Një 28-vjeçar u arrestua nga policia në Lezhë pasi tentoi të vriste nënën e bashkëjetueses së tij duke e përplasur me automjet. Ngjarja ndodhi në lagjen “Skënderbeg”, ku 43-vjeçarja Klementina Huti mbeti e plagosur dhe u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku vijon të marrë trajtim mjekësor për shkak të plagëve të marra në disa pjesë të trupit.
Sipas të dhënave, i riu kishte shkuar me makinë për të marrë bashkëjetuesen e tij dhe, në momentin që kanë dalë familjarët e saj, për motive që lidhen me marrëdhëniet familjare, ai ka drejtuar automjetin në drejtim të nënës së saj, duke e goditur dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Bashkëshorti i të plagosurës, Agron Huti, ka treguar ngjarjen, duke kërkuar ndëshkim maksimal për autorin.
“Parmbrëmë në orën 02:04 minuta. Në moment e kam çuar me makina kështu, pastaj ka ardhur Policia atje. E kemi çuar te spitali i Traumës. Pjesën e shpatullës deri te kofsha. Komplet pjesën e brinjëve. S’kam pasur probleme fare. Krejt inatin e ka pasur me nusen, me nusen teme”, ka thënë bashkëshorti i të dëmtuarës.
Ndërkohë, policia reagoi menjëherë pas sinjalizimit për ngjarjen, duke lokalizuar dhe arrestuar 28-vjeçarin Cuf Behi në kuadër të operacionit policor “Reagimi”. Ai akuzohet për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti i përdorur në ngjarje, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.
Komente








