Deklaratat e Presidentit amerikan Donald Trump të premten vërtetuan se tensionet mes shba dhe iranit mbeten të larta. Shefi I shtëpisë së bardhë u konfirmoi gazetarëve mundësinë e një sulmi kur u pyet nëse po merrte në konsideratë një sulm për ta detyruar iranin drejt një marrëveshje për programin e tij bërthamor.

"Besoj se mund të them se po e vlerësoj" u tha Trump gazetarëve tw premten.

Hipoteza e një “ndërhyrjeje të kufizuar” ishte përmendur të enjten nga The Wall Street Journal, sipas të cilit Trump po shqyrton një sulm të parë të kufizuar ushtarak kundër Iranit për ta detyruar të pranojë kërkesat e tij lidhur me një marrëveshje bërthamore.

Hapi i parë do të synonte të ushtronte presion ndaj Teheranit për të arritur një marrëveshje, por pa arritur në një operacion në shkallë të gjerë që mund të provokonte një kundërpërgjigje të fortë. Sulmi fillestar, do të godiste disa objekte ushtarake ose qeveritare, sipas burimeve të informuara.

Nëse Irani do të refuzonte të zbatonte direktivën e Trump për t’i dhënë fund pasurimit të uraniumit, Shtetet e Bashkuara do të përgjigjeshin me një fushatë më të gjerë kundër strukturave të regjimit, potencialisht e synuar për rrëzimin e regjimit të Teheranit.

Shtetet e Bashkuara ndërkohë, po shqyrtojnë idenë e “eliminimit” të Udhëheqësit Suprem të Iranit, ajatollahut Ali Khamenei, dhe të djalit të tij, Mojtaba Khamenei, si një nga mënyrat e mundshme për të përballuar situatën në Iran, sipas Axios, që citon një këshilltar anonim të presidentit amerikan Donald Trump.

Një burim i dytë i tha faqes së lajmeve se një plan për të vrarë Khamenein dhe djalin e tij i ishte paraqitur liderit amerikan disa javë më parë.

Irani ndërkohë duket se po bën përgatitjet e fundit për një marrëveshje me SHBA. Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi deklaroi në MSNBC se një draft-marrëveshje për SHBA do të jetë gati brenda dy ose tre ditësh.

"Ndoshta brenda një jave ose diçka të tillë mund të fillojmë një negociatë të vërtetë serioze mbi tekstin dhe të arrijmë në një përfundim", shtoi Araghchi në intervistën e së premtes.

Ditët dhe javët e fundit, SHBA-ja ka bërë grumbullimin më të madh ajror dhe detar ushtarak në lindjen e mesme dhe mesdhe që nga pushtimi i Irakut në vitin 2003.