Policia greke ka dhënë detaje të reja lidhur me identitetin e 28 vjeçarit shqiptar i cili dhunoi barbarisht dhe tentoi të abuzonte me një 20 vjeçare greke disa ditë më parë.
Mësohet se Kledi Sulollari është i riu shqiptar i cili njihej ndryshe edhe si “Drago i Pireut” pasi kishte tentuar edhe më parë të abuzonte seksualisht me vajzat greke. Ai u arrestuanë 6 nëntor dhe ndaj tij rëndojnë akuzat për lëndim trupor dhe përdhunim. Për të kishte pasur edhe denoncime të mëparshme, por nuk ishte arritur të bëhej identifikimi i tij nga ana e policisë.
“Në orët e para të mëngjesit të datës 6-11-2022, 28-vjeçari ka ndjekur një grua teksa po shkonte në shtëpinë e saj dhe e ka ndaluar me qëllim përdhunimin e saj. Viktima ka tentuar ta ndalojë duke thirrur në ndihmë dhe më pas 28-vjeçari e ka sulmuar me grushta në kokë duke e plagosur. Për shkak të një faktori të jashtëm, ai nuk e ka përfunduar veprën e tij kriminale dhe është larguar me vrap”-thuhet në njoftimin e policisë greke.
E reja, e cila së fundmi ra pre e dhunës së shqiptarit, ka rrëfyer se ishte sulmuar teksa po hynte në banesën e saj. Ajo ka dëshmuar se ndërsa u përpoq të bënte rezistencë, Sulollari e kishte sulmuar fizikisht në fytyrë duke i shkaktuar dëmtime të shumta.