“Kemi një komunitet serb në Kosovë, që është 5% e popullsisë. Ne duam të jetojmë në një shoqëri multikulturore, por s’duam të kemi një minoritet të privilegjuar, sepse Beogradi do kompenzim për bombardimin nga NATO-ja në kohën e Millshoeviqit”, ka dekalruar Kurti.

Ora 21:24
Tensionet në veri të Kosovës, gazetar i Report Tv raporton nga Mitrovica: Situata paraqitet e qetë

 

Nga Mitrovica, ku ndodhet për të raportuar në lidhje me situatën në veri të Kosovës, pas përplasjes mes protestuesve serbë dhe forcave të KFOR-it, gazetari i Report Tv, Ermal Qori u shpreh se momentalisht situata paraqitet e qetë.

Sipas gazetarit Qori, momentalisht nuk ka asnjë vijim të protestës. Megjithatë gazetari paralajmëroi se nesër pritet që të ketë protesta.

Ndërkohë sipas raportimeve, sot janë sulmuar edhe mediat shqiptare atje, por fatmirësisht nuk ka gazetar të lënduar, por mjetet e tyre janë sulmuar. Në të tre komunat ka pasur një pjesëmarrje të lartë të protestuesve.

Ora 19:36
Protestat e dhunshme të serbëve ne veri, Kurti: Kryetarët e rinj, të vetmit që kanë legjitimitet të jenë në ndërtesa të komunave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se, kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të Kosovës – me shumicë serbe – kanë mbështetjen e plotë të ekzekutivit.

Sipas Kurtit, ata ‘janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave, dhe në shërbim të qytetarëve’.

“Demokracia nuk mund të suspendohet, e as të mbahet peng. Ushtrimi i saj është garant i paqes dhe sigurisë, assesi kërcënim apo rrezikim”.

Sa u përket përleshjeve të së hënës në Zveçan, mes forcave të KFOR-it dhe protestuesve serbë – të cilët e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në ndërtesat komunale - Kurti ka thënë se “nuk mund të ketë individë e as grupe mbi ligjin e më të fuqishëm se shteti”.

“Të tillë janë kriminelët multi-milionerë si Milan Radojçiç e Zvonko Veselinoviq. Ata janë pronarë të mëdhenj të bizneseve e të kontrabandës, që i kushtëzojnë punëtorët e varfër të tyre, të dalin në protesta të dhunshme. Në fakt, kjo është mënyra e vetë shefave të tyre urdhërdhënës në Beograd ndaj administratës publike: mënyra e Aleksandar Vuçiç, Aleksandar Vulin dhe Ivica Daçiç”.

Kurti ka thënë se institucionet e Kosovës janë duke komunikuar me partnerët ndërkombëtarë, dhe se të gjitha palët e synojnë qetësimin e situatës.

Përveç Zveçanit, protesta janë mbajtur edhe në Leposaviç dhe Zubin Potok.

 

Ora 19:03
Tensionet në veri, Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg: 700 forca shtesë në Kosovë

1679408791_nato.JPG

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur se aleanca veri-atlantike do ta rrisë me 700, numrin e trupave në Kosovë, në kuadër të misionit të saj, KFOR.

Në një konferencë për media me kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Store, ka dënuar sulmet që kanë ndodhur ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, të hënën në veri të Kosovës, dhe ka thënë se ato janë të “papranueshme”.

“Ne kemi vendosur t’i angazhojmë 700 trupa shtesë nga Forca Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, dhe që të ngrejmë në nivel të lartë gatishmërinë e një batalioni shtesë të forcave rezervë, ashtu që ata të mund të angazhohen, nëse do të ketë nevojë”.- tha Stoltenberg.

Sipas Stoltenbergut, dhuna është duke e kthyer mbrapa Kosovën dhe gjithë rajonin, si dhe i vë në rrezik aspiratat euro-atlantike.

“Prishtina dhe Beogradi duhet të marrin hapa konkretë për ulje të tensioneve, të përmbahen nga sjelljet e papërgjegjshme dhe të angazhohen në dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja, si rrugë e vetme për paqe afatgjatë”.

Ora 16:45
Përplasjet në veri, Hovenier: Anulimi i pjesëmarrjes në Defender 23, pasoja e parë për Kosovën

1685353914_hovenier.jpg

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: "stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund" për të. Hovenier i bëri komentet në një takim me një grup gazetarësh në Prishtinë.

