Terapia hormonale që për herë të parë QSUT do ta ofrojë falas për të mundësuar tranzicionin e personave transgjinorë, ka ngjallur debate të forta, menjëherë sapo Report Tv publikoi i pari udhëzimin e Ministrisë së Shëndetësisë që përcakton praktikën klinike që do të ndiqet. Shumica e qytetarëve shprehen kundër, me argumentin se nuk u plotësohen të gjitha shërbimet spitalore falas, veçanërisht për pensionistët. Burime nga Ministria e Shëndetësisë sqaruan se në QSUT do të bëhen të gjitha shërbimet e nevojshme për një transgjinor derisa të arrihet në terapinë individuale që duhet të ndjekë. Hormonet do të blihen në farmaci me recetë mjeku, por pa rimbursim.
***
Një person transgjinor në Shqipëri për herë të parë do të mund të paraqitet te mjeku i familjes për të kërkuar një vizitë me një mjek endokrinolog në QSUT dhe për të nisur një terapi hormonale, që do ta ndihmonte drejt kalimit në gjininë me të cilën vetidentifikohet, e që nuk përputhet me seksin e tij biologjik.
Pasi kalon në sistemin e referimit, në shërbimin e endokrinologjisë në QSUT hapet një kartelë, ku personi transgjinor do të ndiqet gjatë gjithë kohës nga mjekët sipas praktikës të caktuar për herë të parë në vendin tonë më 28 prill të këëtij viti, nga Ministria e Shëndetësisë.
Nëse një person i lindur burrë kërkon të arrijë identitetin gjinor të një vajze, apo anasjelltas, atëherë një komision ndërdisiplinor me psikologë, psikiatër, onkolog, gjinekolog, androlog, endikronolog, apo edhe specialistë të tjerë sipas nevojës, do të vendosin në lidhje me terapinë hormonale që duhet ndjekur dhe mënyrën e monitorimit gjatë këtij tranzicioni. Kjo lidhet me moshën e pacientit, me gjendjen e tij shëndetësore dhe elementë të tjerë, të cilat do të jenë përcaktuese për përshtatjen e nivelit të hormoneve që duhen marrë, edhe përballë rrezikut të efekteve anësore që ato shfaqin kur jepen mbi normat e lejuara.
“Nëse individi ka patologji të caktuara përjashtohet nga ky udhëzim në varësi të vlerësimit klinik. Në të përfshihen vetëm rekomandime të përgjithshme dhe tipe të ndryshme të terapive hormonale sipas praktikave klinike, sqaroi Eugena Tomini, zv/ministre e Shëndetësisë.
Deri para këtij udhëzimi të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilin Report Tv e publikoi i pari, dhe menjëherë ngjalli debat të madh publik, personat transgjinorë bënin trajtime hormonale jashtë vendit, apo i blinin ato në farmaci nën dorë, duke qenë se asnjë mjek deri dje nuk mund të lëshonte një recetë për trajtimin hormonal për të arritur tranzicionin e identitetit gjinor.
Burime thanë për Report Tv se në QSUT do të bëhet gjithçka është e nevojshme për terapinë, vlerësimeve mjekësore dhe psikosociale, analiza hormonale dhe ekzaminimeve laboratorike. Por hormonet do të merren në farmaci me recetë mjeku, pa rimbursim.
"Hartimi i protokolleve specifikë të trajtimit dhe çdo vendimmarrje mbi rimbursimin janë procese të mëvonshme të cilat zbatohen me vlerësimin klinik të individualizuar të pacientit dhe në zbatimin e praktikave rregullatorë institucionale, tha në një reagim publik Tomini.
Terapia mund të nisë nga mosha 16 vjeç, ndërsa në raste të veçanta, mund të konsiderohet edhe nga mosha 14 vjeç. Në këtë rast, siç burimet thonë për Report Tv, prevalon aprovimi i prindërve, në rast të kundërt nuk mund të bëhet asnjë veprim nga ekipi mjekësor.
Shumica e qytetarëve të pyetur nga Report Tv shprehen kundër ofrimit të kësaj terapie në sistemin publik shëndetësor në Shqipëri.
“Jam kundër se ne kemi një traditë që nuk na lejon. Gjithkush ka të drejtë të bëjë ç’të dojë por për mua nuk ka nevojë.
"Ka transgjinorë, s'ka transgjinorë, s'më duhet fare."
“Ku t’i gjej lekët unë të marrë ilaçe për tensionin, tiroidet, kockat, një herë marr njërën, një herë tjetrën, tani ai do të paguajë ata. Mua si qytetare s’më rimburson që kam punuar kaq vjet. Pse ua bën atyre, se e ka atje të shkruar dhe do të hyjë në BE?”
“Nuk më intereson. Janë abuzime, biznese korruptive, rri si të ka bërë natyra.”
Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Eugena Tomini, sqaroi sot se udhëzuesi mbi trajtimin hormonal për transgjinorët përbën një dokument orientues klinik dhe jo një protokoll përfundimtar terapeutik. Ky udhëzues është hartuar mbi bazën e praktikave dhe rekomandimeve ndërkombëtare, si edhe të vlerësimit të një ekipi multidisiplinar specialistësh.
“Çdo rast vlerësohet individualisht nga ky ekip multidisiplinar dhe nëse shfaq apo ka patologji të caktuara, përjashtohet nga ky udhëzim”, tha Tomini.
Sipas zv.ministres Tomini, dokumenti ka si qëllim orientimin e profesionistëve të shëndetësisë në procesin e rekomandimit të terapisë hormonale për individët që referohen për këtë shërbim dhe nuk rekomandon nisjen e trajtimit në fëmijëri.
Ajo theksoi se udhëzuesi i referohet vetëm adultëve të këtij target grupi, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe mbi bazën e konsentit individual të informuar.
Në lidhje me çështjen e rimbursimit, Tomini sqaroi se udhëzuesi nuk trajton dhe nuk përcakton skema rimbursimi për medikamentet hormonale. Dokumenti përfshin vetëm rekomandime të përgjithshme dhe tipe të ndryshme të terapive hormonale, bazuar në praktikat klinike ndërkombëtare.
Komente







