"Teodor Keko", juria shpërblehet
2 mln lekë më shumë se fituesit

2 mln lekë më shumë se fituesit">
Shumë gjëra të çuditshme do të ndodhin këtë vit me çmimin e gazetarisë “Teodor Keko”. Ish-fituesit e 2011-s, që shënuan edhe edicionin e parë të këtij konkursi janë kthyer automatikisht në anëtarë jurie për edicionin e dytë të 2012-s. Nga lista e fituesve të vitit të kaluar, vetëm kryetari i jurisë së këtij edicioni, Artur Zheji, nuk ka qenë një ndër ta, por dy anëtarët e tjerë Fatos Baxhaku dhe Ben Andoni kanë fituar trofetë përkatëse të edicionit të parë. Pra, edicioni i dytë i konkursit të gazetarisë “Teodor Keko” që sipas burimeve nga MTKRS-ja pritet të zhvillohet në fillim të shtatorit do të ketë në përbërjen e tij këtë juri:

Artur Zhejin, kryetar
Fatos Baxhakun, anëtar
Ben Andonin, anëtar
Fatos Baxhaku dhe Ben Andoni janë vlerësuar si fitues të edicionit të parë në fushat përkatëse: i pari, për reportazhet dhe dokumentarët cilësorë dhe i dyti për lëvrimin e gazetarisë kulturore dhe profilet e spikatura të personaliteteve. Çmimet e tyre sigurisht që u shoqëruan edhe me shpërblime deri në tre milionë lekë të vjetra dhe i meritonin. Por, cila është e pazakonta në rastin konkret?! E pazakonta është se këtë vit këta anëtarë jurie do të shpërblehen me shuma aq të mëdha, saqë i afrohen shumë atij që do të marrë çmimin. Pra, i bie që të njëjtët gazetarë të marrin në dy edicione rresht shpërblime nga MTKRS-ja. Madje shuma e shpërblimeve të të gjithëve anëtarëve të jurisë së bashku ia kalon edhe fituesit. Nëse fituesi shpërblehet me 3 milionë lekë të vjetra, shuma e dy anëtarëve të jurisë me kryetarin Artur Zheji do të jetë 5 milionë e 200 mijë lekë të vjetra gjithsej. Lind pyetja: a po bëhet ky konkurs për të shpërblyer gazetarët, apo për të shpërblyer jurinë. Duke ditur se ka shumë gazetarë që meritojnë të shpërblehen në një mënyrë ose në tjetër për kontributin e tyre, idealizmin e përkorë në profesion, nuk ka si të mos bjerë në sy fakti që fituesit e një viti më parë,jo vetëm që do të shpërblehen, por edhe që po e mbyllin këtë konkurs në rreth shumë vicioz, ashtu siç është bërë për vite me radhë edhe me konkursin e Letërsisë nga MTKRS-ja. Pra rregullohet një lloj qarkullimi nga fituesi në juri dhe nga kjo juri del një fitues e anasjelltas fituesi vitin tjetër si anëtarë jurie ia jep çmimin ish-anëtarit të jurisë. Vetëm duke pasqyruar rrjedhën kronologjike të edicionit të parë do të shohim sesi është futur në një “kurth” pazaresh edhe tradita e çmimit të gazetarit “Teodor Keko” në Ministrinë e Kulturës.
Si i zbuluam shpërblimet dhe anëtarët jurisë
“Megjithëse nuk është bërë shpallja publike, shifra e shpërblimit të çmimit të fituesit nuk do të lëviz, konfirmojnë burimet nga MTKRS-ja. Pra çmimi për fituesin e vendit të parë do të jetë 3 milion lekë të vjetra. Megjithatë askush nuk jep dot shpjegim pse anëtarët e jurisë do të marrin një shpërblim kaq të madh. Në një konkurs të tillë i bie më mirë që të jesh një anëtar jurie sesa një konkurrent, sepse së paku nga tre milionë që është shpërblimi për fituesin (e fitorja nuk është kurrë e sigurt), duke qenë në juri të ardhurat do të jenë të sigurta.
Pra cilët janë anëtarët e jurisë që do ta marrin shpërblimin e madh për zgjedhjen e fituesit. Mësojmë se Kryetar i Jurisë do të jetë Artur Zheji, që do shpërblehet me 2 milionë
lekë të vjetra. Anëtar do të jetë Ben Andoni, me 1.6 milionë lekë të vjetra
dhe Fatos Baxhaku me 1.6 milionë lekë të vjetra. Janë gjithsej 5 milionë e 200 mijë lekë të vjetra, që i kalojnë shumë tre milionët e fituesit të çmimit të parë.
Të interesuar kohë më parë për konkursin në MTKRS vumë re nga një pakujdesi e ruajtjes së dokumentacioneve, Kryetari i Jurisë, Artur Zheji do të shpërblehet me 2 milionë lekë të vjetra. Dy anëtarët e tjerë me 1.6 milionë lekë të vjetra, ku sigurisht do të mbahet edhe një taksë për to. Kështu që sipas të dhënave të mëtejshme zyrtare ka një lidhje zinxhir e gjithë historia e këtij çmimi, që edhe pse u përket të gjithë gazetarëve të medias, duket se po pronësohet nga një rreth i ngushtë analistësh të njohur. Ja pasqyra e një viti më parë ku ndjekim rrethin e ngushtuar të fituesve dhe anëtarëve të jurisë, që do të vijojnë ndoshta në një marrëdhënie të re “më dhe çmim”-”të dhashë çmim”, etj, dhe s’na nevojitet më asnjë koment më tepër.