Ai iu referua vendimit të Qeverisë së Kosovës për t'i instaluar me forcë kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të vendit - Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç - përkundër rezistencës së vazhdueshme të banorëve lokalë, që rezultoi në dhunë.

“Kur kemi marrë vesh, kemi reaguar ashpër kundër. Vendimi [i Qeverisë] ka pasur ndikim negativ në reputacionin e Kosovës dhe i ka kthyer mbrapsht përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Hovenier.

Ai citoi sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili paralajmëroi se këto veprime do të ndikojnë në marrëdhëniet SHBA-Kosovë, dhe tha se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet "Defender Europe 2023" është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës në këtë drejtim.

"Sot nuk ka pasur aktivitet për 'Defender Europe ’23' dhe nuk do të ketë. Për Kosovën, ato stërvitje kanë marrë fund", tha Hovenier, duke iu referuar stërvitjeve më të mëdha ushtarake të aleatëve të NATO-s në rajonin e Ballkanit.

Këto stërvitje - pritëse e të cilave ka qenë Kosova - kanë nisur më 21 maj dhe ka qenë e paraparë të zgjasin deri më 2 qershor.

“Ne i kemi kërkuar [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti që të marrë hapa drejt uljes së tensioneve në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave dhe ne jemi duke analizuar se cilat do të jenë veprimet tona tjera”, tha Hovenier.

Ai shtoi se e ka njoftuar Kurtin se sa serioze është situata në veri, por vetë Kurti e ka mbrojtur vendimin e Qeverisë së tij për dërgimin e kryetarëve në ndërtesat e komunave, duke e cilësuar atë si kushtetues.Hovenier ka cituar Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, kur ka thënë se vendimet e fundit të Qeverisë, janë duke ndikuar në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Ne i kemi kërkuar (kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti) që të marrë hapa drejt uljes së tensioneve në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave. Ne jemi duke analizuar se cilat do të jenë veprimet tona”.

Ora 16:29
Komandanti i KFOR bisedë me Begajn për tensionet në Kosovë: Shqipëria shprehu mbështetjen e plotë për misionin tone

1683805078_bajrambegaj.jpeg

Shqipëria ka dënuar veprimet e dhunshme ndaj ushtarëve të KFOR-it në veri të Kosovës, ku ju ka bërë thirrje palëve të shmangin përshkallëzimin dhe të ulen në dialog.

Me anë të një postimi në ‘Twitter’, faqja zyrtare e KFOR-it, thotë se komandanti Angelo Michele Ristuccia ka zhvilluar një bisedë me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begajn.

KFOR-i shton më tej se ka marrë mbështetje të plotë nga Shqipëria për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

“Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, zhvilloi një bisedë me Bajram Begajn. Presidenti i Republikës së Shqipërisë shprehu mbështetjen e plotë për misionin e KFOR-it dhe aktivitetet e tij, si dhe u uroi shërim të shpejtë ushtarëve të lënduar në demonstrata”, thuhet në reagimin e KFOR-it në “Twitter”.

 

Ora 16:04
Përfundon protesta në Zubin Potok

Në Zubin Potok raportohet se ka përfunduar protesta e serbëve lokalë në këtë komunë. Siç shihet edhe nga fotoja e publikuar nga REL, protestuesit janë shpërndarë.

Ora 16:00
Petkoviç: Incidentet e 29 majit do të parandaloheshin nëse KFOR-i s'do t'i lejonte kryetarët e paligjshëm të futeshin në zyra

1681897508_serbi.JPG

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka përsëritur qëndrimin e Serbisë se, kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të Kosovës – të banuara me shumicë serbe - duhet të largohen nga ndërtesat komunale, dhe se Policia e Kosovës duhet të largohet nga veriu i Kosovës.

Sipas një deklarate për media, Petkoviç i ka bërë këto deklarata të takim me ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës në Serbi, Anke Konrad dhe Pierre Cochard.

Petkoviç, ka thënë, po ashtu, se incidentet e 29 majit do të mund të parandaloheshin nëse KFOR-i “do ta përmbushte mandatin e tij të premten, që t’i parandalonte kryetarët e paligjshëm, si dhe anëtarët e forcës speciale”, duke iu referuar njësiteve të Policisë së Kosovës.

