Autoritetet hungareze kanë miratuar zhvillimin e Paradës së Krenarisë në Budapest për vitin 2026, duke sinjalizuar një ndryshim të qartë në qasjen ndaj të drejtave të komunitetit LGBTQ+ pas ardhjes në pushtet të kryeministrit të ri, Peter Magyar.
Policia e Budapestit konfirmoi të premten se parada e planifikuar për më 27 qershor është autorizuar, ndërsa janë vendosur kufizime për tre kundërprotesta të njoftuara për të njëjtën ditë.
Vendimi përforcon premtimet e Magyar për një qasje më liberale ndaj çështjeve të të drejtave civile, pas viteve të tensioneve mes qeverisë së mëparshme të Viktor Orban dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e komunitetit LGBTQ+.
Orban, i cili humbi zgjedhjet e prillit pas më shumë se një dekade në pushtet, ishte bërë i njohur për politikat konservatore dhe kufizimet ndaj komunitetit LGBTQ+. Në fillim të vitit 2025, parlamenti hungarez miratoi legjislacion që çoi në ndalimin e Paradës Pride në Budapest.
Megjithatë, kryetari i Bashkisë së Budapestit, Gergely Karacsony, kundërshtar politik i Orban dhe përfaqësues i të Gjelbërve, gjeti një rrugë ligjore për të zhvilluar marshimin vitin e kaluar pavarësisht ndalimit.
Parada e vitit 2025 tërhoqi më shumë se 100 mijë pjesëmarrës, mes tyre politikanë europianë dhe kritikë të qeverisë së Orban. Pas organizimit të saj, Karácsony u përball me akuza për moszbatim të vendimit të qeverisë, por procedurat gjyqësore ndaj tij u pezulluan në muajin mars.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm erdhi muajin e kaluar, kur gjykata më e lartë e Bashkimit Europian rrëzoi vendimin anti-LGBTQ të miratuar nga qeveria e Orban.
Karácsony e përshëndeti vendimin për lejimin e paradës këtë vit.
“Ky është vendimi i duhur. Ai tregon se, pavarësisht klimës mbytëse politike të 15 viteve të fundit, kultura e lirisë në Hungari ka mbijetuar. Tregon se ka ende njerëz me guxim për të qëndruar të palëkundur dhe se e vërteta nuk mund të fshihet pas retorikës së pandershme”, tha ai.
Edhe drejtuesja e Partisë së Gjelbër Europiane, Vula Tsetsi, e cilësoi vendimin si një sinjal pozitiv.
“Jemi shumë të lumtur për këtë. Është një sinjal shprese për demokracinë dhe të drejtat themelore në Hungari pas viteve të sulmeve ndaj komunitetit LGBTQI+”, deklaroi ajo.
Vendimi për lejimin e Paradës Pride vjen vetëm pak orë pasi Bashkimi Europian njoftoi zhbllokimin e më shumë se 16 miliardë eurove fonde për Hungarinë, duke vlerësuar reformat e para të ndërmarra nga qeveria e re e Péter Magyar dhe ndryshimin e kursit politik pas largimit të Viktor Orbán nga pushteti.
Komente





