SPANJË - Lajme të këqija për Marc-Andre ter Stegen. Klubi i Gironas ka konfirmuar zyrtarisht se portieri gjerman do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale këtë të premte, pas dëmtimit të pësuar në kofshën e pasme të këmbës së majtë.
Në njoftimin e klubit bëhet e ditur se shkalla e saktë e dëmtimit dhe koha e rikuperimit do të përcaktohen vetëm pas operacionit, duke i dhënë fund pasigurisë që ka shoqëruar gjendjen e tij fizike gjatë ditëve të fundit.
Vendimi për të kryer ndërhyrjen erdhi pas ekzaminimeve shtesë të realizuara këtë javë, të cilat treguan se dëmtimi ishte më serioz sesa ishte vlerësuar fillimisht pas ndeshjes kundër Oviedos. Ter Stegen ka zhvilluar vetëm dy ndeshje zyrtare me fanellën e Gironas dhe gjatë takimit nuk kishte shfaqur shenja të dukshme shqetësimi, çka bëri që diagnostikimi i plotë i problemit të vonohej.
Tashmë vëmendja është zhvendosur te një proces rikuperimi që pritet të jetë i gjatë, duke ndikuar drejtpërdrejt si planet e klubit katalanas, ashtu edhe objektivat personale të portierit gjerman.
Ter Stegen kaloi nga Barça te Girona në huazim këtë janar me synimin për të rifituar vazhdimësinë dhe rolin e një lojtari kyç, por ky dëmtim e ka ndërprerë papritur procesin e përshtatjes.
Nga Girona po tregohet kujdes maksimal dhe nuk do të vendoset asnjë afat për rikthimin në fushë deri pas përfundimit të operacionit, moment pas të cilit pritet një panoramë më e qartë për gjendjen e portierit, i cili edhe një herë përballet me një goditje të pafat në një moment delikat të karrierës.
Komente