“Serbët janë të vendosur për të mbrojtur të drejtën e tyre për të jetuar dhe mbijetuar në Kosovë, dhe Serbia e Beogradi do të vazhdojnë të jenë në mbrojtje të tyre, për të ruajtur paqen dhe stabilitetin e provincës dhe rajonit”, ka thënë mes tjerash Petkoviç.

Ora 15:00
Situata e rrezikshme, NATO-ja dislokon forca shtesë në Kosovë

 

Forcat e KFOR-it do të kenë trupa shtesë në Kosovë. Si përgjigje ndaj trazirave të fundit në veri të Kosovës, dhe lëndimit të 30 pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), në atë pjesë, aleanca veri-atlantike ka marrë vendim për angazhim të Forcës Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, e cila ka qenë në gjendje gatishmërie për angazhim.

NATO-ja e ka bërë të ditur këtë vendim, përmes një postimi në Twitter.

Ora 14:51
Pas Kurtit, edhe Vuçiç anulon udhëtimin në Bratislavë: Serbia kërkon largimin menjëherë të kryetarëve të rinj dhe forcave speciale

1683614756_aleksandervucic.jpg

Vetëm pak orë pas njoftimit se Albin Kurti kishte anuluar udhëtimin e tij për në Bratislavë ku po mendohej organizimi i një takimi me Vuçiç, edhe Presidenti i Serbisë ka anuluar udhëtimin për në Bratislavë. Vuçiç ka thënë se e ka anuluar udhëtimin për në Bratislavë “sepse për mua është më e rëndësishme të jem me njerëzit e mi dhe sot do të vizitoj ushtarët tanë”.

“Jam i bindur se e vërteta dhe drejtësia dhe Serbia do të fitojnë në fund.” – ka thënë ndër të tjera Vuçiç në Instagram.

Më tej, ai ka bërë të ditur dy kërkesat për shtetet e QUINT-it në raport me situatën në veri. Largimi i Njësisë Speciale të Kosovës dhe largimi i kryetarëve të rinj, janë dy kërkesat e Vuçiçit.

“Dje ishte jashtëzakonisht e vështirë për popullin serb, jam i bindur se do të kemi sukses të luftojmë për lirinë e popullit tonë, për sigurinë e popullit tonë në Kosovë dhe Metohi. Ka një kusht kaq të vogël për këtë, saqë nuk mund ta besoj se njerëzit nga Quinta, vendet më të fuqishme perëndimore, nuk mund ta përmbushin atë - dhe ai është tërheqja e forcave policore nga veriu i Kosovës dhe e dyta është largimi i kryebashkiakë të rremë që realisht nuk përfaqësojnë askënd. Sa për ne, ne do të vazhdojmë të avokojmë për paqen dhe për ta ruajtur atë paqe si në raport me KFOR-in ashtu edhe në raport me të gjithë të tjerët.” – ka thënë ai.

Ora 14:39
VIDEO/ Tensionohet situata në Leposaviç, huliganë serbë thyejnë veturat e disa mediave nga Shqipëria

 

Në Komunën e Leposaviçit në Kosovë është tensionuar sërish situata. Raportohet se disa huliganë kanë sulmuar dhe dëmtuar disa vetura të mediave nga Shqipëria.

Njëri nga gazetarët i televizionit A2 ka bërë të ditur se ata kanë qenë brenda veturës, kur në drejtim të tyre janë hedhur tulla. Ngjashëm, është sulmuar edhe vetura e gazetës Panorama.

Ora 14:32
U plagosën gjatë përplasjeve në veri të Kosovës, Ministria e Mbrojtjes Hungareze dërgon avion për të marrë ushtarët

1685450019_avion.JPG

Ministria e Mbrojtjes hungareze ka dërguar avion të posaçëm për të marrë ushtarët hungarezë të  plagosur një ditë më parë në veri të Kosovës.

 “Një avion Airbus A319 i projektuar posaçërisht për kujdesin mjekësor të Forcave të Mbrojtjes Hungareze u nis për në vend nga Kecskemét në mbrëmjen e 29 majit, me qëllim që të kujdesej dhe të sillte në shtëpi ushtarët hungarezë që u plagosën në detyrën e shpërndarjes masive të urdhëruar në vendbanim të Zveçanit në Kosovë, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se 3 ushtarë hungarezë u qëlluan me armë zjarri gjatë përplasjeve.

