ITALI- Një tërmet është regjistruar këtë mëngjes në Itali. Epiqendra e tërmetit ishte në bregdetin Pesaro Marche në një thellësi prej 8 kilometrash dhe me magnitudë 5.7 ballë.
Tërmeti u ndje në të gjithë Italinë qendrore dhe u pasua më pas edhe nga lëkundje të tjera herë pas here. Tërmeti u ndje edhe në Romë, Firence, Bolonja dhe në veri të Italisë, deri në Trentino.
Për shkak të tërmetit është pezulluar lëvizja me tren në afërsi të Ankonës, pasi dyshohet se janë dëmtuar binarët e hekurudhës dhe do kryhen kontrolle. Në zonën e Ankonës, tani për tani, janë raportuar çarje në mure, klinika Villa Igea është evakuuar.
Ende nuk ka raportime për njerëz të lënduar. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, tha se është në kontakt me agjencinë e mbrojtjes civile të shtetit, që monitoron situatën. Shumë njerëz të frikësuar kanë dalë në rrugë. Të gjitha ekipet e zjarrfikësve, veçanërisht në zonën e Pesaros, por edhe në Ankona, janë jashtë për kontrolle.
Sipas të dhënave, janë numëruar deri në 51 lëkundje të tjera. Në Anokna, Fano, Pesaro, Urbino dhe Senigallia shkollat janë mbyllur si masa paraprake. Disa spitale janë gjithashtu të mbyllura për qytetarët në Marche.
‘Jemi duke bërë kontrolle, shumë njerëz janë në rrugë dhe për momentin nuk ka dëme të konsiderueshme, por po bëjmë të gjitha kontrollet e mundshme në të gjitha objektet publike. Shkollat janë mbyllur si masë paraprake. Kishte një frikë të madhe sepse goditja ishte e fortë dhe prandaj kemi frikë nga pasojat”, tha kryebashkiaku i Pesaro Matteo Ricci për Ansa.
Epiqendra e tërmetit
Tërmeti që goditi mëngjesin e sotëm Marken në Itali, ka nxjerrë në dritë një histori të trishtë njerëzore, shkruan mediat italiane.
Një vajzë menjëherë pas tërmetit telefonoi nënën e saj që jetonte në Ankona për ta pyetur nëse ishte mirë, apo nëse kishte pësuar dëmtime nga tërmeti, por nuk mori asnjë përgjigje. Kur pa se e ëma nuk po përgjigjej, vajza filloi që të shqetësohej.
Në atë moment ajo vendosi të telefononte 112, e cila nisi një ambulancë në vendin ku banonte e moshuara dhe zbuloi ngjarjen e trishtë: nëna kishte të paktën dy muaj që kishte ndërruar jetë.
Mund të quhet drama e vetmisë, një tjetër, ajo që ndodhi në Ankona, kur trupi i 78-vjeçares u gjet i pajetë në banesën e saj! Trupi ishte në gjendje të avancuar dekompozimi. Mjeku ligjor që ndërhyri në vend, hodhi hipotezën se vdekja kishte ndodhur rreth 2 muaj më parë.
Askush në këto javë të gjata nuk e kishte kërkuar gruan apo nuk e ka vënë re mungesën e saj. Është dashur tërmeti i mëngjesit të sotëm, i cili u pasua nga disa pasgoditje, për të vënë re vdekjen e të moshuarës.
Gazetari Massimo Foghetti ishte në studion e lajmeve të televizionit lokal “Fano TV” dhe po lexonte titujt e parë të shtypit kur ekranet filluan të dridhen, gazetari u ngrit për t’u larguar dhe më pas u kthye përsëri në vendin e tij për të raportuar tërmetin.
Pas kësaj, u ndje një tjetër tronditje, ndërsa gazetari u largua nga studio: “Po iki”, tha ai teksa u zhduk nga ekrani.