Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka kundërshtuar ashpër urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë, sipas së cilit, për herë të parë në shërbimin publik shëndetësor në Shqipëri do të kryhet terapia hormonale e personave transgjinorë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Meta ka shkruar se ky vendim i Qeverisë vjen në një kohë kur mijëra qytetarë që luftojnë çdo ditë me kancerin dhe shumë sëmundje të tjera përballen me mungesë të ilaçeve jetike, me pamundësinë për të përballuar trajtimin mjeksor dhe me braktisjen totale nga shteti.
Për Metën, shëndeti i njerëzve nuk ka qenë kurrë prioritet i kësaj qeverie. Sipas ish-Presidentit, premtimi për shëndetësi falas rezultoi mashtrimi më i madh i kësaj qeverie, pasi sipas tij, qytetarët detyrohen të paguajnë nga xhepi miliona euro për ilaçet më bazike.
Meta thekson se në vend që fondet publike të shkojnë për të sëmurët dhe familjet shqiptare, mbështesin axhenda ideologjike, që sipas tij godasin egërsisht vlerat tradicionale dhe familjen shqiptare.
Sipas Metës, kjo axhendë, së bashku me shpopullimin, kanë qëllim të vetëm shpërbërjen kombëtare të Shqipërisë dhe kombit shqiptar.
Reagimi i Metës:
Ndërsa mijëra qytetarë që luftojnë çdo ditë me kancerin si dhe shumë sëmundje të tjera përballen me mungesën e ilaçeve jetike, me pamundësinë për të përballuar trajtimin mjeksor dhe me braktisjen totale nga shteti, Qeveria zgjedh të financojë falas hormone për transgjinorët.
Kjo ndodh sepse shëndeti i njerëzve nuk ka qenë kurrë prioritet i kësaj Qeverie, siç e provoi gjithë këto vite ku premtimi për “shëndetësi falas”, rezultoi mashtrimi më i madh, që është bërë ndonjë here, ndërsa qytetarët detyrohen të paguajnë nga xhepi miliona euro për ilaçet më bazike dhe për të shpëtuar jetën dhe shëndetin e tyre.
Në vend që fondet publike të shkojnë për të sëmurët, për fëmijët, për familjet shqiptare dhe për mbështetjen e jetës, ato përdoren për të imponuar agjenda ideologjike, që bien ndesh dhe godasin egërsisht vlerat tradicionale dhe familjen shqiptare si kryevlerë, falë së cilës shqiptaret kanë përballuar furtuna te medha. Kjo agjendë, së bashku me shpopullimin, kanë qëllim të vetëm shpërbërjen kombëtare të Shqipërisë dhe kombit shqiptar.
Komente








Hajduti Meta po merakoset për popullin...
Përgjigju