Një 31-vjeçar nga Lezha ka rënë në prangat e policisë pasi u kap duke qarkulluar me armë zjarri në automjet. Arrestimi u bë në rrethrrotullimin e Rinasit, pas një operacioni të zhvilluar nga Forca e Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë.

Sipas policisë, Ted Marku u lokalizua pas informacioneve operative që tregonin se lëvizte i armatosur. Gjatë kontrollit në automjetin e tij, efektivët gjetën në një çantë dore një pistoletë me një krehër me municion luftarak, e cila u sekuestrua si provë materiale.

Pas arrestimit, ndaj 31-vjeçarit nisi procedimi për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit”, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i Policisë 

Krujë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Black 2”. Qarkullonte i armatosur me armë zjarri pistoletë, kapet në rrethrrotullimin e Rinasit nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, një 31-vjeçar nga Lezha.

Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë dhe municion luftarak. Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, bazuar në informacionet operative për një shtetas që qarkullonte i armatosur, në kuadër të operacionit policor të koduar “Black 2”, e lokalizuan atë në rrethrrotullimin e Rinasit, ku e kapën dhe e arrestuan në flagrancë shtetasin T. M., 31 vjeç, banues në Lezhë. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin ai qarkullonte, shërbimet e Policisë gjetën në një çantë dore një armë zjarri pistoletë, me një krehër me municion. Arma e zjarrit dhe municioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit”.