VLORË - Gjykata ka dhënë masën e sigurisë "arrest me burg" për katër rumunët që u arrestuan teksa po tentonin të transportonin 260 kg kanabis me kampera drejt Greqisë. Rumunët Marius Cimpeanu, Mihaela Cimpeanu, Florin Tucan dhe Andreea Pislaru akuzohen për veprën penale 'trafikim i narkotikëve'. Gjyqtare e çështjes është Herila Çela dhe prokuror Anton Pali.
Rumunët që kamufloheshin si turistë u ndaluan nga blutë e Vlorës tre ditë më parë si rezultat i aksionit policor "Camper" në të cilin policia sekuestroi sasinë e lëndës narkotike. Ata u mbajtën në monitorim dhe u ndaluan në "Qafë Botë" nga policia ndërsa transportonin me kamper lëndën narkotike me qëllim transportimin në Greqi.
Droga ishte e vendosur në vende të përshtatura në dy kamperat. Sipas informacioneve droga dyshohet të jetë furnizuar nga shtetas shqiptar. Të arrestuarit që merreshin me trafik të lëndëve narkotike e bënin këtë aktivitet përmes kamperave luksozë me të cilët transportonin drogën.

Komente