 

Ora 14:03
KFOR përditëson informacionin: 3 ushtarë hungarezë u plagosën me armë zjarri nga protestuesit në veri, 30 të lënduar gjithsej

Tre ushtarë hungarezë janë plagosur si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit nga protestuesit serbë pasditen e djeshme në Veri të Kosovës. Ka qenë vetë misionin i KFOR-it që e ka bërë të ditur informacionin përmes një komunikimi me mediat. Në deklaratë theksohet se gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën.

Po ashtu thuhet se nga zhvillimet e ditës së hënë në veri kanë mbetur të plagosur 30 ushtarë. Siç bëhet e ditur në njoftim, 11 ushtarë janë nga kontingjenti italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez.

“Numri i paqeruajtësve të plagosur gjatë dhunës së djeshme në komunën e Zveçanit është 30. 11 ushtarë nga kontingjenti italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez. Ata kanë pësuar lëndime të shumta, duke përfshirë thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara. Tre ushtarë hungarezë u plagosën nga përdorimi i armëve të zjarrit. Lëndimet e tyre nuk janë të rrezikshme për jetën”, thuhet në komunikatën për media.

Ora 12:49
BE kërkoi takim urgjent me Vuçiç në Bratisllavë, Kurti anulon pjesëmarrjen në Forum: Situata është e rënduar në veri të Kosovës

1685271973_albinkurti.JPG

Kryeministri Albin Kurti nuk do të marrë pjesë në Forumin e Bratisllavës në Sllovaki ku kishte planifikuar të shkonte për shkak të situatës së fundit të krijuar në vend.

Nga Qeveria kanë konfirmuar për Gazetën Express se kryeministri Kurti është në Kosovë dhe s’do të marrë pjesë as edhe virtualisht.

Forumi i Bratislavës 2023 i GLOBSEC është një forum për politikën e jashtme, sigurinë, çështjet europiane dhe ekonominë që mbledh liderë nga vende të ndryshme.

Ora 12:09
Tha Kosova është në zemrën e Serbisë, shkatërrohet murali me imazhin e Djokovic në Rahovec

1685441460_grg.JPG

Dy persona kanë shkatërruar muralin kushtuar tenistit me famë botërore Novak Djokovic i cili ditën e djeshme bëri deklaratën skandaloze për Kosovën. Ata janë regjistruar nga kamerat e sigurisë por nuk janë arrestuar.

Në video shihen dy burra duke iu afruar murales dhe duke shkruar mbi të mbishkrimin “UÇK”.

Banorët e pjesës së sipërme të Rahovecit e kanë gjetur muralin e shkatërruar rreth orës 6 të mëngjesit të sotëm.

Dje, pasi fitoi raundin e parë të Roland Garros, Djokoviç shkroi një mesazh në kamera: "Kosova është zemra e Serbisë. Ndaloni dhunën".

Ora 11:47
Grupi i mercenarëve rusë Wagner është nisur në Kosovë? Kompania izraelite ngre alarmin

1685440084_fbrf.JPG

Kompania izraelite “Terror Alarm”,  përmes një statusi në Twitter të hënën mbrëma tha se “Grupi terrorist rus Wagner është nisur për në Kosovë”.

Sipas “Terror Alarm”, informacioni është siguruar nga OpenSource Intelligence, përkatësisht nga monitorimi i kanalit të PMC Wagner në Telegram, raporton KP.

Postimin në llogarinë e T]witter, “Terror Alarm” e bëri pas përshkallëzimit të situatës në Zveçan, ku grupe kriminale serbe sulmuan KFOR-in dhe Policinë e Kosovës, me ç’rast mbetën të plagosur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it

Ora 11:35
Presidentja Osmani në takim me zyrtarin e BE-së: Destabilizimi synohet nga bandat kriminale

1685196137_osmani.jpg

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takimin që zhvilloi sot me zv/sektarin për siguri dhe mbrojtje të BE-së, Charles Fries, ka diskutuar më lidhje me zhvillimet e fundit në veri të vendit.

