Ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Roland Bimo, ka komentuar vendimin e Presidentit amerikan Donald Trump për tërheqjen e trupave nga Gjermania dhe shtete të tjera të Europës.

Në emisionin ‘Bota Report’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, Bimo tha se është politikë e SHBA-ve për tërheqjen e trupave nga Europa dhe jo vendimmarrje personale e Presidentit Trump.

Kjo pasi sipas Bimos, SHBA-të kanë angazhime në vende të tjera në botë, kryesisht në Indo-Paqësor dhe në Lindjen e Mesme.

“Lëvizjet e SHBA-ve kanë një domethënie të qartë. Po të shikojmë që po pakësohen trupat amerikanë në Rumani, të cilat kanë qenë edhe këto si barrierë mbrojtëse nga Rusia. Nuk do të dislokohen në Europë ato batalionet që ishin menduar se do të drejtonin raketat me rreze të gjatë veprimi, që mund të kapnin edhe Moskën. Pra SHBA po tërhiqen nga angazhimet e tyre të mëparshme. Po të shikojmë, kjo brigada që po dislokohet nga Rumania, do të shkojë diku në Detin e Zi apo Detin Kaspik, diku në një nga vendet e Kaukazit, për t’ju kundërvënë rusëve. Kanë një filozofi amerikanët për t’u tërhequr nga Europa. Sado të thotë Meloni apo Merz, mund të shikojmë trajektoren e tërheqjes së amerikanëve nga europa. Sepse amerikanët kanë angazhime të tjera, qoftë në Azi, në Indo-Pacifik me Kinën, aq më tepër tani në Iran”, tha mes të tjerash Bimo.

Bimo shtoi më tej se liderët europianë nuk e kanë lexuar si duhet mesazhin e SHBA-së për tëheqjen e trupave nga Europa. Kjo pasi sipas tij, shtetet europiane janë mësuar që të jenë nën mburojën amerikane.

“Në Europë ende liderët dhe establishmenti i politikës së jashtme, duke qe i betuar trans-atlantik, në kuptimin që çdo qelizë e tyre është e edukuar për marrëdhëniet me SHBA-në dhe nuk mund ta imagjinojnë dot një Europë sesi mund të veprojë pa mbështetjen amerikane. Nga ana tjetër, është evidente që situata politiko-ushtarake në të gjithë SHBA-të ndryshon shumë nga 10 vite më parë. Ky mesazh duket se nuk po lexohet si duhet nga europianët, që vazhdojnë ta marrin me të mirë zotin President, pasi mendojnë se duke e marrë me të mirë, duke i thënë ‘Deddy’, ai do të ndërrojë mendje. Por nuk funksionon kështu, sepse drejtimi i SHBA-ve është i detyruar nga ligje objektive. Presidenti i SHBA-ve është në duart e lobistëve. Bën atë politikë që i imponohet nga grupet e lobimit në SHBA. Ata që kanë paguar paratë, ata bëjnë edhe politikën”, vijoi më tej Bimo.