TEPELENË - Një sasi lënde plasëse i është vendosur në garazhin e banesës së drejtorit të burgut të Bënçës, Avni Sula. Sipas Policisë së Shtetit ngjarja ka ndodhur në lagjen “15 shtatori” të qytetit të Tepelenës.
 
I kontaktuar nga A1Report drejtori Avni Sula shprehet se çdo prove dhe emrat e dyshuar prej tij ia ka dhënë grupit hetimor për të identifikuar autorët. Avni Sula shprehet se nuk do të bëjë asnjë reagim zyrtar deri sa policia të ketë hetuar mbi këtë ngjarje.
 
Burime nga Prokuroria e Gjirokastrës thanë për A1 Report se sasia e lëndës eksplozive ka qenë 30 gram, por ende nuk dihet lloji i saj. Po ashtu sipas hetuesve pista në të cilën po punohet është ajo e detyrës së Avni Sulës. Mendohet se reformat e shumta që ai ka ndërmarrë në drejtimin e Burgut të Bënçës është shkaku i vendosjes së eksplozivit.

tritoli tepelene
Të njëjtat burime shprehen se kjo ngjarje ka qenë vetëm një paralajmërim për drejtorin e burgut Avni Sula, dhe nuk ka qenë qëllimi për një eliminim të mundshëm të tij.
 
Lënda plasëse dyshohet se i është hedhur nga jashtë në garazhin ngjitur me banesën në katin e parë ku ndodhej automjeti tip “Fiat” me targa AA 681 HL.
 
Nga shpërthimi i kësaj lënde plasëse është dëmtuar një pjesë e automjetit, por nuk ka të lënduar. Policia po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

tritoli tepelene
garazhdi me eksploziv


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)