“Presidentja Osmani dhe Zëvendës Sekretari Fries diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës. Presidentja ka përsëritur dënimin e fuqishëm për sulmet e strukturave ilegale serbe të shndërruara në banda kriminale kundër policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve. Presidentja Osmani ka potencuar se këto banda kriminale, të mbështetura nga Vuçiqi, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit, prandaj veprimet e tyre të rrezikshme duhet të dënohen nga të gjithë”, thuhet në komunikatë.

Fries pritet të takohet edhe me liderët e tjerë institucionalë.

Ora 11:35
Tensionet në veri, Policia e Kosovës: Po kujdesemi për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike

1685439386_PoliciaeKosoves2021421.jpg

Policia e Kosovës ka bërë një reagim në rrjete sociale ku shkruan se po kujdesen për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në veri.

Njoftimi i plotë:

Policia e Kosovës kujdeset për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike

Prishtinë, më 30 maj 2023

Referuar rrethanave dhe zhvillimeve të ndodhura dje (29.05.2023), ku protestues, individë/grupe kriminale, me dhunën ekstreme të shfaqur, kanë bërë që situata në aspektin e sigurisë në veri të vendit të përshkallëzohet dhe të degradojë deri në rrezikim të jetës së njerëzve, përfshirë jetën e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë.

Protestat në tri komunat në veri të vendit Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan po vazhdojnë edhe sot pranë objekteve komunale, situata aktualisht vlerësohet të jetë e brishtë, por e qetë.

Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare, po vazhdon me angazhime në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestave, si dhe po bashkëpunon/koordinon aktivitetet me KFOR-in dhe institucionet relevante. Njëkohësisht njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me rastet dhe zhvillimet e djeshme.

Policia e Kosovës edhe sot fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e thirrjeve për protestë të dhunshme dhe provokime të çfarëdo natyre qofshin ato.

Ora 11:14
Deputetja britanike bën deklaratën e fortë për situatën në veri të Kosovës: Armët po transportohen me ambulanca dhe ruhen nëpër kisha

1685438116_veri2e1685433913252505x450.jpg

Deputetja britanike Alicia Kearns ka shkruar një sërë statusesh në twitter ku shkruan dënon sulmet e serbëve në veri të Kosovës. Alicia Kearns shkruan se armët janë duke u zhvendosur me ambulanca dhe fshihen nëpër kisha.

Ajo ka reaguar pas përplasjeve të djeshme mes serbëve dhe forcave të KFOR, ku pati 25 të plagosur.

NATO, KFOR luan një rol jetik, neutral në ruajtjen e paqes dhe mbrojtjen e civilëve në Kosovë. Sulmet ndaj tyre dhe gazetarëve duhet të ndalen.

Furnizimi me armë në veri të Kosovës nga Serbia për të armatosur bandat në punësimin e elementëve në Beograd janë të papranueshme dhe thellësisht shqetësuese

Mbetjet e armëve zhvendosen në ambulanca, madje ruhen në kisha për të fshehur armatimin e milicisë”, shkruan deputetja britanike.

Deputetja ka edhe një mesazh për ndërkombëtarët ku u thotë se serbër po vazhdojnë të minojnë stabilitetin në veri të Kosovës.

“Aktorët ndërkombëtarë duhet të ndalojnë para se të sulmojnë zyrtarët e zgjedhur në mënyrë demokratike që marrin zyrat e tyre në veri të Kosovës. Jo më pak kur ata qëndrojnë të heshtur dhe nuk arrijnë të thërrasin militantët e mbështetur dhe të armatosur serb, të cilët vazhdojnë të minojnë stabilitetin në veri të Kosovës.”- thotë deputetja britanike.  

Ora 10:36
Tensionet në veri të Kosovës, Vuçiç takohet me ambasadorët e QUINT-it: Të tërhiqen urgjent kryetarët nga bashkitë false! Takime edhe me përfaqësus rusë dhe kinez

 

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç është takuar me ambasadorët e QUINT-it këtë të martë. Ai është shprehur se kryetarët e 4 komunave në veri të Kosovës. Ai i konsideron bashkitë false ashtu edhe kryetarët. 

Vuçiç ka në axhendë të takohet me ambasadorin e Federatës ruse Aleksandar Bocan-Harchenko në orën 11:00 dhe me ambasadorin e Republikës Popullore të Kinës Chen Bo në ora 12:00.

