Një person i panjohur i dërgoi një mesazh në telefon të riut Orest Balla, ku i ofronte 2 mijë euro nëse ai do të komunikonte online me një tjetër person, sipas porosive që i panjohuri do t’i jepte. Këtë qëndrim mbajti në dëshminë e tij 23-vjeçari nga Elbasani i arrestuar të hënën nga policia për mashtrim.
Më pas, tregon ai, një person shkoi me makinë dhe i dha një numër telefoni. Për policinë ai është personi pas celularit që me emrin e kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i shkroi presidentit të FSHF-së, Armand Duka, duke i kërkuar 100 mijë euro në kriptovaluta.
Bisedat janë bërë në aplikacionin “Signal”. Pasi bëri denoncimi në polici, nën sugjerimin e efektivëve, Armand Duka e orientoi mashtruesin të fliste me djalin e tij, por në të vërtetë, bisedën e vijoi një agjent i infiltruar i policisë. Orest Balla ra në kurth dhe u arrestua bashkë me Edison Korrën, pasi i inflitruari kërkoi që 100 mijë eurot të dorëzoheshin në cash, dhe jo në kriptovaluta. Vendi u caktua në Elbasan. Efekte arrestimi
24-vjeçarin e arrestuar bashkë me të, Orest Balla i tha hetuesve se nuk e njeh. Por dëshmia e dhënë, nuk ka qenë bindëse për policinë. Dyshim që përforcohet edhe më shumë, përballë deklarimeve të të arrestuarit tjetër.
Edison Korra pretendoi se është takuar me Orest Ballën në një lokal dhe ai i kërkoi të merrte një porosi. Policia dyshon se mesazhi i parë që i është dërguar Armand Dukës në “Signal” është nga një person i tretë, pra asnjëri nga dy të arrestuarit, por nga i famshmi i mashtrimeve, Florian Gjergji. Ai është në kërkim ndërkombëtar për të njëjtat skema mashtrime me të tjerë personazhe Vip, kryesisht në emër të politikanëve. Këtë të martë, Gjykata e Tiranës caktoi masën arrest në burg për dy bashkëpunëtorët e tij në Shqipëri.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë







Komente
Komento