Tensionet Rusi-Ukrainë vënë në presion Turqinë

Tensionet Rusi-Ukrainë vënë në presion Turqinë

Erdogan

Mes shtimit të tensioneve nga mundësia e një pushtimi rus të Ukrainës, analistët thonë se Turqia ka një rol kryesor si zbatuese e një konvente ndërkombëtare që rregullon hyrjen detare në Detin e Zi. Ankaraja është e vetëdijshme se çdo konflikt do të sjellë presion si nga Moska ashtu edhe nga partnerët e NATO-s. Anijet luftarake të NATO-s kanë shtuar praninë e tyre në Detin e Zi në mbështetje të Ukrainës, ndërsa Rusia po grumbullon forcat e saj në kufirin me Ukrainën.

Sipas Konventës Montreux të vitit 1936, qasja në Detin e Zi bëhet vetëm përmes ngushticës së Bosforit në Stamboll. Konventa, që vihet në zbatim nga Turqia, kufizon anijet detare nga vendet që nuk i përkasin Detit të Zi, të transportojnë një maksimum ngarkese prej 10,000 tonësh për anije, për vetëm 21 ditë.

“Nëse ndodh më e keqja, atëherë Ukraina duhet të mbrohet ose të mbahet jashtë rrezikut. Në bazë të konventës Montreux ka një kufi për forcat detare që NATO-ja mund të mbajë aty”, thotë Mithat Rende, ish-ambasador i Turqisë.

Konventa Montreux ka një rëndësi historike për Turqinë pasi rivendosi sovranitetin dhe kontrollin turk në rrjetin e rrugëve të brendshme ujore që lidhin Detin e Zi me detet e hapura. Por disa analistë paralajmërojnë se roli i Turqisë si roje e Detit të Zi, e vë atë në një pozitë të vështirë me partnerët e saj të NATO-s në këtë kohë tensionesh të larta.

“Gjatë luftës ruso-gjeorgjiane në vitin 2008, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të NATO-s u përpoqën të sillnin më shumë anije në rajon dhe fillimisht Turqia nuk lejoi kërkesën e parë nga Shtetet e Bashkuara, sepse po shkelte kufijtë e ngarkesës. Përfundimisht, SHBA-të e ndryshuan kërkesën për dy anije të tjera të vogla në vend të një anijeje të madhe dhe më pas u lejuan”, thotë Mustafa Aydin, profesor në Universitetin Kadir Has.

Por Turqia po përballet edhe me presion nga Rusia. Vitin e kaluar përdorimi i kanalit të Bosforit nga anijet luftarake amerikane për të marrë pjesë në stërvitjet detare të NATO-s me Ukrainën u kritikua menjëherë nga presidenti rus Vladimir Putin. Vëzhguesit parashikojnë se presioni rus do të rritet nëse NATO-ja rrit praninë e saj detare në Detin e Zi.

“Rusia po i bën gjithashtu presion Turqisë që të mos përfshihet, qoftë si anëtare e NATO-s, apo si një fqinj i mirë i Ukrainës. Dhe rusët nuk lënë asnjë mundësi t’u kalojë pa kritikuar Turqinë, jo duke e kërcënuar, por duke i thënë se nuk duhet të bëjë asnjë hap të gabuar“, thotë Huseyin Bagci, president i Institutit turk për Politikën e Jashtme.

Ankaraja po vëzhgon nga afër bisedimet e kësaj jave për të zbutur tensionet në rritje…dhe shpreson që të dyja palët të shmangin një shtim të mëtejshëm ushtarak në rajon – një përshkallëzim, që mund të sjellë probleme të reja për Turqinë në rolin e saj historik si kontrolluese e hyrjes në Detin e Zi./VOA/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Kosova bëhet me Muze të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri

Kosova bëhet me Muze të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri