Tërhiqet Kryeministri Berisha,
përgjysmon taksën e makinave

Tërhiqet Kryeministri Berisha,<br />përgjysmon taksën e makinave
TIRANE - Qeveria shqiptare merr mbrapsht edhe një “reformë” tjetër, atë të taksës vjetore të automjeteve, të cilën, dy vjet e gjysmë më parë, e solli në fuqi, duke ndryshuar sistemin e taksave kombëtare e vendore.

Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave, ka udhëzuar ministrin e Punëve Publike dhe Transportit që, në bashkëpunim me ministrin e Financave, të përgatisë aktin ligjor për përgjysmimin e taksës për makinat e përdorura.

Ky, tha kryeministri, është shqetësim i shprehur nga shumë qytetarë dhe, njëkohësisht, i jep zgjidhje një padrejtësie, që penalizon ata shqiptarë, që nuk kanë mundësinë e pasjes së një makine të re.

Me këtë deklaratë, ai hedh poshtë gjithë atë mbrojtje që bëri vite më parë për sistemin e deritanishëm të taksimit të makinave lidhur me mjedisin, duke filluar nga ulja e ndotjes atmosferike, deri te shmangia e kthimit të Shqipërisë në një varrezë automjetesh të përdorura.

Në vijim të fushatës së tij populiste parazgjedhore, Berisha ka vendosur të hapë dyert për makinat e vjetra, një veprim i menduar politikisht që të ngjallë mbështetje nga shtresat e varfëruara nga kriza, ndërkohë që do të fuqizonte edhe importuesit e makinave të vjetra, që e kanë kundërshtuar me kohë ligjin e ri dhe që janë shumë më tepër në numër se sa koncensionarët e makinave të reja.

Berisha foli në mbledhjen e qeverisë si një person që nuk kishte fare dijeni për vendimin e mëparshëm të taksimit të makinave. “Ju garantoj se kam shqyrtuar të gjitha taksat e vendeve të tjera dhe nuk kam gjetur të bëhet një pabarazi e tillë, as në vendet e Bashkimit Evropian dhe as në vende të tjera.

Taksa e makinave të përdorura do të përgjysmohet. Siç janë futur koeficientet, do të pjesëtohen për dy. Mjedisi mbrohet nga karburanti dhe ne kemi ndaluar dieselin D2, pra, jemi vend që nuk djegim D2. Ne i tejkalojmë edhe normat evropiane, kemi një mani të vrapojnë e të vendosim objektiva që BE do t’i arrijë pas 10 vitesh!

Ndalimi i D2 është një vendim shumë i mirë, por nuk mund të penalizojmë qytetarët, sepse del që ai që ka, ndihmohet dhe ai që nuk ka, ndëshkohet. Kjo nuk mund të pranohet”, deklaroi Berisha. Ndërkohë, kur është miratuar taksa në fuqi, po i njejti kryeministër e ka cilësuar si një “akt të shkëlqyer” edhe atë, që tani po e hedh poshtë.

Ditët e fundit, vetë Berisha është angazhuar në një “garë” me kohën për të ndryshuar sa më shumë që mundet në sistemet e taksave, duke filluar nga TVSH-ja për sektorë të ndryshëm, e deri te tatimi mbi të ardhurat personale apo heqja e pagave të referencës. Opozita e akuzon se është kujtuar pikërisht në prag të zgjedhjeve për të marrë mbrapsht sistemin fiskal që ngriti në vite, duke miratuar edhe shumë objektiva të bëra publike të Partisë Socialiste.

DËSHTIMI

Më 2011, u hoq taksa e rishitjes së makinave

Përpara se të rishikojë taksën vjetore të makinave, qeveria ka pranuar dështimin edhe për një taksë tjetër. Në korrik të 2011-ës, ka qenë ministri i Financave Ridvan Bode, që ka deklaruar se taksa e vendosur për për rishitjen e mjeteve të përdorura nuk solli rezultatet e dëshiruara. Nga 2.883 mjete që kishin ndryshuar pronësinë në një vit, kur taksa qendroi në fuqi, vetëm 1.146 mjete iu nënshtruan taksës së mjeteve të përdorura.

Ulja e numrit të ndryshimeve të pronësisë çoi në rritjen artificiale të mjeteve që qarkullojnë me akte përdorimi, pra pa ndryshuar pronësinë mbi to. Kjo çoi në mosnjohjen e pronarëve të vërtetë të mjeteve rrugore, sipas ministrit, që paraqiti një projektligj në Kuvend, duke shprehur me këtë rast “mea culpa”-n e tij pse nuk ishin thelluar në pasojat e vendosjes së një takse të tillë.

Në fakt, kjo masë synonte të nxirrte fitime për arkën e Financave, duke qenë se tregu i shitblerjeve të makinave, që ndryshojnë pronar është një nga tregjet me xhiro më të lartë në vend. Por mjeti i gjetur nuk i shërbeu qëllimit, përballë një evazioni masiv, të nxitur nga korrupsioni i administratës tatimore.

Në vitin 2011 u konstatua zyrtarisht se u rritën 10-fish kalimet e pronësisë së makinave të përdorura në Shqipëri, pas anulimit të ligjit, që caktonte një taksë për shitësin. Ligji i mëparshëm solli absurdin, e përhapur gjerësisht, që pronarët e makinave, kur i shisnin, nuk e noterizonin kalimin e pronësisë dhe vazhdonin të mbeteshin zyrtarisht pronarë, që të mos paguanin taksën. Kur ky detyrim fiskal u shfuqizua, kalimet e pronësisë ishin dhjetë herë më të larta.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Protesta mbyllet vetëm te ‘Sheshi Uillson‘, Bardhi dhe grupi i bashkohen pjesës te Bashkia e Tiranës, pikat e tjera s'i binden

Protesta mbyllet vetëm te ‘Sheshi Uillson‘, Bardhi dhe grupi i bashkohen pjesës te Bashkia e Tiranës, pikat e tjera s'i binden