TIRANE - Policia e Tiranës ka arrestuar sot paradite tre shtetas që kanë tentuar të korruptojnë policinë me shuma nga 1000 lekë.

Shtetasi i parë Tahir Lleshi ka tentuar të korruptojë punonjësit e Qarkullimit Rrugor pasi është ndaluar në Tiranë rreth orës 10:10 kur policia ka konstatuar se ai kryente shërbimin taksi të pa licencuar.

Pas ndalimit nga policia rrugore, Lleshi ka tentuar të korruptojë forcat policore duke u dhënë atyre 1000 lekë në këmbim të lirisë.  

Arrestimi tjetër është kryer rreth një orë më vonë. Në orën 11:15 kur shtetasi Arjan Sulaj është ndaluar nga Policia, pasi ka hyrë kundravajtje në afërsi të sheshit “Skenderbej”.

Pas ndalimit është konstatuar se Sulaj nuk ishte i pajisur me leje drejtimi. Në këto kushte ai ka tentuar t’i japi shumën e 1000 lekëve punonjësit të policisë.

I ndaluari i trete është Rafael Lala 37 vjeç, ai u ndalua si debitor nga polici i qarkullimit iu kërkuan dokumentet por brenda dokumentit të figuracionit Lala vendosi 1 mijë lekë duke kërkuar favor për të mos iu marrë leja e qarkullimit.

Në këtë moment 37 vjeçari është ndaluar nga policia.

Të tre janë arrestuar për veprën penale të "Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike" parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)