Klubi turk, Fenerbahce, ka zyrtarizuar një valë të madhe ndryshimesh në strukturën drejtuese dhe në pankinë, duke ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Domenico Tedesco dhe stafin e tij teknik.

Vendimi është marrë pas një mbledhjeje të bordit drejtues, ndërsa lëvizjet nuk janë kufizuar vetëm te pankina. Në të njëjtën komunikatë, klubi ka konfirmuar largimin edhe të drejtorit sportiv Devin Ozek dhe koordinatorit të futbollit Berke Celebi, duke i falenderuar për kontributin dhe duke u uruar suksese në vijim të karrierës.

Për pjesën e mbetur të sezonit, skuadra do të drejtohet nga ndihmëstrajneri Zeki Murat Gole, i cili merr rolin e trajnerit të përkohshëm deri në përfundim të kampionatit.

Gjatë periudhës së tij si trajner, Tedesco e drejtoi ekipin në 45 ndeshje, duke regjistruar 26 fitore, 12 barazime dhe 7 humbje. Nën drejtimin e tij, skuadra realizoi 87 gola dhe pësoi 46, statistika që megjithatë nuk mjaftuan për të garantuar vazhdimësinë në stol.