Arbitri spanjoll, Antonio Mateu Lahoz ka vendosur që të heqë dorë nga gjykimi në fundin e sezonit. 45-vjeçari ishte në qendër të kritikave në Kupën e Botës, pikërisht në çerekfinalen mes Holandës dhe Argjentinës, me Lionel Messin që pas kalimit të "Albicestes" me penallti në turin tjetër, kritikoi ashpër Lahoz për nivelin e gjykimit.
Tanimë gazetari Gaston Edul nga Spanja bën me dije se Lahoz ka vendosur t'i japë fund me gjykimin në fundin e sezonit. La Liga vendosi që fundjavën që vjen të mos përfshijë Lahoz në asnjë ndeshje, me arbitrin që e ka marrë tanimë vendimin.
Në mesin e kësaj jave, Lahoz nxori me karton të kuq trajnerin e Sevillas, Joge Sampaoli pas vetëm 17 minutave lojë në Kupën e Spanjës kundër Linares. Veç kësaj, dueli i La Ligas mes Barcelonës dhe Espanyol prodhoi 14 kartona të verdhë dhe 2 të kuq, me Lahoz që u vendos në qendër të kritikave nga lojtarët. Duket se 45-vjeçari tanimë e ka marrë vendimin për t'u tërhequr.