Konkursi i gazetarisë “Tedor Keko” 2012
“Në shtator pritet të zhvillohet konkursi për gazetarinë “Teodor Keko”, konfirmojnë burimet zyrtare nga MTKRS. Drejtori i degës së Librit pranë MTKRS, zoti Ermir Nika, pohon për “Shqiptarja.com” se shpallja zyrtare e këtij konkursi do të bëhet së shpejti. I pyetur se cila do të jetë juria, ai tha se “nuk i publikojmë ende emrat e jurisë, sa të bëhet një shpallje zyrtare”. Ndërkohë gazeta i kishte zbuluar më herët emrat e këtyre anëtarëve. Megjithatë Nika tha se “Konkursi do të zhvillohet, janë marrë masat, por për shpalljen zyrtare të këtij konkursi do të prisni edhe pak ditë”. Duke u shprehur se është herët për të folur, Nika na siguron se ky konkurs do të zhvillohet në shtator, dhe madje shtoi se disa muaj pas tij do të zhvillohet edhe konkursi i letërsisë (që është një konkurs i tepër i prapambetur nga viti 2012). Sipas Nikës duket se konkurset do të kenë të njëjtat procedura për fituesit si vitin e kaluar. Kështu ai pohon se edhe për konkursin e letërsisë nuk do të ketë lëvizje shifrash në shpërblimin e fituesve. Si gjithmonë fituesi i vendit të parë në letërsi, “ai që fiton çmimin e karrierës do të jetë deri në dhjetë milionë lekë të vjetra”. Po ashtu Nika pohoi se çmimi për gazetarin fitues “duhet të jetë ashtu si vitin e kaluar aty te tre milionët. Por pyesni mirë për këtë” tha ai.

Çmimi i gazetarisë “Teodor Keko” si e nisi ish-ministri Ylli Pango
Çmimi i gazetarisë “Teodor Keko”, megjithëse i firmosur në shtator të vitit 2008 nga ish-ministri i Kulturës z. Ylli Pango, për tre vjet me radhë nuk u dha asnjëherë. Vetëm në vitin 2011, ky çmim promovohet për herë të parë nga ish-ministri tjetër i Kulturës Ferdinand Xhaferaj. Konkurrentët do të përfaqësonin arritjet e 2010-s. Ceremonia u krye në ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ku u ndanë Çmimet Kombëtare të Gazetarisë “Teodor Keko” 2010. Ministri i atëhershëm F. Xhaferaj përmendi edhe faktin që çmimi nuk ishte dhënë që nga 2008-a. Paraardhësi i Xhaferaj, Ylli Pango në dekretimin e këtij çmimi kishte shkruar se “Çmimi në fjalë krijohet për të nxitur pasqyrimin në shtypin e përditshëm dhe atë periodik të arritjeve dhe problematikës në fushën e kulturës dhe arteve, për një trajtim sa më profesional të fenomeneve kulturore, si edhe për të vlerësuar figurën dhe kontributin e shkrimtarit dhe gazetarit të njohur.”
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptajra.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Operacion i Antidrogës, bien në pranga 2 persona! Sekuestrohen 3 kg lëndë narkotike

Tiranë/ Operacion i Antidrogës, bien në pranga 2 persona! Sekuestrohen 3 kg lëndë narkotike