TERAMO - Një shqiptar i identifikuar si Marjan Qerimi, është vrarë nga një agjent policie i kuesturës së Teramos, i cili mbrëmjen e së hënës së bashku me 3 bashkëatdhetarë të tij ndodhj në një makinë të vjedhur. Prej disa ditësh, makina ishte denoncuar në polici si e vjedhur.

24-vjeçari ka marrë plagë në gjoks nga një prej 4 plumbave që janë shtënë nga drejtuesi i patrullës në momentin kur ata kanë dalë nga makina dhe kanë tentuar të largohen, bën të ditur media italiane.

Kreu i patrullës policore në rajonin e Teramos është vënë në hetim nga prokurorët për të zbardhur ngjarjen dhe për të nxjerrë konkluzionet nëse kjo vrasje mund të ishte shmangur.

Aktualisht trupi i të ndjerit ndodhet në morgun e Teramos dhe pritet që të realizohet autopsia e vdekjes, e cila do të kryesohet nga prokuroria publike dhe prokurorja Irene Scordamaglia.

Ndërkohë, policia ka sqaruar se patrulla e policisë pikasën një Mercedes të vjedhur në provincën e Macerata, pasi i bënë shenjë të ndalte për kontroll kjo makinë nuk respektoi urdhrin e policisë dhe ndjekja përfundoi në fshatin e Castelnuovo kur automjeti u ndal në një rrugë të mbyllur.

Sipas njoftimit të kuesturës së Teramos “Qerimi kishte drejtuar një pistoletë në drejtim të agjentëve të policisë”. Ndaj 24-vjeçarit ishte firmosur një urdhërarrest nga prokuroria e Firences për vepra penale që kishin të bënin me drogën. Urdhërarresti ishte firmosur më 11 qershor. Policia saktëson se pistoleta që shqiptari i kishte drejtuar patrullës së policisë ishte e markës “Star”, e kalibrit 9 milimetra e prodhuar në Spanjë, por pa karikator.

Sipas të dhënave paraprake 24-vjeçari Qerimi ndërroi jetë njëzet minuta pasi u dërgua në urgjencën e spitalit për të marrë ndihmën mjekësore. Autopsia pritet të bëhet nesër. Në makinë janë gjetur dhe disa objekte, si portofolë, çanta të cilat mendohet se janë vjedhur.

Gjithashtu policia njofton se po punohet dhe për arrestimin e tre bashkëpunëtorëve të Marianit, ku 3 prej shoqëruesve të tij kanë mundur të largohen duke përfituar nga errësira dhe rrugicat.
Shkrimi origjinal

Lajmi u publikua sot në orën 10:50 dhe u përditësua në orën 16:43

(sg/shqiptarja.com)