TEPELENE - Vritet me goditje pas koke dhe më pas lihet në një kanal. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë në fshatin Luftinjë të Tepelenës. Viktima është Qemal Zeka, 69 vjeç, për të cilin Policia e Gjirokastrës ka hapur hetimet për vrasje.

Burime nga policia lokale thanë mbrëmjen e djeshme se, për këtë qëllim janë marrë në pyetje familjarët e viktimës dhe disa banorë të fshatit. Dyshimet janë se, 69-vjeçari është qëlluar ose me dru ose me gurë pas koke, goditje që i kanë sjellë edhe vdekjen e menjëhershme.

Ai ishte gjetë nga familjarët e tij, në një kanal 1 kilometra larg banesës dhe në vendin e ngjarjes kanë mbërritur uniformat blu që kanë nisur hetimet. Policia tha se, është në pritje të raportit mjeko-ligjor për të përcaktuar shkaqet e vdekjes, por ka nisur hetimet për krim. Ndërkaq, pista tjetër është ajo që i moshuri mund të jetë rrëzuar dhe të ketë goditur kokën.

VRASJA E TË MOSHUARIT
Një i moshuar është gjetur i vrarë rreth 1 kilometër larg banesës së tij. Ngjarja është zbuluar mbrëmjen e dy ditëve më parë në orën 20:30, në fshatin Luftinjë të Tepelenë. Policia ka bërë të ditur se, 1 kilometër larg banesës së tij është gjetur i vdekur Qemal Zeka, 69 vjeç banues në fshatin Luftinjë, Tepelenë. Në vendin e ngjarjes ka shkuar një grup hetimor, që në cilësinë e provave materiale ka sekuestruar veglat e punës së tij, sëpatë, kazëm, lopatë dhe ushqimet që i kishte marrë për ti ngrënë. Nga këqyrja paraprake e kufomës nga ekspertët mjeko-ligjor ka rezultuar se, viktima kishte një frakturë në pjesën e pasme të kokës. Trupi i viktimës është transportuar në morgun e Spitalit Tepelenë dhe gjatë ditës së djeshme i është bërë autopsia. Paraprakisht dyshohet se shkaku i vdekjes është si pasojë e frakturës shkaktuar nga mjet jo prerës, drurë ose gurë, pasi akt ekspertimi mjeko-ligjor përfundimtar nuk ka dalë akoma.

HETIMET PËR VRASJE
Nisur nga të dhënat e mbledhura dhe nga raporti paraprak i ekspertit mjeko-ligjor, oficerët e Sektorit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës në bashkëpunim me Prokurorinë paraprakisht e kanë klasifikuar këtë ngjarje si vrasje dhe për këtë fakt kanë nisur hetimet deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Gjithashtu nuk përjashtohet mundësia që edhe mund të jetë rrëzuar vetë. Në orët e mbrëmjes së djeshme në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Gjirokastër janë shoqëruar disa banorë të fshatit të cilët janë marrë në pyetje si dhe familjarët e tij. Policia tha se, nuk përjashtohet edhe fakti se, i moshuari mund të ketë rrëshqitur dhe të ketë goditur kokën. Dosja me materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprën penale ”Vrasje me dashje”.
 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 Nëntor 2014

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)