“Diskutova për ngjarjet aktuale në Kosovë dhe Metohi me ambasadorët e vendeve të QUNIT-it dhe theksova se lëvizjet e njëanshme të Prishtinës çojnë në dhunë kundër komunitetit serb, gjë që na largon nga paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm në rajon. Tërheqja urgjente e kryebashkiakëve të rremë dhe anëtarëve të të ashtuquajturve i forcave speciale të policisë së Prishtinës është kusht për ruajtjen e paqes në Kosovë.”- shkruan Vuçiç.

Ora 10:22
VIDEO/ Zhvendoset flamuri i Kosovës në Zubin Potok

 

Pjesëtarët e Njësisë Speciale të Kosovës kanë hequr flamurin e Kosovës nga hyrja e objektit të Komunës së Zubin Potokut dhe e kanë vendosur një kat më lartë.

Kurse, protestuesit që janë para objektit të komunës e të cilët janë në numër më të vogël se sa dje, kanë vendosur flamurin serb në një shtyllë pranë komunës.

 

Në foton e siguruar nga gazetari i Report Tv, Ermal Qori duket flamuri i Kosovës i ngritur nga kat më lartë. 

Ora 09:50
FOTOT/ Protestuesit serbë që plagosën ushtarët e KFOR-it, mbanin në kokë simbolin e gangsterit famëkeq Veljko Belivuk

 

Në protestën e djeshme në veri të Kosovës, disa protestues serbë mbanin kapele identike të veshura nga famëkeqi Veljko Belivuk. Veljko Belivuk ishte lideri i një grupi kriminal që kryente shërbime për shtetin e Serbisë.

Mediat në Kosovë kanë vënë re detajin dhe kanë identifikuar disa prej protestuesve, mes të cilëve thonë se kishte edhe policë serbë të veshur me rroba civile, e që në duar mbanin shkopinj gome dhe hekuri.

Prej tyre, është identifikuar, Dragan Smigiq. Dragani dyshohet se është një polic serb nga Rudara e Serbisë. Një fotografi që është shpërndarë në Twitter, shihet teksa Dragani godet me shkop policie ushtarët e NATO-s në Kosovë, shkruan Telegrafi.

Po ashtu, në veturat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në veri, dhe në veturat zyrtare të KFOR-it huliganët kanë shkruar me ngjyrë të bardhë simbolin kombëtar të serbëve, ndërsa me ngjyrë të zezë shkronjën “Z” e cila është bërë simbol i mbështetjes për pushtimin rus të Ukrainës.

Ora 09:07
Pas sulmeve nga serbët, KFOR u kërkon palëve të marrin ‘përgjegjësinë e plotë’ për ngjarjet në veri të Kosovës 

1685430468_Capture.JPG

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të marrin “përgjegjësinë e plotë” për ngjarjet që ndodhën më 29 maj në veri të Kosovës dhe të mos fshihen pas retorikës së rremë. 

Ristuccia po ashtu kërkoi nga palët që të parandalojnë “çdo përshkallëzim të mëtejmë”.

Përmes një njoftimi për media, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se gjatë ndërhyrjes në Zveçan të hënën, 30 ushtarë të këtij misioni u lënduan: 19 nga kontingjenti hungarez dhe 11 nga ai italian.

“Ata pësuan lëndime të shumta, përfshirë thyerje dhe djegie nga pajisjet e improvizuara shpërthyese dhe mjetet ndezëse”, u tha në njoftim.

Ora 07:47
Anulohen aktivitetet e ‘Defender Europe ‘23’ në Kosovë

1685425665_2988367103916032030810663429558417826097414n.jpg

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës njoftoi se, për shkak të situatës në veri të Kosovës, aktivitetet e parapara për sot në kuadër të ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe '23”, anulohen.

Detaje të tjera nuk u dhanë.

Nga 21 maji, Kosova është bërë nikoqire e stërvitjeve më të mëdha ndërkombëtare në rajonin e Ballkanit, "Defender Europe 2023", [Mbrojtësi i Evropës 2023].

Është paraparë që këto stërvitje të zgjasin deri më 2 qershor dhe në to të marrin pjesë mbi 1.300 ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, së bashku me 24.000 ushtarakë të 25 vendeve të NATO-s.

