Lëkundje të forta tërmeti janë ndjerë në orët e para të mëngjesit në Shkodër në orën 04:07 minuta.
Mësohet se epiqendra e tërmetit ka qenë në Nikshiq të Malit të Zi, ku kjo zonë është përfshire nga tërmeti 5.4 ballë. Tërmeti u pasua me 30 tërmete të mëvonshme nga 3.5 ballë në 1.15 ballë.
Tërmeti kishte thellësi rreth 10 kilometra dhe me epiqendër 21 km nga qyteti i Plužine, jo shumë larg kufirit me Bosnje dhe Hercegovinën.
Lëkundjet janë ndjerë edhe në disa qytete të Shqipërisë, kryesisht në Shkodër, Lezhë dhe Tiranë.
Tërmeti është ndjerë edhe në brigjet jugore të Adriatikut të Italisë veçanërisht në Pulia. Po ashtu edhe në Kosovë, Serbi e Bosnje.
Epiqendra e tërmetit
Mali i Zi u trondit nga një tërmet 5.4 ballë rreth orës 04:06 të mëngjesit të sotëm. Sipas shefes së Departamentit për Analizë dhe Përpunim të të dhënave Sizmologjike, Milena Tomanoviç, tërmeti me magnitudë 5.4 ballë u pasua me 30 tërmete të mëvonshme nga 3.5 ballë në 1.15 ballë.
Tomanoviç tha se ende nuk ka raportime nga terreni nëse ka pasur dëme materiale. Ndërkohë, Instituti për Hidrometeorologji dhe Sizmologji bëri me dije se epiqendra e tërmetit ishte 5 kilometra nga qytetit i Çaragjesë në komunën e Nikshiqit. Thellësia e tërmetit ishte prej 14 kilometrash.
Instituti shton se tërmeti mund të ketë shkaktuar disa dëme materiale në zonën epiqendrore, ndërkohë që tërmeti ka ndodhur në zonën kufitare të Malit të Zi dhe Bosnjë Hercegovinës.