34 700 euro të padeklaruara u zbuluan sot në çantën e një gruaje në pikën kufitare të Kakavijës, teksa po tentonte të dilte nga Shqipëria.
Gjatë kontrollit në dalje, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën shumën e parave që gruaja me inicialet D. B., banuese në Burrel, nuk e kishte deklaruar sipas ligjit. Paratë u sekuestruan menjëherë si provë materiale.
Për rastin nisi hetimi penal në gjendje të lirë për veprën “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i Policisë
Në vijim të punës së shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kakavije, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, në dalje, u krye kontroll në çantën e shtetases D. B., ku u gjetën 34 700 euro, të cilat ajo nuk i kishte deklaruar konform ligjit. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasen D. B., banuese në Burrel. Gjithashtu, u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, shuma e eurove. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Komente