/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Emigrant: 31/05/2023 07:28

    O alpin organizo dhe forcat vullnetare te VV dhe shkoni mbroni veriun e kosoves Sepse jeni te zotet per te fyer e kercenuar kundershtaret nga telefoni ne FB Por tani shikohen burrat sa e doni kosoven

    Përgjigju
  • Don Joni: 30/05/2023 20:57

    Z.Albin Kurti mos i lesho asnje cm serbeve vazhdo keshtu gjith shqiptaret jan me ty

    Përgjigju
  • Ndergjegja: 30/05/2023 20:11

    Veprimet,qendrimet dhe reagimet e ALBIN KURTIT jane ne funksion te mandatit dhe detyrimeve kushtetuese asgje ne kundershtim me interesat te SHTETIT TE KOSOVES. Edhe USA@SHTETET E KUINTIT I KANE NJOHUR ZGJEDHJET E FUNDIT NE KOMUNAT ME SHUMICE SERBE,ASHTU SIC KANE POHUAR BOTERISHT MOSDARKONDESINE E TYRE PER BOJKOTIN SERB. "Elita" apo "Klika" shqiptare PRO-BEOGRAD@MOSKE ne Prishtine e Tirane ku hyjne kryeministra e ish kryeministra apo presidente kot ngazellehen nga qendrimet taktike te USA@VENDET E KUINTIT dhe lehin duke dhene "keshilla" apo "dorheqie" per SHTETARIN E DOMOSDOSHEM AKTUAL KOSOVAR ALB8N KURTI.

    Përgjigju
  • durresi: 30/05/2023 19:17

    o Komandant Hashim Thaçi ku je o trim o diplomat o heroi i gjalle idardanis ti i je per qeverisje jo kto capaculat

    Përgjigju
  • Lui: 30/05/2023 18:48

    Po si nuk u tha asnje fjale per Albinin qe sillet si nje cunak i papjekur komplet?! Une e kam thene dhe me pare qe Albini dhe Vjosa jane dy personazhe tragjikomike qe kane per ta marre ne qafe Kosoven dhe shqiptaret atje. Keta kujtojne se ishte budalla Thaci qe nuk dergonte FSK apo policine ne veri. Nderkombetaret per pak po e braktisnin Kosoven vetem prej kokfortesise qe tregonte Ramushi me taksen 100%. Tani kane mbetur dy rruge. Ose Albini te jape doreheqjen ose do ndahet Kosova ne rastin me te mire. Sepse nuk eshte cudi qe ta kthejne Kosoven ne nje protektorat nderkombetar per 99 vjet dhe t'i themi lamtumire Kosoves. Sepse deri pas nje shekulli kushedi si vijne punet. Apo c'jemi dhe ne te afte te luajme me diplomaci..

    Përgjigju
    • Po Po: 30/05/2023 19:50

      Kosova sot me kosoven 1998 eshte shume perpara , kur nuk u nda ne 1999 kam frike se do ndahet serbia kete here pasi vetem nje serbi e dobet eshte stabilitet ne Balkan ! Pasi serbia ka konflikt me Bosnie me Kroacine me Bullgarine me Shqiptaret dhe konflikte vjetra por tani te zbehta edhe me Rumanine dhe Bullgarine ! Albin Kurti ishte ai politikan qe nuk iku tek Trump per te firmos mosnjohjen e Kosoves ne arenen kombetare pra qe ate here kosova e kuptoj qe Serbia nuk mund te marre akoma kur 3 luftera ballkanike dhe 2 boterore nisen dhe prej serbise! Viti 2023 dhe akoma kemi situata njohje apo Mos njohje ne 2023 -24 duhet patjeter nje perfundim i Njohjes pastaj sesi vendoset kete e di Kosova dhe Serbia dhe negociatoret , sa per serbine per mendimin tim jam sikur Rama Serbia duhet ne BE por duke I dhen ndihme qe kosova te njihet ne 2023 shume shpejt per arsye paqe ne EU dhe Europe ! Serbia meriton EU por fillimisht duhet njohje Kosoves dhe pastaj reforma ne drejtesi ne serbi dhe kompensimi i krimeve luftes nga serbet per kosoven! Gjithashtu Lulzim Basha duhet te behet non grata ne kosove per arsye politike ! Sa per serbine as Europe as RUSIA as BE as USA nuk e duan te fuqishme ndaj me 13 qershor Kurti takon Vucic dhe po shkohet drejt njohjes perfundimtare de juriis dhe de facto…

