MAMURRAS- Nëna heroinë e 10 fëmijëve, 7 djem dhe 3 vajza e familjes Lika në Mamurras së bashku me nusen dhe 3 nipërit dhe mbesat sot është në qiell të hapur. Tërmeti i së martës nuk kurseu as familjen Lika, e cila ajo shtëpi për ta më tepër se një banesë ku fusnin kokën, ishte një mburojë nga hasmi, pasi prej 2002 familja e tyrë është në gjak. Emisioni 'Pa Gjurmë' në Report Tv ka udhëtuar drejt Mamurrasit për të takuar nënën Xhevrie. Mes fjalëve më të mira për nusen, të cilës i dedikon edhe jetën, sepse ishte ajo që e shpëtoi nga lëkundja e frikshme, kërkon që banesa e saj të rindërtohet. Fjalët e kësaj nëne janë "therëse", shumë prekse, pasi kërkon që t'i ndërtohet shtëpia. Të gjithë banorët e prekur nga tërmet kanë këtë kërkesë, por ajo ka një arsye më shumë. I druhet faktit se nëse nuk do të ketë një çati ku do të fusë kokën, nuk do të ketë më në gjirin e saj nusen, nipërit dhe mbesat, ashtu siç i kanë ikur edhe 10 fëmijët e tjerë. Edhe pse ka vuajtur shumë në jetë, ajo është e fortë dhe nuk dorëzohet, as përpara këtij tërmeti.
"Ra tërmeti, mi solli komuna këto çadra. Kur ra tërmeti ne ishim me gjithë kalamajtë në katin e parë. Kur ra tërmeti i parë, më tha nusja "mos shkojmë lart". Fati i mirë që nuk shkuam lart. Nusja duke më shpëtuar mua. Një nga vajzat, e vogla na humbi. Se nuk kishte dhe dritat. Pasta u fut nusja prapr dhe e mori gocën e vogël dhe e nxori jashtë. "Ndihmë bre, ndihmë bre. Po ishim në qiell të hapur". Kemi shpëtuar. Jemi në hasmëri, një ngatërresë, njëri prej cunash dhe jemi prej 2002 të ngujuar, 17 vjet. Pati konflikt, djali është në burg ka vrarë dikë. S'na kanë thënë gjë askush nga pala tjetër. S'kemi pasur probleme me atë, jemi ngujuar nga frika. I them shtetit,sa të na bëj një shpi se më ikin kalamaj. Do të ha vetëm një herë në ditë, vetëm sa të më bëj një shpi që të mos më ikin shpinë. Kam 10 fëmijë, 7 cuna dhe 3 vajza. Janë larguar krejt fëmijët. Frikë kemi, unë me ditë jam...bëj vetëm për fëmijët. Po kjo, që është vetëm. Kam mbetur vetëm me nuse, më ka qëlluar siç më ka dashur shpirti im. Na thanë më herët që shpia ishte e pabanueshme nga tërmeti i parë, por ku të shkonim të flinim. InshAllah na ruan Zoti. Me hy brenda, do çuditeni. Për mua 100 vjet jetofshin,(hasmi) s'na kanë thënë asgjë. Vetë jemi ngujuar, nga frika. Nuk mund të shkoj, Allahu të ruajt. Është bërë fëmija për psikolog", u shpreh nënë Xhevrija.
Nusja, me fëmijën e vogël në krah, të mbështjellë me batanije, sepse për të voglin jetesa në çadër është shumë herë e vështirë ka rrëfyer momentin kur ra tërmeti dhe sakrificën që ka bërë duke shpëtuar të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes, pa menduar asnjë moment për jetën e saj. Në çdo fjalë që thotë, vihet në pah respekti i madh që ka për vjehrrën e saj, të cilën e thotë me gojën plot që e ka NËNË. E ardhur nuse 10 vite më parë në këtë shtëpi, ajo tregon se ka qenë në dijeni që familja Lika ka qenë në gjak, por jeta e ka detyruar që të marrë këtë vendim. Me bashkëshortin që nuk e di se ku ndodhet, i cili telefonon shumë rrallë në muaj dhe pyet më së shumti vetëm se si ka fëmijët, ajo kërkon që t'i ndërtohen shtëpia, e cila ishte shpallur e pabanueshme që në tërmetin e 21 shtatorit. Për shkak të dëshirës së nënës Xhevrije për të mos lënë shtëpinë, ajo është detyruar gjatë këtyre ditëve që të qëndrojë aty mes të ftohtit, shiut, dyshekëve të lagur dhe ushqimeve të pakta.
Megjithatë pas këmbënguljes së dy gazetarëve, Odeta Dume dhe Ermal Qorri, nëna pranoi që të paktën për disa ditë të strehohet në një hotel, siç shumë banorë të tjerë.
"Mora mamin dhe tre fëmijët dhe u ulëm në kat të parë. Kur ra i dyti doja që t'i nxirrja jashtë, se kati i dytë po shembej. Ishim brenda kur ra tullat. Ikën dhe dritat. Është larguar, vetëm telefonon sa për të pyetur për fëmijët. Ishim në Suedi, por u kthyem, ai iku. Çadra ka ardhur të nesërmen, pasi ra tërmeti. Një makinë me Kosova na kanë dhënë sobën dhe disa ushqime. Ai pyet për fëmijët dhe shyqyr që kanë shpëtuar shëndosh e mirë. Kam 10 vite martesë. E dija që kjo familje ishte në hasmëri. Mami s'mund ta lë shtëpinë, dhe unë e respektoj", tha nusja e shtëpisë.
Kryebashkiakja Cara: Shtëpia do të ndërtohet nga e para patjetër
Në një lidhje telefonike "live" Kryebashkiakja Majlinda Cara u dha lajmin e mirë se shtëpia e tyre do të rindërtohet. Ishte një premtim "live", për të cilën edhe pse nëna kishte frikë se do mbetej thjesht premtim si në tërmetin e parë, Cara vuri theksin që familja të rrijë e qetë.
"Shtëpia do të ndërtohet nga e para patjetër. Unë e njoh familjen, të rrinë të qeta. Ky është premtim i qeverisë, i kryetares së Bashkisë, Majlinda Cara. Do i ndihmojmë edhe me ndihma", tha Cara. Ndërkohë, gjatë transmetimit "live" ka pasur dhjetëra telefonata që janë shprehur të gatshëm për t'i ndihmuar.
Te rroje hasmi 100 vjet edhe shteti po ashtu.
Përgjigju