Mësimi në të gjitha shkollat e Shqipërisë do të vijojë i pezulluar për dy ditë si pasojë e tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë.
Gazetarja e Report Tv Doris Sallaku raporton se aktualisht shkollat janë në fazën e inspektimit ndërkohë që 10 prej tyre nuk janë funksionale për shkak të dëmeve të shumta nga tërmeti.
Shkollat do të vijojnë pushimet për 6 ditët në vijim duke qenë se dita e enjte dhe e premte janë pushim zyrtar për shkak të festave të nëntorit.
Po ashtu, edhe Gjykatat kanë pezulluar të gjitha seancat e parashikuara për ditën e sotme.
"Për shkak të situatës së krijuar si rrjedhojë e lëkundjeve sizmike, duke patur prioritet kryesor sigurinë e qytetarëve dhe të personelit të gjykatave, Këshilli i Lartë Gjyqësor njofton se nuk do të zhvillohen gjyqe në gjykatat që ndodhen në qytetet Tiranë, Durrës, Kavajë, Krujë, Lezhë, Laç, deri sa autoritetet kompetente të konfirmojnë përshtatshmërinë e godinave respektive. Këshilli i Lartë Gjyqësor do të jetë në komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit e gjykatave për çdo zhvillim të mëtejshëm", thuhet në një njoftim të KLGJ-së.
Lajmi kryesor:
Dita II e tërmetit/ ZHVILLIMET minutë pas minute mbi tërmetin 6.4 ballë që goditi Shqipërinë mëngjesin e së martës (VIDEO-LIVE)