  • Klodi: 30/05/2023 18:44

    Nese qeveria e kosoves vazhdon te sillet sikur te ishte e plotfuqishme nuk ka pse kerkon pastaj ndihmen e qeverise se shqiperise kur ti hyj serbi ne shtepi.Po u terhoq Amerika,Kurti dhe gjith kosovaret shkojn per lesh

    Përgjigju
  • Bledi: 30/05/2023 13:53

    Si ka mundësi, USA dhe BE i njohin zgjedhjet ne Mitrovice, dhe tani i thojne mos shkoni ne zyra, sa gjynah qe nuk jemi te afte dhe te fuqishëm ushtarakisht per ti dalur Zot, kombit tone Kosovës. E shikon sa piset luan USA, dhe BE kur nuk kane interes.

    Përgjigju
  • Analiza: 30/05/2023 13:21

    Serbia akoma ka luksin te haje me dy luge pra i vetmi vend ne EU kandidat dhe Europe qe akoma ska vandos asnje sanksion kunder luftes ne Rusi Po ashtu duke pare ndihmat dhe grantet nga EU ne serbi tregon qe Serbia eshte “e perkedhelura” e EU, tani duhet negociata dhe njohje perfundimtare serbi dhe kosove nuk mundet serbia te ndryshoje kufinjte pa imituar rusine (nuk e ben dot kete rol) Po ashtu goditja ndaj KFOR i hap rruge krijimit ushtrise kosoves dhe i hap rruge nderhyrjes se NATO pra NATO eshte trungu i KFOR, ne kete ngjarje as serbia as kosova nuk ka te drejte 100% por duhet njohje ne 2023 dhe pastaj zgjedhje parakohshme pas marrveshjes mes dy shteteve Kosove dhe Serbia

    Përgjigju
  • Arben: 30/05/2023 11:36

    Lehte e kane serbet te sulmojne forcat e KFOR! Provojeni me policine kosovare po j'ua mbajti! Frikacake!!

    Përgjigju
    • Ben: 30/05/2023 21:37

      per benhajdarin dhe hajdaret e tjere. Kosovaret deri tani kan ber si te fort me topet e Usa .kur te jen vetem perball me serbin do ta shohim sa trima jan.

    • benhajdari: 30/05/2023 18:37

      Per ben hajdarin qe skupton shume. Policia e kosoves pervecse shume e guximshme eshte dhe shume e mencur sepse jua la pataten e nxehte ne dore kfoit dhe quintit qe tkene nje ide akoma me te qarte me ke jane perballur shqiptaret nder shekuj dhe pse eshte shume jetike marrja e pushtetit ne ato zona nga shqiptret.

    • Kistra: 30/05/2023 14:41

      Ben, policia e Kosoves eshte shume profesionale e nuk ben shaka me detyren. Ata mund te sakrifikohen, por kurre te poshtrohen.

    • Ben: 30/05/2023 13:24

      policia koqevare ishte fshehur mbrapa Kforit o arben ..ari.

  • une: 30/05/2023 10:43

    Fajin per keto sjellje te serbeve e kane francezet qe nuk lejuan UCK ne 1999 te shkonte ne pjesen veriore te mitrovices por e ndan mitrovicen

    Përgjigju
    • Kistra: 30/05/2023 12:58

      Po, aty ka filluar loja per marrjen peng te pavaresise se Kosoves.

  • Arbëri: 30/05/2023 09:15

    Ky është një matuf prorus…

    Përgjigju
  • Iliri: 30/05/2023 08:16

    Rama te dergoje urgjentisht ushtrine ne Kosove

    Përgjigju
  • Ops: 30/05/2023 07:42

    Po ore loqe , cili eshte faj i kosoves ketu ?? Na e shpjego pakno rrace qeni

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zbulohen profecitë e Baba Vangës për vitin 2025: Alienët me apokalips, ilaçi kundër kancerit dhe nanoteknologjia! Çfarë u realizuan dhe çfarë jo më 2024

Zbulohen profecitë e Baba Vangës për vitin 2025: Alienët me apokalips, ilaçi kundër kancerit dhe nanoteknologjia! Çfarë u realizuan dhe çfarë jo më 2024